Shkruan: Dritan Dragusha
Demokracia është sistem i brishtë, mirëpo brishtësia nuk e bënë atë sistem të dobët, përkundrazi, paradoksalisht qëndrueshmëria e saj buron nga kjo brishtësi, e cila krijon hapësirë për debat dhe kritikë, e përmes së cilës avancohet. Po t’i vrojtojmë shumicën e sistemeve të kundërta me demokracinë, do të vërejmë se ato kanë preokupim të duken sa më të fuqishme, sa më të përsosura. Janë po këto dy karakteristika që e karakterizojnë krizën dhe rënien e atyre sistemeve.
Prandaj, nëse mund të shprehemi kështu, e përsosura në demokraci është papërsosshmëria e saj. Kur flasim për demokracinë si sistem, siç e dimë tanimë, së pari flasim për një sistem vleror ku në qendër janë liritë dhe të drejtat e barabarta të njeriut, ku individi me liritë dhe të drejtat e tij, është themeli i saj. Pastaj, demokracia është edhe kulturë, sepse përbrenda saj krijohet një mënyrë e të menduarit, e sjelljes, e të gjykuarit. Liria e të shprehurit dhe e kritikës paraqesin suplementin më domethënës të saj. Po ashtu, është edhe kulturë e të qeverisurit, ku vlera më e lartë është përgjegjësia dhe përgjegjshmëria, që do të thotë se njerëzit që vishem me pushtet përmes votës së lirë marrin përgjegjësi dhe me përgjegjshmëri e ushtrojnë pushtetin që u është dhënë me votë. Pra, në demokraci pushteti nuk i besohet një individi apo grupi të caktuar, por ai legjitimohet përmes votës së lirë.
Gjithashtu, edhe shoqëria është e përgjegjshme karshi njëri-tjetrit, shoqërisë dhe karshi shtetit. Siç vërejmë, demokracia është balancë dhe konsensus njëkohësisht: balancë mes pushteteve dhe konsensus mes individëve, grupeve dhe shoqërisë. Ka edhe shumë elemente të tjera, mirëpo këtu i theksuam disa elemente që e përbëjnë kuintesencën e demokracisë.
Sikurse liria, edhe demokracia nuk është detyrim, por zgjedhje e individit dhe shoqërisë, gjithashtu. Askush nuk të detyron të jesh i lirë, sikurse askush nuk të detyron të jesh demokrat, mirëpo kur i zgjedh lirinë dhe demokracinë, atëherë futesh në rendin e tyre, i cili ka mekanizmat se si duhet të sillemi. Nuk mund të themi se ne duam të jemi të lirë dhe të bëjmë çfarë të duam. Jo, sepse ajo pastaj është gjithçka tjetër, veç liri jo. Po ashtu, nuk mund ta zgjedhësh demokracinë si sistem qeverisës dhe të sillesh si të duash dhe të bësh çfarë të duash (siç kemi bërë dhe bëjmë në shumicën e rasteve për këto njëzet vjet).
Pra, ajo që duhet theksuar është se demokracia sidomos është kompromis (sic!). Kompromis i individit me individin, kompromis i individit me shoqërinë dhe shtetin. Në fakt, fjala “kompromis” është veshur me aq elemente të këqija sa është bërë e vështirë ta përdorësh atë siç thoshte shkrimtari Amos Oz. Perceptimi i krijuar është se individi, lideri apo partia politike që bëjnë kompromise, mbrapa fshehin një mashtrim, një punë të dëmshme. Thonë se njeriu që bën kompromis, është frikacak, e bën për ndonjë ryshfet, e kur është i veshur me pushtet, e bën edhe për tu korruptuar apo për ndonjë tradhti eventuale. Partitë politike që bëjnë kompromise janë parti të dobëta, pa ideologji dhe pa moral, kështu perceptohen në publik. Në fakt ky nuk është kompromisi dhe kështu nuk duhet të shihet. Kompromisi duhet të shihet në dritën e atyre elementeve që i sollëm në fillim, sepse në bazë të atyre elementeve që e konstituojnë demokracinë, kompromisi perceptohet si diçka e domosdoshme. Pra, kompromisi nuk është oportunizëm, është model mendësie, është debat, është kritikë, është zgjidhje. Amos Oz thotë se ‘e kundërta e kompromisit është fanatizmi’.
Fanatikët në emër të moskompromisit, sepse ai i dobëson, i ligështon para idealit, marrin vendime të njëanshme, barrikadohen në të vërtetën e tyre të pagabueshme. Kur ky fanatizëm është i koncentruar nëpër parti politike, sikurse në partitë te ne (pothuajse pa përjashtim), atëherë, fiskulturat meskine politike i identifikojnë si kompromise dhe rrjedhimisht si të dëmshme. Mirëpo, e vërteta është se këtu në mes partive nuk ka debat, shqyrtim idesh, ballafaqim mendimesh, pra, nuk ka kompromise, por ka barrikadim, ka luftë speciale ndaj njëra-tjetrës, ka lojëra të ndyra për pushtet. E gjithë kjo sjellje prodhon dhe ka prodhuar tek ne një politikë të keqe me politikanë meskinë që para çdo gjëje vendosin pushtetin e tyre. Ka krijuar një shoqëri të polarizuar skajshmërisht, jo për ide, a për zgjidhje, por për afera personale politike. Gjithashtu, ka krijuar një shoqëri në vdekje klinike dhe një shtet në kolaps. Prandaj, duke qenë kështu, problemet politike, dallimet për rendin politik që do të duhej të zgjidheshin në Kuvend, përmes debatit, përmes kompromisit, ato zgjidhen përmes Gjykatës.
E kjo do të thotë se këto parti politike, të paafta për të gjetur vetë zgjidhje demokratike, sepse janë në thelb jodemokratike, prandaj e kanë dërguar demokracinë në gjykatë. Epo, gjykatat, e në këtë rast edhe Gjykata Kushtetuese, nuk janë për ruajtjen dhe avancimin e demokracisë. Atë e bëjnë shoqëria në përgjithësi dhe partitë politike në veçanti. Gjykatat nuk janë demokracia, ato janë mekanizmi që në kuadër të sistemit luajnë rolin e tyre specifik. Pra, kompromisi nuk është shtrirje e dorës së pajtimit. Jo, është shterrim i të gjitha mundësive me metoda demokratike për të arritë deri tek një zgjidhje. Partitë politike që janë jo demokratike, janë edhe të paafta për ta kuptuar dhe pranuar kompromisin si një mjet demokratik, prandaj edhe e kanë demonizuar deri në stërkeqje. Mirëpo, kompromisi është mjet demokratik që mëton të hapë rrugë, dhe po nuk u pa kështu, atëherë, siç thotë një proverb: “Nëse nuk ndërrojmë drejtim, ka të ngjarë të përfundojmë atje për ku jemi drejtuar”.
Policia del me reagim zyrtar për sulmin e kanalit të “Iber L...
Rohde: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, Gjermania e gatshme ...
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...