Nga: Fadil Lepaja
Politika ndërkombëtare, kur fliste për Ballkanin, pra edhe për ne, përmendte shpesh “peshqit e mëdhenj” të krimit. Por peshq nuk ka vetëm në hurdhën e krimit, por edhe në atë të politikës, edhe pse shpeshherë nuk dihet se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. Meqë ra fjala , në politikën shqiptare në Shqipëri, ende nuk dihet se cili është peshku më i madh. Në Kosovë, madhësitë perceptohen më qartë: ai tashmë është president.
Edhe pse anketat online, e nxjerrin që ai të ketë simpatinë dhe përkrahjen e vetëm rreth 22% sa duket se ka përkrahje edhe ish-partia e tij, ai megjithatë u instalua në krye të vendit, në fronin më të lartë, në akuarium. Luftë e madhe , tashmë po zhvillohet për ekzekutiv, dhe brenda partive më të mëdha. Por, e fillova keq. E fillova politikisht, edhe pse u nxita nga pamje krejt tjera, ato të natyrës. Të hedhim një sy nga natyra, pra!
Kështu, po e shihja plot mahnitje një ngjarje në njërin nga kanalet televizive të cilat japin vetëm emisione për natyrën. Do të thosha për natyrën e egër, por pas zhvillimeve në shoqërinë njerëzore, një autor i cili pretendon korrektësinë duhet të jetë shumë i kujdesshëm në kualifikimet. Pra, po shihja mijëra peshq të vegjël derisa po kërcenin, apo thënë në mënyrë artistike derisa po e vallëzonin valsin e fundit mbi ujë, dhe të cilët sa nuk po dilnin në breg nga vrulli i ikjes përpara një grupi të peshqve të mëdhenj të cilët po i ndiqnin, pa kurrfarë inati padyshim, veç me motivin për të siguruar kështu ushqimin e tyre të ditës. Bukën e përditshme që po u falte, Zoti.
Mbase edhe do të dilnin në tokë, por edhe pse me “tru peshku” ata e dinin se aty nuk mbijetojnë dot pa ujë. Prandaj edhe u hipën autobusëve dhe me mijëra e mijëra prej tyre përfunduan në Evropë. Ups, i ngatërrova rrëfimet!
Nejse, lexuesi im i mësuar tashmë me të folurën time “Shkup e Shkodër” si themi ne, nuk do e ketë të vështirë të dalloj kur po flas prej vërteti për natyrën, apo kur, peshkun po e (keq)përdori si metaforë për të rrëfyer më kapshëm për peshqit e mëdhenj të vendit tonë, të vogël, të varfër por plot madhështi, të cilët u rritën sikurse gjithkund tjetër, si në çdo moçal tjetër, duke i hëngër të vegjlit.
Natyrisht, ka dallim të madh në mes mënyrave se si hahet peshku, e një nga mënyrat më mizore është me e mbyllë në akuarium, dhe përtej xhamave me e bë të mundur të shihet bollëku, ndërkohë që këndej edhe vet e sheh se nuk ka alternativë tjetër, përpos se të fillojë të ndihet mirë në akuariumin privat të oligarkëve të rinj dhe të niset vet në tryezën dhe në pjatën e tyre.
Nuk po flasim për moral, përgjegjësi, për ligje të natyrës apo shoqërisë, por thjesht po rrëfej për dy botë paralele të cilat veprojnë me të njëjtat ligje, edhe pse do të duhej të ishte ndryshe mbase, qoftë edhe për shkak të trurit më të zhvilluar, të “shtazës politike”-it. Por, ka edhe dallime në mes të llojit.
Por, në këtë rrëfim, së paku deri këtu askush nuk ka ndonjë faj për të cilin do të duhej të jap llogari. Faj nuk ka as gruaja e cila, derisa po e vështroja I mahnitur këtë skenë dhe po meditoja njëkohësisht edhe për shoqërinë njerëzore, sidomos atë kosovare, po më pyeste nga dhoma tjetër, mbase për të dhjetën herë se çfarë planifikoja të bëjë me një karrige fëmijësh, për vetura, për të cilën për ndonjë arsye të njohur vetëm për të duhej të vendosej pikërisht tani.
Kështu ndodhë në jetë, dikush ngrihet për të venë rregull në shtëpi, me më të mirin qëllim, por ti nuk e pranon si një ndërhyrje të natyrshme. Natyrshmëria është argumenti më i konsumuar. Në fund të fundit, vënia e rregullit njerëzorë në natyrë, përfundimisht nuk është i natyrshëm dhe ka çrregulluar rrezikshëm ritmin e sajë. Me përpjekjen për të vënë rregull, njeriu po e rrezikon edhe llojin e vet.
Çfarë do të bësh me karrigen, më vërtitej në kokë kjo pyetje, krejt pa rëndësi, krahasuar me ngjarjen kur një peshk i madh, me vija sportive, thuajse vraponte çdo mëngjes shtigjeve të shënjuara për fitnes rreth liqenit, kërceu në hava me gojën plot peshq të larmë shumëngjyrësh, tmerrësisht të bukur përkundër pafuqisë së tyre, dhe po binte sërish në ujë përplot madhështi.
“Nuk e kam idenë, se çfarë do bëjë me atë karrige, e dashur” i them, duke bërë me kokë nga çuni që ka lëshuar shtat përtej moshës dhe vazhdojë të ndjek në mendjen time këto pamje magjepse të natyrës së egër, dhe t’i konvertoj ato në një metaforë sociale dhe politike, e cila pasqyron yryshin e klasës tonë të re sunduese e cila e ka shndërruar popullin në argat, ndërkaq numri i peshqve të mesëm është sjellë në minimum. E peshku më i madh, është bërë president.
Në kanalin tjetër, prapë “peshku i madh” po jepte lajmin e madh se më në fund, të fundit fare në rajon, mund të dalim nga akuariumi. Ky pas semaforit të parë, në Ferizaj, është padyshim një nga sukseset më të mëdha të pushtetit të pasluftës së tij. Janë edhe autostradat aty, por për to me gjasë do të llafoset ende.
Kështu pra, peshqit e mëdhenj i hanë të vegjlit. Pastaj, peshqit e mëdhenj i hanë edhe të mesmit. Pastaj e hanë njëri tjetrin dhe në fund fare, në akuarium e dallon qartë se cili është peshku më I madh, cili vjen pas tij, e kështu me radhë zëvendësit, ministrat, zëvendësministrat, drejtorët, ….!
Pra, peshku më i madh na doli të jetë presidenti. Ai i hëngër të gjithë tjerët. Madje i hëngri jo vetëm armiqtë, por edhe miqtë. Madje i hëngër edhe disa të mëdhenj me të cilët bashkë kishin ngrënë shumë peshq të vegjël. Por, neve kjo nuk na hyn në punë. Kryesorja, ai na lajmëroi se shumë shpejt do të mund të dalim nga akuariumi. U kry! Do të mund të shkojmë në Evropë, dhe se do të kemi mundësi zgjedhje, ndërkohë që me cinizëm pëshpëritë në vete se peshku i madh, gjithkund e han të voglin.
E çka hyn këtu karrigia për fëmijë, dhe çfarë ka të bëjë ajo me liberalizimin e vizave, do të pyesni ju, me të drejtë? Si dhe me çfarë arsye u fut kjo karrige fëmijësh, për veturë, në rrëfimin tonë? Ndoshta nga vet ideja e vënies së rregullit në shtëpi? Ndoshta vet përgatitjet për të shkuar në Evropë, ku ligjet janë prej vërteti?!
Duhet marrë një vendim gjithsesi, edhe për karrigen, sepse rrëfimi për liberalizimin po merr përmasa serioze. Nuk nisesh dot në rrugë pa respektuar rregullat e zotit të shtëpisë. E njeriu i cili, gjithnjë, në ngjarjet e mëdha, preferoi të marrë përsipër rolin e Marathonomakut, sa nuk po thyen këmbët me i marrë sërish meritat e të tjerëve.
Në karantinë, a nuk na vunë falë “meritave” të tyre? Nejse, tash përsëri po thotë: “U kry”!
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...