Covid-19 në Kosovë: IKSHP ka dështuar, SHSKUK të jetë më profesionale dhe më transparente

19:06 | 2 Gusht 2020
Arbresh Info

Shkruan: Ilir Tolaj

Për disa ditë me radhë në Kosovë po shënohen mbi 200 raste të reja me Covid 19, ndërsa numri i të vdekurve për një milion banorë e vë Kosovën në krye të tabelës të të gjitha vendeve të botës. Numri i vërtetë i të infektuarve padyshim është shumë fish më i madh. IKSHKP ka dështuar plotësisht, e për dështimin e vet, po e akuzon popullin. Të mjerët. Faturën e këtij dështimi po e paguajmë me jetë njerëzish. Ashtu edhe hezitimin e qeverisë për të bërë ndryshime në këtë institucion të shëndetit publik.

Këto ditë, e lexova një lajm interesant. Në Itali, mjekët nga “heronjë” janë shndërruar në “të dyshuar”. Në atë vend, kanë filluar hetime në masë të gjërë se a kanë mundur istitucionet shëndetësore të parandalojnë numrin kaq të madh të të infektuarve dhe të të vdekurve. Askush, në situatë të kërcënimit serioz të shëndetit publik dhe individual nuk mund të shpallet imun për dështimin në përmbushjen e detyrës për të cilën është i thirrur.

E përkthyer në situatën tonë, një hetim i tillë do të duhej të fillojë kundër personit/personave udhëheqës të IKSHP. Masat e rrepta, të përcjella me mesazhe të rreme optimiste për mundjen e shpejtë të Covid 19, duke e konsideruar popullatën si një masë amorfe, pasuar nga masat tjera kundërthënëse e me efekte të dëmshme, s’mund të konsiderohet ndryshe pos si mospërmbushje e detyrave me pasoja fatale, vdekjen e shumë njerëzve që në kushte normale nuk do të kishin vdekur. Hetimi do të mundë të na jep përgjigje në shumë pyetje: pse kjo pandemi e gjeti IKSHP-në me vetëm një aparat PCR, pse Kosova nuk kishte një plan për veprim urgjent në kushte pandemie, pse ky institucion nuk e kishte stafin e përgatitur për një situatë të tillë krize, pse dështoi testimi i popullatës, pse nuk u lejua një testim i gjerë antigjenik edhe nga laboratoret private (duke përfshirë këtu edhe testet e shpejta antigjenike), pse nuk u siguruan testime për ata që donin për punë ose për qejf të dilnin jasht vendit (duke ua cenuar të drejtën elementare për jetë e punë), pse rezultatet e testimeve vonohen (duke lejuar që rasti i infektuar ta përhapë infeksionin edhe për disa ditë të tjera), pse u kopjuan masat e vendeve të tjera parashikim kritik, pse asgjë nuk u bë mjaftueshëm që populli të edukohet për rrezikun nga infeksioni dhe për parandalimin e tij, pse IKSHP në vazhdimësi manipuloi politikën për pandeminë? Dhe jo vetëm këto. Akuzat që drejtori i IKSHP po ja bënë popullit për dështimet e veta, është për një studim tjetër, mbase të natyrës psikologjike. E vetëm këto deklarata skandaloze të tij, në një botë normale, do të mjaftonin që të shkarkohej menjëherë. Dështimi i IKSHKP tashmë është evident dhe definitiv.

Në mënyrë që pyetje të kësaj natyre mos të bëhen edhe për mënyrën e trajtimit të rasteve më Covid 19 në institucionet tona shëndetësore, është e nevojshme që të bëhet një rivlerësim i ekipeve udhëheqëse të mjekimit dhe të protokoleve të mjekimit. Jo veç për faktin se me çka po mjekohen këta të sëmurë, por edhe se cilat kritere po merren parasysh për fillimin dhe kohë zgjatjen e trajtimit specifik dhe një mori faktorësh tjerë të cilët kanë ndikim në ecurinë dhe përfundimin e një infeksioni të rëndë me Covid 19. Në rend të parë, do të duhej që një ekip ekspertësh të pavarur, ta analizojnë dokumentacionin e këtyre 40 e sa të vdekurve për tre ditët e fundit. Veçanërisht, pasi që kudo në Europë, rritja e numrit të të infektuarve nuk po përcillet edhe me rritjen e rasteve të vdekjeve.
Udhëheqja e re e SHSKUK duhet të jetë më aktive dhe më e përpiktë në kryerjen e detyrave të veta.

Deri tash as një ndryshim nga udhëheqja paraprake nuk po shihet. Duhet pranuar se nëmjekimin e deritashëm të rasteve me Covid 19 ka patur veprime të pakordinuara e stihike, që kanë mundur të kenë ndikim në mënyrën e përfundimit të rasteve të rënda të hospitalizuara. Duhet dhënë përgjigje pse SHSKUK ka dëmtuar furnizimin e sigurt me oksigjen, e me këtë edhe ka rrezikuar jetën e pacientëve, duke bërë për zgjedhjen e furnizuesit që nuk është në gjendje të furnizojë sasinë e duhur të oksigjenit.

Duhet dhënë shpjegim se pse personeli shëndetësor ende nuk ka pajisje për mbrojtje personale në sasi të mjaftuar. Fjalën e kam për personelin e klinikave tjera që nuk janë drejtpërdrejtë të përfshirë me rastet Covid-19. Duhet dhënë informatë të qartë, periodike, se çka po ndodh me shërbimet tjera në klinikat e spitalet tona? Duhet ditur çka po ndodh me pacientët të cilët lëngojnë nga sëmundjet tjera e të cilët nuk po mund të trajtohen në klinikat e spitalet e SHSKUK-së. Kjo, në të njëjtën kohë është edhe një detyrë e pa përmbushur e IKSHP-së.

Prezenca e personave të njëjtë në të gjithë akomisionet e mundshme që nga ato për protokolet e trajtimit, e deri tek ato specialistike, që nga bordet këshill dhënëse e deri tek ai për strategji anti-covid, është e gabuar dhe anti-produktive. Sepse kapacitetet intelektuale e profesionale të secilit individ janë të kufizuara. Ndryshimi në udhëheqjen e SHSKUK duhet të arsyetohet me kualitetin e punës e shërbimeve, shpejtësinë e zgjidhjes së problemeve, transparencën e shtuar dhe krijimin e kushteve më të mira për mbrojtje e punë të mjekëve e personelit tjetër shëndetësor; e jo veç me protagonizëm individual ose partiak.

Unë jam shumë i vetëdijshëm për kufizimet që ka sistem i jonë shëndetësor, por këto nuk mund të jenë arsyetime për veprimet jo profesionale individuale e kolektive.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme