Edhe në zgjedhjet parlamentare të kësaj radhe në Maqedoni jam i zhgënjyer. Kjo fushatë është interesante për faktin se nga njëra anë asnjëra nga partitë shqiptare nuk është plotësisht opozitë: ose janë në pushtet ose të lidhura me pushtetin, ndërkaq nga ana tjetër çdonjëra e kritikon pushtetin. Besa është me LSDM. BDI e PDSH veçmë dihet në qeveri. Aleanca është me Alternativën, e cila po ashtu ishte në qeveri. Loja me emocionet e popullatës shtrihet edhe në rrafshin e ëndrrave: herë me presidentin shqiptar (Besa,Aleanca), herë me presidentin koncesual maqedonas (BDI, PDSH, Alternativa), herë me kryeministrin shqiptar (BDI), herë me zëvendskryeministrin shqiptar (PDSH) dhe herë me kryeministrin maqedonas të koalicionit parazgjedhor (Besa). Një amalgamë konceptuale që s’mund t’i bish në fije. Blloku anti-BDI është gjithashtu një panoramë e çuditshme me parti të dala si fraksione e të armiqësuara skajshmërisht ndërmjet veti sa s’bëhet: PDSH me të gjitha, po më shumë me Aleancën.
Besa me Alternativën (pjesën e saj të ndarë), të cilët së bashku dogjën te shumë të rinj të dëshpëruar, jo vetëm nocionin tradicional, por edhe shpresat kombëtare e fetare. Të gjitha thonë se e kanë për qëllim ta heqin BDI-n nga pushteti, ndërsa me politikat e çakorduara secila vetëm sa e ndihmon dhe ia zgjat gjasat dhe jetën për riqeverisje të ardhshme, bile ndonjë edhe me dëshirë (RDK). Para katër vitesh, por edhe shumë më herët, bëja apel të bashkohen, por nuk e bën dot. Edhe lideri i BDI-se i luste ‘bashkohuni!’, jo se është aq altruist, por vërtet është lodhur dhe ka nevojë edhe ai për pushim. Çfarë bënte atëherë opozita?!
Haheshin mes vete: se filani është pijanec, hajn e kriminel, se fisteku është turkofil që financohet herë nga Erdogani e herë nga Gyleni, ngrihej tjetri merrej me unazat e Iranit, e broçkulla të tjera. Tani njëfarë bashkimi gjysmak u arrit, por ai mbetet i brishtë, i përcjellur nga hija e akuzave dhe kundërakuzave të mëhershme infantile. Besoj se nuk ia vlen të ndalesh në grindjet e tyre të vazhdueshme, për të cilat mund të shkruhen romane me vëllime të tëra, por ajo që më vret, më dhemb dhe më djeg si shqiptar i kësaj ane, është pikërisht mungesa e një platforme të përbashkët unike kombëtare, politike, ekonomike e kulturore. Për këtë kam shprehur moti e shpeshherë shqetësimin tim, thjesht e saktë dhe me kritikë konstruktive, pa etiketime, sharje e shpifje, po bazuar me fakte të argumentuara, për të cilat ka edhe audio e video inçizime, të cilat asnjëherë nuk janë kontestuar nga të stigmatizuarit në to. Platforma e vetme e dëshmuar praktikisht e partive mbetet: ‘t’i rahatojnë pjesëtarët e tyre’.
Diçka më vizionare nuk ka, ani pse e trumbetojnë. ‘Patriotikja e kombëtaria’ e tyre në popull është reduktuar te punësimi nepotik, kurse në rrethin e ngushtë te korruptimi, klientelizmi, tenderimi etj. E dëshirueshmja që “të ketë bashkim të njëmendët të faktorit shqiptar në këto anë, të lihen anash bajraktarizmat dhe interesat e ngushta individuale e grupore, që të bashkuar të punohet më shumë në avancimin e të drejtave kombëtare, ekonomike e kulturore”, mbetet tani për tani e paarritshme. Së këtejmi, populli ka nevojë për zhvillim të gjithanshëm, kurse me këso politikash minore, kjo nuk arrihet dot. Prandaj sot e kësaj dite shumë fshatra e vendbanime shqiptare kundërmojnë pa kushte elementare jete, madje pa ujë të pijshëm e kanalizim, ndërsa materialisht të ndodhur në zgripc të skamjes shumë të rinj ikin jashtë vendit. Kjo ngaqë kur vjen koha e zgjedhjeve votuesit i hanë foret e retorikës patriotike me statuja bronzi, gjersa tri decenie nga buxheti shtetëror për ta nuk ndahet pothuajse asgjë. Ajo që më dërrmon në palcë e që po e shoh në horizont është se vetë një pjesë bukur e konsiderueshme e këtij populli i ka për qejfi politikat meskine të ‘liderëve’ të tyre. Jam thellësisht i bindur se sikur të pikte edhe nga qielli ndonjë mendje e ndritur me gjenialitet të rrallë aristetolian, prapëseprapë ata nuk do t’i tradhtonin ‘liderët’ për të.
Për t’u bërë diçka më mirë, mbi të gjitha e para së gjithash lypset të ndryshojë mentaliteti i këtij populli, shumica e të cilit ankohet për gjithçka, por nuk bën asgjë për t’u bërë më mirë. Vazhdimisht pyesin: ‘kur do të bëhet mirë apo deri kur kështu kaq keq?’ dhe kur vjen momenti e varet prej tyre, ata shiten për pak gjë. Realisht, ne në krahasim me Perëndimin jemi në mjerim dhe larg zhvillimit, prandaj çelësi zgjidhës mbetet arratisja. Pas rreth 30 vjet pluralizëm e liberalizëm ja ku jemi – të gjithë i kemi sytë ta shohim, ndërsa 30 vjet pas shkatërrimit gati total gjatë LDB, RSFJ, nga dolëm ne, e bëri ekonominë ndër më të fuqishmen në Europë me qindra fabrika. Për gjendjen e tanishme nuk ka të tjerë fajtorë përveç politikanëve, të cilët fuqizohen nga vota e popullit. Mu për këtë, duhet të ndryshojë mendësia e popullit, ashtu që ai të mos mashtrohet, por të vendos vetë për fatin e tij. Atëherë nga gjiri i tij do të dilnin të tjerë njerëz, që nuk mendojnë për vete po për mirëqenien e dinjitetshme për të gjithë. Jam ende skeptik për një kthesë të tillë madhore. 12 korrik 2020.
_______________________________________________________________________________________________
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...