Skandal në vizitën e të ngarkuarit të BE për politikën e Jashtme, Josep Borrelli në Moskë, shkruan Christian Trippe. Ajo që dëshirohej si fillim i ri i marrëdhënieve mes BE dhe Rusisë dështoi plotësisht.
Përpjekja për të kthyer në shinat e duhura marrëdhëniet e BE me Federatën Ruse mund të shihet si e dështuar për një kohë të gjatë. Nuk mund të vlerësohet ndryshe, ajo që u dëgjua pas takimit të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe të ngarkuarit të BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell. Konferenca e shtypit u kthye në një orë të arrogancës dhe dështimit. Borrell dukej për momente të caktuara si një nxënës shkolle, i papërgatitur, dhe Lavrov njihet për atë që nuk i fal asgjë partnerëve të tij në negociata. Kësaj here ai ia mori Borrellit edhe dinjitetin politik
Bashkimi Europian nuk është i “besueshëm”; Vende si Gjermania dhe Franca sillen “me arrogancë” kundrejt Rusisë dhe nuk pranojnë të japin informacione në zbardhjen e rastit Navalny; Në Spanjë ka gjykime të motivuara politikisht kundër separatistëve katalonjas. Kjo është vetëm një pjesë e rrebeshit të akuzave dhe gënjeshtrave që Lavrovi lëshoi mbi Borrell. Borrell heshti për këto. Ai u përpoq me përzemërsi, në një kohë që një shpërthim i kontrolluar zemërimi mund ta kishte ndalur furorin zotit Lavrov.
Udhëtimi i Borrellit drejt ferrit
Në një kohë që të dy ofruan në skenë të hapur të konferencës së shtypit një shfaqje të tillë, Ministria e Jashtme e Lavrovit e plotësoi komplet fyerjen. Tre diplomatë nga vende të BE u dëbuan nga Rusia, sepse ata me gjasë kishin marrë pjesë në protesta kundër arrestimit dhe dënimit të kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Të tre vendet, Gjermania, Polonia dhe Suedia e hedhin poshtë me vendosmëri këtë, edhe Josep Borrell e shprehu protestën e tij me protokoll.
Të premten pasdite më së voni dihej, se misioni i Borrellit dështoi plotësisht. Por në këtë moment kryediplomati i BE duhej të qëndronte edhe disa orë në Moskë. Ai duhej të bënte diçka, të takohej me përfaqësues nga kampi i Navalnyt, apo përmes një daljeje tjetër publike në Rusi t’i vinte gjërat në vend. Madje edhe një kthim para kohe me avion dhe një ndërprerje e udhëtimit do të kishte dërguar një sinjal.
Që para udhëtimit drejt ferrit, disa diplomatë skeptikë kishin pyetur, se çfarë do të mund të sillte një udhëtim i tillë, e nëse nuk do ishte më mirë, që të anulohej ai për shkak të dënimit të Navalnyt? Vëzhgues të shqetësuar kishin kujtuar, se Kremlini i ka kushtet më të favorshme, Borrell rrezikon të dështojë. Të gjitha këto rezultuan të vërteta. BE ndodhet tani para ndoshta dështimit më të madh në historinë e saj të re diplomatike.
Sanksione të reja të pashmangshme
Kjo nuk do të mbetet pasoja, kur BE pas disa javësh të marrë në shqyrtim edhe njëherë me bazë strategjinë e saj me Rusinë. Kremlini me sa duket nuk ka shumë interes për marrëdhënie me Brukselin që bazohen mbi parimet e drejta dhe marrëdhënie si të barabartë. Kështu BE për respekt të vetvetes do të kufizohet tek ajo që nuk shtrohet për diskutim dhe që e duan të dyja palët: tregtia, furnzimet me energji, zbutja e pandemisë, kontaktet e shoqërisë civile. Kjo nuk është një gjendje zeroje, por mbetet shumë pas asaj që do ishte e mundur.
Dora që Josep Borrell ia ofroi kaq demonstrativisht Moskës u kthye vërtet mbrapsht. Në BE deri tani disa vende nuk donin sanksione të reja kundër Moskës për rastin Navalny. Por tani që Borrell u kthye duarbosh nga Moska, sanksionet e reja janë të pashmangshme. Pra pika më e ulët nuk është arritur ende./DW/
Peci: Digjitalizimi do ta fuqizojë sektorin e bujqësisë
“Është një version më i mirë i Haalandit”, Van Der Vaart zbu...
Nagavci: Kemi buxhetuar pagat për punësimin e 500 asistentëv...
G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të trupave koreanov...
Balluku: Nga 1 janari do të ulet çmimi i energjisë elektrike
Xhaka para duelit me Liverpool-in: E di se si është të luash...