Nga: Harry Bajraktari
Dhjetë vjet më parë, më 21 Janar, u shua nga jeta njëri ndër figurat më të shquara të kombit shqiptar, presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Me emrin e tij identifikohet Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e rëndësishme historike pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Për ta fituar këtë luftë të ashpër mbi Serbinë, u desh mençuri, mund dhe angazhim për t’ i bindur SHBA dhe Bashkimin Evropian për të drejtën e mohuar historike të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Millosheviqi në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kishte ndërmarrë një terror të egër të përmasave të gjera për dëbimin e shqiptarëve jashtë Kosovës në mënyrë që ta ndryshonte strukturën e popullësisë në këtë pjesë të Ballkanit dhe Kosovën ta fuste në kuadër të një projekti të Serbisë së Madhe.
Në këto vite tejet dramatike Dr. Ibrahim Rugova, mori Kosovën në duart e tij për t’ i kundërshtuar pretendimet shoveniste të Millosheviqit dhe për t’ i hapur Kosovës rrugën e pavarësisë nga Beogradi fashist.
Duke qenë një personalitet i shquar kombëtar, intelektual me një kulturë evropiane, shkrimtar dhe hulumtues shkencorë, e mbi të gjitha politikan i vendosur për realizimin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova u angazhua që bashkësisë ndërkombëtare t’ i afrohej një e vërtetë tjetër nga e vërteta dhe propoganda e vjetër serbe. Dr. Rugova si vizionar që ishte, e dinte se alternativa e vetme për pavarësinë e Kosovës ishte Washingtoni dhe mu për këtë të gjitha aktivitetet diplomatike i orientoi nga kjo qendër botërore, ku nëpërmjet të saj ishin zgjidhur shumë kriza, luftëra e konflikte globale si dhe përfundimet e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Qysh si student adhuronte botën perëndimore, prandaj edhe specializimi i tij në Francë s’ ka qenë i rastit. Për ta njohur këtë kulturë, ai lexonte dhe studijonte shkrimtarët dhe filozofët më në zë perëndimor. Kjo i ndihmoi në krijimin e personalitetit të tij, si studijues, intelektual dhe, më vonë, si politikan në një kohë kur Kosovës i duhej më së shumti.
Dr. Ibrahim Rugova lindi në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur populli shqiptar përjetonte masakra të shumta nga komunistët serbë. Më 10 Janar 1945 ia ekzekutuan babain dhe gjyshin. Ky i fundit kishte qenë i njohur në luftërat e organizuara kundër çetnikëve, të cilët bënin terror mbi popullatën shqiptare në krahinën e Rugovës dhe në pjesët tjera të veriut të Kosovës. I prekur thellë nga historia e babait dhe gjyshit të tij dhe nga ngjarjet e tmerrshme që kishin ndodhur ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, Dr. Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta mori një barrë të madhe mbi vete që përmjet filozofisë paqësore dhe luftës intensive diplomatike ta nxirrte Kosovën nga okupimi serb dhe nga mizoritë që kryente regjimi i Millosheviqit në atë kohë. Ndonëse e dinte se kjo rrugë s’ do të kuptohej drejtë nga shumëkush, ai i mbeti pranë kësaj filozofie deri në fund, por në asnjë mënyrë nuk hoqi dorë nga Pavarësia e Kosovës. Dhe kështu, me politikën e tij paqësore, fitoi simpati nga shumë liderë të vendeve demokratike në gjithë botën, e para se gjithash të SHBA. Pavarësia e Kosovës për të ka qenë e vetmja rrugë që do të sillte paqe në rajonin e Ballkanit.
Ngjarjet e viteve të 90-ta Rugovën e gjetën në detyrën e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar të LDK-së, parti e parë e pavarur në Kosovë krahas të ndonjë partie tjetër që selitë i kishin jashtë Kosovës. Kur Millosheviqi solli mijëra serbë në vitin 1989 në Gazimeston për të shënuar një përvjetor të një beteje të humbur dhe kërcënoi shqiptarët me dëbim masiv, Dr. Ibrahim Rugova në të njëjtën ditë para gazetarëve të jashtëm dhe të brendshëm, akuzonte politikën represive serbe ndaj shqiptarëve atëherë nën Jugosllavi. Deklarata e tij në këtë kohë, kur persekutoheshin intelektualët shqiptarë dhe izoloheshin në burgjet serbe, bëri jehonë të madhe në botën demokratike dhe brenda Kosovës. Ishte një thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër klithmave përplotë urrejtjeje të Millosheviqit. Nga ky vit (1989) ai u nis për ta fituar betejën diplomatike për Kosovën.
Nga viti 1989 u bëmë miq të pandashëm për çështjen e Kosovës
Nga dita kur e njoha Dr. Ibrahim Rugovën e deri në vdekje ishim bashkë për çështjen e Kosovës dhe çështjen e përgjithshme shqiptare. Dr. Rugovën për herë të parë pata rast ta takoja në seminarin, kushtuar 300 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, të cilin në New York e organizoi Kisha Katolike” Zoja e Këshillit të Mirë” në vitin 1989. Meqenëse Zoti Rugova ishte doktoruar mbi veprën e Bogdanit, ishte ftuar të fliste mbi këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare. Nga kjo periudhë kam vazhduar kontaktet e mia me të për të mirën e Kosovës.
Kur u vendosëm me shtëpi në Armonk të New York-ut, ajo u bë një vendtakim për politikanë, diplomatë, intelektualë dhe njerëz të profesioneve të ndryshme që vinin nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e më vonë edhe nga Shqipëria.
Në shtëpinë tonë në këtë kohë sillnim kongresmenë, senatorë e miq të tjerë amerikanë, mbështetës dhe dashamirë të çështjes së Kosovës. Disa muaj më parë, në Prill të vitin 1990, në Washington DC, një grup prej 20 intelektualësh erdhi për të dëshmuar mbi dhunën serbe në Kosovë. Në krye të këtyre intelektualëve ishte Dr. Ibrahim Rugova, kryetar i LDK-së dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kjo dëshmi u konsiderua fitorja e parë në fushën diplomatike kundër grupit serb që përfaqësohej nga ultranacionalisti, Dobrica Qosiq. Kjo dëshmi u drejtua nga Tom Lantos, përfaqësues i atëhershëm për marrdhënie me jashtë pranë Kongresit Amerikan së bashku me John Porter. Lantos ishte edhe një mik i shqiptarëve, i cili mbështeste zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nga kjo dëshmi filloi njohja e Washingtonit me problemet që kishte Kosova me Serbinë.
Më 17 Shkurt, 1993 pata rastin ta shoqëroja presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën në WashinGton, ku pat një takim në Shtëpinë e Bardhë me Samuel Richard Berger, i njohur me nafkën ” Sandy” që ishte Këshilltar për Siguri Kombetare në administratën e presidentit Bill Clinton. Me Rugovën ishte edhe Dr. Alush Gashi dhe Dr. Shaqir Shaqiri. Kjo ishte vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë, ku Rugova kërkoi vendosjen e trupave të OKB-së në bashkëpunim me trupat e NATO-s në Kosovë dhe vënien e saj nën Protektoratin Ndërkombëtar deri sa ajo të fitonte pavarësinë.
Që nga viti 1990 kur presidenti Dr. Ibrahim Rugova ka ardhur në Washington apo në New York, gjithherë është kthyer në shtëpinë time në Armonk. Sipas kohës që ka pasur në dispozicion, herë ka ndejtur më shumë e herë më pak, por gjithherë është kthyer. Varësisht nga bisedat që zhvillonte me personalitetet e administratës Amerikane, ndërmirrte hapat aktual të veprimit. Në shoqërimin që i bëja në takimet e tij në Washington apo në New York kam hetuar se Dr. Rugova ka pasur edhe presion që të pranonte ndonjë zgjidhje që nuk shkonte në favor të Kosovës. Shpeshherë i thoshin se njëherë Ballkani duhet të inkuadrohet në Bashkësinë Evropiane e pastaj brenda këtij opcioni Kosova të bënte zgjidhjen e saj. Ndërsa ai shfaqte mendimin e tij të përkundërt se së pari pavarësia e më pas integrimi. Kjo për Rugovën ishte alternativa e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb.
Çdo takim që kam pasur me të, në të gjallë të tij, gjithnjë bisedat i lidhte me Kosovën dhe përgjithesisht me perspektivën e çështjes shqiptare. Një simpati të veçantë për Dr. Rugovën e ka pasur edhe im atë, Meta. Babain tim e pyeste për disa figura të rëndësishme kombëtare që kishin qenë të detyruar ta braktisnin Shqipërinë për shkak të ndjekjeve që u kishte bërë regjimi i Enver Hoxhës dhe ai jugosllav e të cilët, disa nga ta, ishin vendosur në New York, si Dr. Rexhep Krasniqi, Hysen Bej Prishtina, Abaz Kupi e shumë nacionalistë të tjerë. Dr. Rugova e njihte veprimtarinë e tyre, por dëshirontë të dinte më shumë për punën dhe jetën e tyre në Amerikë.
Derisa po e përcillja njëherë në Aeroportin “Kennedy” ku pas një vizite në SHBA po kthehej për Kosovë, presidenti i ndjerë Rugova më tha:” Harry do të punojmë së bashku deri në fund për çështjen e Kosovës”.
Presidenti Rugova për herë të fundit në SHBA
Për herë të fundit kur ishte në Amerikë, presidenti Rugova pas luftës, unë me Rrustem Gecin, organizuam një darkë të veçantë për të. Këtë darkë solemne e shtruam në një anie shetitëse nëpër ujrat e lumit Hudson rreth e përçark New York-ut, ku morën pjesë mbi 100 shqiptarë. Kjo ka qenë vizita e tij e fundit në SHBA. Në bisedë me të, më tha se tani po arrijmë tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ku të gjithë kemi hise, se të gjithë kontribuam për të.
Varrimi i Rugovës ishte një referendum për pavarësinë e Kosovës. Ky ka qenë përkushtimi i tij sa ishte gjallë. Ky ideal i tij u përmbush vetëm dy vjet pas vdekjes së tij. “Amanetin e të parëve e kemi obligim ta çojmë në vend”, thoshte ai në biseda që organizonte me shqiptarët e Amerikës.
Nga viti 1991 e deri në vdekje, sa herë që janë mbajtur zgjedhjet për president të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova i ka fituar me shumicë apsolute të votave. I ndjeri ka qenë figurë unifikuese.
Sot pas dhjetë vjetësh të vdekjes, Dr. Ibrahim Rugova kujtohet me pietet të madh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kombëtar e mbi të gjitha si arkitekt i pavarësisë së Kosovës.
21 Janar, 2016
New York
* Autori është veprimtar e biznesmen i shquar shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...