BE-ja, e cila vet nuk e ka idenë si t’i normalizojë raportet me Kosovën është në ballë të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Kur apo kurrë?
Duket që kjo pyetje, vetëm pak vite më parë krejtësisht e paimagjinueshme, tani ka vlerë të mirëfilltë politike kur shqyrtohen gjasat e qytetarëve të Kosovës që të fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në Zonën Schengen të Evropës.
Mbase kjo ‘kurrë’, është një ekzagjerim, edhe në këto rrethana thellësisht dëshpëruese për kosovarët, sepse megjithatë, tutje na mbanë shpresa që herët ose vonë (në realitet, gjithqysh do të jetë vonë), ne do ta marrim këtë lajmin qyshmoti të merituar (tash e tre vjet).
Megjithatë, ka të ngjarë, në variantin më të mirë të mundshëm, që vetëm dikur kah fundi i vitit të ardhshëm (2022), apo, pasiqë në Francë të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale, Komisioni Evropian do të na mundësojë që të bëhemi evropianë, si individ, si shtetas të Republikës së Kosovës, së paku në një aspekt, në një dimension, duke udhëtuar pa viza në Evropë.
Në rrethanat e tanishme, me gjasë, çfarë dhemb më së shumti është që nuk ka as pretendim (e lëre më diçka më shumë), në Bruksel a gjetiu, në kryeqendrat kryesore të Evropës, për preokupimin me temën e Liberalizimit të vizave për Kosovën. Është kjo një temë e lënë menjanë në BE, për ‘kohëra më të mira’, teksa e gjithë përvoja e hidhur (shumë e hidhur në fakt), e kosovarëve me çështjen e vizave, është një tjetër dëshmi për një fakt politik të vërtetuar shumë herë, sipas të cilit del që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur (në shkurtin e vitit 2008-të), ne asnjëherë nuk kemi arritur të krijojmë marrëdhënie normale me Bashkimin Evropian, temë kjo për të cilën fare pak flitet këtu ndër ne dhe në Bruksel, teksa vazhdimisht si preokupim kryesor kemi temën e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, në dialogun e Brukselit, të udhëhequr nag BE-ja, e cila vet (pra), nuk e ka idenë si t’i normalizojë raportet me Kosovën.
Bashkimi Evropian zatën, në rastin e Kosovës në përgjithësi, dhe në vazhdimësi (madje), ka ra në provim, që prej viteve të nëntëdhjeta e deri më sot.
Së pari, Kosova si çështje pa të cilën nuk mund të ketë paqe dhe stabilizim afatgjatë të kësaj ane të Ballkanit, nuk është trajtuar asnjëherë si duhet në Konferencat Paqësore Evropiane për ish-Jugosllavinë, të mbajtura në Hagë (1991), Londër (1992), Gjenevë (1992 e tutje).
Së dyti, pas Konferencës Paqësore në Dayton (1995), dhe Marrëveshjes që pasoi (e që u nënshkrua në Paris), BE-ja rivendosi marrëdhëniet me RFJ-në (Republikën Federale të Jugosllavisë, të përbërë prej Serbisë dhe Malit të Zi), thuajse problemi i Kosovës nuk ekziston fare. Për dallim prej BE-së, SHBA-ja, apo Administrata e Presidentit Clinton, pati kushtëzuar qartë Beogradin sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
1
Dihet çka pasoi më vonë.
Së treti, edhe pse BE-ja pati rol të dorës së parë në ndërmarrjen ndërkombëtare të zbardhjes së statusit të Kosovës, në Procesin e Vienës dhe më pas (në atë nismën e Trojkës së Emisarëve Specialë të SHBA-së, BE-së dhe Federatës së Rusisë), Brukseli nuk arriti të krijojë një qëndrim të përbashkët të 27 shteteve anëtare të BE-së, për njohjen e shtetit të Kosovës. Dihet që prej vitit 2008, janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës.
Edhe pse ky konstatim është bërë tashmë shumë herë, ia vlenë këtu të përsëritet sërish: Po të ishte BE-ja unike në adresimin e temës së pavarësisë së Kosovës, (e kjo mungesë e unitetit i ka bërë më shumë dëm ndërkombëtarë Kosovës se gjithçka tjetër), dialogu i Prishtinës dhe Beogradit, do të ishte tashmë temë e përfunduar, me një Marrëveshje të qartë e cila nuk do të mund dot ta shmangte çështjen e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Së katërti, BE-ja nuk arriti ta mbajë qëndrimin e vet karshi Kosovës (të cilën gjë e ka bërë me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor), edhe kur bëhet fjalë për Liberalizimin e vizave. Kanë qenë 95 kritere të cilat Brukseli ia ka parashtruar autoriteteve të Prishtinës. Kriteri i fundit është përmbushur tash e tre vjet (me 20 mars të vitit 2018), kur Kuvendi i Kosovës pati Rafikuar Marrëveshjen ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për shenjimin e kufirit. Parlamenti i Evropës, por edhe vet Komisioni i Evropës, kanë konfirmuar dhe kanë konstatuar që Kosova i ka kryer obligimet e veta për ta fituar të drejtën për të hyrë në atë ‘Listën e bardhë’ të shteteve të cilave nuk u duhen viza për të udhëtuar në Zonën e Schengenit. Megjithatë, në ndërkohë asgjë nuk ka ndodhur në këtë aspekt, apo, asnjëherë Kosova nuk ka qenë afër për ta siguruar një të drejtë të cilën e ka merituar, sipas kritereve të vet BE-së.
Ditëve të fundit madje, kjo temë sërish u aktualizua, por kësaj radhe sa për t’i shtuar shqetësimet dhe frustrimet e kosovarëve se ata mund të jenë edhe më larg (se sa që është menduar), në marrjen e Liberalizimit të vizave.
Ambasadori i Francës në Beograd, Jean Louis Falconi, javën e kaluar, konstatoi që Kosova (ende) nuk e meriton Liberalizimin e vizave, sepse së pari, nuk po përkushtohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe së dyti, sipas tij, janë disa kushte speciale për Liberalizimin e vizave të cilat nuk janë përmbushur nga Kosova.
Para se të gjithash, është paradoks në vete që një Ambasador që shërben në një shtet fqinj të Kosovës (në Serbi), dhe jo Ambasadori i Franës në Prishtinë, shfaqë këtë qëndrim të Parisit zyrtar për Kosovën.
Në anën tjetër, sipas këtij prononcimi, del që është zhvlerësuar ai qëndrimi i Komisionit Evropian për përmbushjen e të gjitha kritereve për Liberalizimin e vizave, dhe që ka kushte speciale të cilat Kosova nuk i ka përmbushur. Cilat janë këto kushte, tek duhet ta marrim vesh.
Edhe një herë pra, me këtë rast, po shihet që BE-ja nuk po arrinë t’i shmanget relacioneve problematike me Kosovën, të cilat në këtë rast, kanë autorësi të qartë të përgjegjësisë. Nuk ka dyshim fare që Kosova është ende larg anëtarësimit në BE, për shkak të ngecjeve të shumta politike dhe ekonomike në krijimin e cilësisë së kërkuar të oragnizimit të pushtetit dhe të shoqërisë kosovare. Ka edhe shumë për tu bërë këndejpari në këtë aspekt.
2
Por neve po na mungon, viteve të fundit, edhe ai inkurajimi i domosdoshëm nga ana e BE së, teksa procesi i bërjes së Kosovës shtet i denjë për tu bërë pjesë e familjes evropiane është proces në madë të madhe me ‘djegie të brendshme’ (si thuhet), për të ecur sa më shpejtë që është e mundur në rrugën e duhur.
BE-ja, thënë fare troç, është korritur me Kosovën kur flitet për Liberalizimin e vizave, dhe ka humbur vlerë të veten, në Bruksel, me mënyrën se si është sjellur me Kosovën. Trajtimi i këtij relacioni të Kosovës me BE, do të duhej gjithsesi të jetë një ndër prioritetet kryesore të Presidentit, të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës tash e tutje.
3
Forcat e sigurisë i shpërndajnë dhunshëm protestuesit në Tbi...
Ambasada e SHBA-së në Tiranë uron 80- vjetorin e Çlirimit: K...
Policia e Gjilanit apelon tek të gjithë ngasësit të përshtat...
Peci dënon sulmin në objektin e Komunës së Zveçanit, publiko...
Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbejnë akuza për shkelje të armëp...
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, Kusari: Prokuroria en...