Dita që nderon Kosovën dhe mërzit njeriun “popullor” të Kosovës

20:52 | 1 Shkurt 2021
L G

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i ka dhënë Kosovës njohjen nga Izraeli, e cila është arritja më e rëndësishme në arenën ndërkombëtare, pas njohjeve nga SHBA dhe shteteve kryesore europiane, qysh në vitin e parë të pavarësisë.

Kjo tore është dysh më e madhe, po të kihet parasysh se takimi i Uashingtonit ku u vendos njohja, pritej të ishte një dështim dramatik i raporteve Kosovë- SHBA, për shkak të paranojave të Albin Kurtit, se “Amerika kishte nxjerrë thikat të ndante Kosovën”, dhe pafuqisë së tij procesin e dialogut me Serbinë.

Rrëzimi i tij, qoftë dhe për një vit nga pushteti, i ka dhënë një arritje më shumë Kosovës, pasi së paku fitoi një njohje të rëndësishme politike, gjeopolitike dhe strategjike, duke zhbllokuar procesin e njohjeve dhe duke rritur presionin mbi vende të tjera të rëndësishme, të marrin vendime të ngjashme.

Në këtë pikë ka pasur një meritë të veçantë dhe ish- presidenti Hashim Thaçi, që kishte përgatitur terrenin për marrëveshjen, duke mos e dëmtuar Kosovën, edhe pse e ndalën në rrugën drejt Uashingtonit, për ta çuar në Hagë.

Kjo njohje i dedikohet padyshim dhe atij.

Sot, kur ajo u bë konkrete, ushtruesja e detyrës së presidentit, që pretendon se gëzon të gjithë të drejtat e presidentit, e ka pa të arsyeshme të gatuajë diku flija në Kosovë dhe të mos marrë pjesë në ceremoninë më të rëndësishme të shtetit të Kosovës, vetëm se kjo marrëveshje turpëron tutorin e saj, Albin Kurti, dhe lartëson rivalin e saj në LDK, Avdullah Hoti dhe paraardhësin e zyrës së saj, Hashim Thaçi.

Kjo tregon shumë se sa pak vlen Kosova për presidenten e Kosovës dhe sa shumë vlen Albini, i cili është shumëfish mërzitur nga kjo ngjarje.

E para, se është bërë nga ambasadori Grenell, për të cilin ai tha se kishte bërë gati thikën t’ia ngulte Kosovës në shpine, e dyta, se brenda partisë në listën e kryesuar tashmë nga Osmani ka deputetë që kërkojnë zhdukjen e Izraelit, e treta se kundërshtarët e tij Hoti dhe Thaçi, janë ata që kanë autorësinë e kësaj njohje.

Por Kosova sot është e gëzuar, kurse Albini dhe Vjosa, që duan ta udhëheqin atë, janë të mërzitur nga e njëjta arsye. Kjo tregon sa pak përputhen dëshirat e tyre për pushtet, me dëshirën e Kosovës për shtet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme