Jemi në natën e vitit të ri dhe sonte gotat ngrihen dhe cakërrohen më shumë se çdo herë tjetër. Në këtë natë, në shumë familje ka gëzim e lumturi, por në shumë të tjera mund të ketë vuajtje, pikëllim, mallëngjim… E tillë është jeta sepse jo gjithmonë arrijmë të përcaktojmë ngjarjet dhe fatet tona. Në fakt, ne si popull i robëruar dhe dhunshëm i ndarë, pak, fare pak kemi mundur të vendosim për fatin tonë. Për ne, kanë vendosur të tjerët. Si rrjedhojë, për shekuj të tërë kemi vuajtur robërinë, fyerjen dhe poshtërimin.
Shkruan: Bekim Çollaku
Fatkeqësisht, ky fat i mallkuar vazhdon të na përcjellë edhe sot. Veçse se tani fyerja dhe diskriminimi ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, bëhet në mënyra moderne. E, sado që ka përpjekje të maskohet një gjë të tillë, trajtimi jo i barabartë me popujt dhe shtetet tjera të rajonit në relacion me proceset integruese në strukturat euro-atlantike, është tregues i qartë se Kosova vazhdon të përbuzet dhe mashtrohet. Por, përkundër këtij qëndrimi, ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe nuk do të dorëzohemi as sot.
Ne, shqiptarët e Kosovës, kemi hequr shumë, sepse për shekuj të tërë nuk ishim të lirë. Liria erdhi më në fund edhe për ne. Të gjithë e dimë se ajo nuk erdhi vetvetiu. Liria që gëzojmë ka emër dhe çmimi i saj ishte shumë i lartë. Fatkeqësisht, ky çmim po vazhdon të rritet edhe sot dhe nuk e dimë se kur do të marrë fund. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është emër dhe akronim i bukur dhe sinonim i vet lirisë. Kjo është vlera jonë më e lartë kombëtare dhe shtetërore. E për çudi, për njëzet vite me radhe, UÇK-ja vazhdon të goditet pamëshirshëm nga dhjetëra gjykata vendore e ndërkombëtare. Kjo përndjekje bëhet me arsyetime të ndryshme dhe gjoja në emër të drejtësisë. Në fakt, në të gjitha këto përndjekje të deritanishme kundër UÇK-së, ne kemi parë gjithçka tjetër, përveç drejtësisë.
Ky cikël persekutimesh, kulmin e vet e arriti gjatë këtij viti në momentin kur u konfirmuan aktakuzat dhe u arrestuan themeluesit kryesorë të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës. Kjo goditje dinake dhe shkatërruese kundër UÇK-së, kundër lirisë dhe shtetit tonë, për fat të keq, u bë në emër të drejtësisë. Në anën tjetër, të gjithë jemi dëshmitarë që i gjithë ky proces, që nga fillimi e deri në pikën ku jemi sot, është mashtrim dhe asgjë tjetër. Pra, gjithçka ka filluar bazuar në mashtrim, dhe epilogu nuk ka si të jetë ndryshe. Drama e turpit dhe mashtrimit kundër UÇK-së dhe Kosovës filloi me pretendimet e një raporti për kinse trafikim të organeve njerëzore. Mjaftuan këto pretendime të pavërteta për të ndërtuar një të pavërtetë edhe më të madhe kundër UÇK dhe Kosovës.
Kështu, duke përdorur mashtrimin, joshjen dhe ligësinë, bëjnë përpjekje të mjerë për ta vrarë trashëgiminë e lavdishme të UÇK-së. Por, që të bëhet një gjë e tillë, duhet të zhbëhet vetë liria jonë. UÇK-ja dhe liria janë një dhe të pandashme. Prandaj, pavarësisht si ndjehemi sonte, qoftë të gëzuar, të mërzitur apo të mallëngjyer, ne duhet të gjejmë forcë që ta festojmë dhe rikujtojmë rrugëtimin tonë të vështirë drejt lirisë. Andaj, gotën e parë ta pimë në shenjë respekti, nderimi e përkujtimi për gjithë ata që dhanë jetën për liri.
Për njëzet e një vite rresht, ushtarët e UÇK-së vazhdojnë të persekutohet, arrestohen dhe burgosen. Paradoksale dhe e dhimbshme vetëm ta mendosh e lëre më ta përjetosh. Sonte shumë ushtarë të lirisë, janë mbrapa grilave dhe të privuar padrejtësisht të përqafojnë fëmijët, prindërit dhe miqtë e tyre. Për ta bërë këtë dramë të imponuar të turpit edhe më tragjike, burrështetasit dhe themeluesit e UÇK-së, ndodhen në burg larg atdheut të tyre dhe në pamundësi të thithin ajrin e Kosovës. Kjo dramë e turpit nuk ka të bëj asgjë me drejtësinë. Në fakt, ky mashtrim i madh është shkaktar i një padrejtësie të pashembullt në kurriz të Kosovës.
Liria ka emër dhe historia e jonë nuk do të mund të rishkruhet as nga pena e ndonjë gjykate dhe nga qindra miliona euro të shpenzuara për ketë qëllim të pakuptimtë. NATO dhe bashkësia ndërkombëtare ndihmuan që ta fitojmë lirinë duke bombarduar caqet ushtarake të regjimit gjenocidial të Milloshevicit. A thua tani miqtë tanë ndërkombëtarë ndihen të penduar për ndihmën e tyre për lirinë e Kosovës? Cili është motivi që i nxit aleatët tanë, të vendosin UÇK dhe Kosovën në bankën e të akuzuarve përsëri? Përgjigjet nga ana e tyre se e gjithë kjo po bëhet në emër të drejtësisë, janë të pavërteta. Sepse drejtësi në Kosovë do të këtë vetëm atëherë kur të vihen para drejtësisë përgjegjësit për mijëra vrasje, qindra masakra dhe përdhunime kundër shqiptareve.
Padrejtësia dhe mashtrimi një ditë do të marrin fund. Ata që janë pjesë e këtij mashtrimi, ata që i fërkuan duart dhe u gëzuan për burgosjen e secilit luftëtar të UÇK –së, një ditë do të ndihen të turpëruar. Liria jonë nuk është rezultat i një ndërmarrje të përbashkët kriminale, por rezultat i një ndërmarrje të përbashkët çlirimtare. Kjo është e vërteta e historisë sonë e cila nuk mund të ndryshohet dhe as të rishkruhet.
Në fund, do të doja që gotën e fundit të kësaj nate ta pijë për respektin dhe shëndetin e të gjithë luftëtareve të UÇK-së që sonte padrejtësisht janë të burgosur në Kosovë dhe Hagë. Gotën e zbrazur do të doja ta përplas fort në dyert e hekurta të këtyre burgjeve, me bindje që ata të kthehen sa më shpejt te familjet dhe miqtë e tyre.
Nuk jeni të harruar! Gëzuar!
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...