Covid 19 dhe loja e tri superfuqive në Ballkan

09:45 | 23 Qershor 2020
Arbresh.info

Shkruan: Abdi BALETA

Covid 19 është shpallur armiku më i rrezikshëm i përbashkët i gjithë njerëzimit. Por, në lojërat gjeopolitike nuk është vënë re kësaj here dukuria e krijimit të ndonjë “koalicioni botëror anti-Covid”, të kryesuar nga një ose disa aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë, sikurse ka ndodhur në rastin e përballimit të rrezikut fashist në Luftën e Dytë Botërore, ndërmjet dy kampeve ideologjike e sistemeve shoqërore të kundërta gjatë Luftës së Ftohtë, ose në rastet më të vonshme të pushtimit të Kuvajtit nga Iraku dhe të shpalljes së bujshme të luftës botërore kundër terrorizmit ndërkombëtar. Megjithatë, COVID-19 ka prodhuar njëfarë gjeopolitike të re në një kahje tjetër. Shërbeu për acarimin e ballafaqimeve midis SHBA-së e Kinës në Lindjen e Largët për ndërlikimin e marrëdhënieve midis fuqive të tjera të mëdha, për thellimin e krizave në shtetet më të zhvilluara dhe për zgjerimin e të çarave të koracës së fosilizuar të euro-atlantizmit dhe të themeleve europianizimit të BE-së.

Megjithatë, në zonën sismike gjeopolitike të Ballkanit COVID 19 nuk ka sjellë elementë të rinj. Këtu nuk është bërë ndonjë politikë e veçantë lokale në kuadër të luftës kundër koronavirusit. Kësaj here duket se nuk janë vërtetuar fjalët e famshme të Uinston Çërçillit se ballkanasit prodhojnë më shumë histori sesa janë në gjendje të konsumojnë. Por, mbeten gjithnjë aktuale fjalët e bashkëkombëses e bashkëkohëses së Çërçillit, zonjës Edit Durham, se në Ballkan vetëm një gjë nuk ndyshon – qielli i mbuluar nga retë e Fuqive të Mëdha. Hijen më të zymtë ky qiell vazhdon ta lëshojë mbi hapësirat shqiptare.

Këtë shkrim po e konceptoj si vazhdim të pjesës përmbyllëse të atij të botuar në numrin e kaluar të revistës “Shenja”, sepse lajmet që lexojmë dhe idetë që dëgjojmë vërtetojnë se ne shqiptarët kemi një dallim nga ballkanasit e tjerë: jemi gjithnjë e më shumë nën trysnitë gjeopolitike nga fqinjët dhe diplomacitë e mëdha, që edhe në kohë pandemie përpiqen t’i rregullojnë punët e tyre në dëm të të drejtave dhe të interesave tona.

Shtysë për rikthimin tek kjo temë u bënë disa mendime që kanë qarkulluar pikërisht këto ditë me burim nga Rusia. Në shtypin e Tiranës janë cituar mendimet e albanologes e historianes së shquar ruse, Nina Smirnova (1928-2001), se shqiptarët janë populli më i pafat, madje dhe kur ndonjëherë u mbin fati në derë, ky përsëri është i shoqëruar shpejt me ngatërresa.

Të shtunën në mbrëmje, më 23 maj 2020, kur po ndiqja debatin e zakonshëm politiko-diplomatik ruso-amerikan, të emërtuar “Balshaja igra” (Loja e madhe) në kanalin e parë të televizionit rus, më bëri përshtypje që monitoruesi, deputeti Vjaçesllav Nikonov, e nguci (në distancë) bashkëbiseduesin e të tij të zakonshëm Dimitri Sajms, nga Instituti i Interesit Kombëtar në Uashington, me fjalët: “Po të kthehemi pak tek një formulim marksist mbi kontradiktat, mund të themi se sot në shkallë ndërkombëtare kontradikta kryesore politike-diplomatike është bërë ajo midis SHBA-së e Kinës dhe deri pandemia e koronavirusit po përdoret për këtë”. Nikonovi ia kujtoi pjesëmarrësit amerikan se SHBA-ja doli si fuqia e vetme botërore “maje kodrës së zhvillimeve botërore” pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Por, tashmë ka ardhur koha që SHBA-ja të mendojë për të zbritur qetësisht pak më poshtë, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare sot kanë si bosht kryesor të rrotullimit trekëndëshin SHBA-Kinë-Rusi. Pra, u përmendën emrat e tre shteteve që janë edhe tre anëtarët më me peshë midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Këtu fillova të mendoja për “fatin e ngatërruar të shqiptarëve” (sipas perceptimit të Smirnovës) nga lëkundjet e tyre të veçanta në marrëdhëniet me këto tri superfuqi të sotme botërore. Nuk mund të mos provoja, në këtë rast, edhe një ndjesi të çuditshme personale, sepse para 4 dekadash, kur isha përfaqësues i Shqipërisë në OKB, më qëlloi mua detyra të shprehesha qortueshëm në të njëjtën kohë kundër kësaj tresheje “imperialiste e social-imperialiste”.

Me të tre këto shtete Shqipëria ka pasur e ka marrëdhënie shumë të çuditshme, që kanë përshkruar rrugë e trajektore nga miqësi në armiqësi të mëdha. Tani përsëri i bëjnë shqiptarët të mos ndjejnë asnjë siguri në pozitat ku kanë mbërritur dhe për ato ku mund të gjenden më vonë. Ballkani është kthyer në zonë interesi të veçantë brenda rivaliteteve gjeopolitike trekëndore amerikane, ruse e kineze. Shqiptarëve po u thuhet pa pushim nga brenda radhëve të tyre dhe diplomacive e propagandave liberale perëndimore se janë shumë të ekspozuar para rrezikut rus e kinez. Por, në të njëjtën kohë u kërkohet pa pushim që të tregohen dorëlëshuar në plotësimin e kërkesave që i kanë fqinjët e tyre, të cilët tashmë janë fuqimisht të mbështetur nga gjeopolitikat ruse e kineze. Shqiptarët po mbahen të gozhduar në pozitë të papërcaktuar dhe në dilemë të përhershme, të pazbërthyeshme, se çfarë do të ndodhë me ta nga përplasjet ose ujditë brenda trekëndëshit gjeopolitik të superfuqive në Ballkan.

Ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve pas themelimit të shtetit të tyre më 1912 ishin të hynin nën hijen e SHBA-ve. Kjo nuk ndodhi, sepse Europa e quante fyerje një gjë të tillë dhe SHBA-ja vlerësonte se nuk mund t’i sfidonte shumë qëndrimet europiane.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në rrëzimin e komunizmit politika dhe propaganda shqiptare e portretizuan SHBA-në si të keqen më të madhe në botë dhe nuk u vendosën as marrëdhënie diplomatike formale. Me Bashkimin Sovjetik (Rusinë) gjatë një periudhe të shkurtër (1948 deri 1960) u krijua një “miqësi e madhe” ideologjike dhe e panatyrshme në pikëpamje të tjera, por që përfundoi në një armiqësi edhe më të madhe, deri në prishjen e marrëdhënieve diplomatike për plot 30 vjet.

Miqësia më e madhe dhe më e paparashikuar u krijua midis Shqipërisë e Kinës nga fundi i viteve 1950-të deri në fundin e viteve 1970-të, kur politika dhe propaganda shqiptare edhe ndaj Kinës e përdori gjuhën armiqësore si ndaj SHBA-së e BS-së më herët. Kur edhe me Kinën miqësia e ngushtë u mbyll armiqësisht, më takoi mua që këtë ta pasqyroja në fjalimet shqiptare në OKB.

Tani të tre këto shtete përmenden si “perustia“ ku do të mbështetet për mjaft kohë kazani vlues i zhvillimeve botërore. Këto tri superfuqi janë tejet aktive dhe të interesuara edhe për zhvillimet në Ballkan, që do të jetë faktor përcaktues edhe për fatin e shqiptarëve. Tani Shqipëria nuk është vendi ballkanik që ka marrëdhënie të preferuar, ekskluzive, me ndonjërën superfuqi dhe marrëdhënie me secilën prej tyre do t’u nënshtrohen rregullave të egra të gjeopolitikës, që për shqiptarët do të jenë më të luhatshme se për vendet e tjera ballkanike, që kanë siguruar pozita më të mbrojtura në trekëndëshin ballkanik SHBA-Rusi-Kinë.

Është ende rrethanë inkurajuese që qysh nga fillimi i viteve 1990-të ne shqiptarët jemi përfshirë nga ndjenjat më të flakta të lumturisë për marrëdhëniet miqësore që u vendosën me SHBA-në dhe kemi provuar gjeste bujarie e mbështetjeje nga ky vend. Por, ja që tani po na fanitet se në qiellin e këtyre marrëdhënieve duken disa re të vogla, që na shtien të dridhura dhe na bëjnë t’i lexojmë me më shumë vëmendje e kujdes fjalët e Nina Smirnovës për popullin me më pak fat ose me fatin më të ngatërruar të shqiptarëve. Në debatin e së shtunës, më 23 maj 2020, Nikonovi pyeti edhe një specialist amerikan të virusologjisë nëse kishte ndonjë shpjegim për shkaqet se pse vendet e Europës Lindore, ndryshe nga ato të Perëndimit, kanë pasur pasoja më kufizuara nga pandemia e koronavirusit, duke përfshirë këtu edhe ish-Gjermaninë Lindore, ku sëmundjen e kanë kaluar më lehtë se gjermanët në pjesën perëndimore. Eksperti amerikan nuk bëri asnjë koment. Nënteksti i pyetjes ishte se kjo mund vinte si rrjedhojë e sistemit të dikurshëm mjekësor socialist. Por, më shumë ishte një kujtesë që Rusia nuk e braktis dot nostalgjinë për kohën kur ishte Bashkimi Sovjetik. Sipas të dhënave, në zonën ku pandemia ka kaluar pa pasoja shumë të rënda përfshihet edhe Ballkani.

Kështu në ligjërimin politik e diplomatik po shfaqen gjithnjë më shumë shenja se ngjarjet e sotme nuk dalin plotësisht nga sfondi historik. Në librin “Destined for War. Can America and China Escape Thucydide’s Trap”(2017) politologu amerikan Graham Allison ka shpjeguar e përpunuar një teori të “Historisë së aplikuar”. Ndër të tjera ai ka shkruar: “Historia e aplikuar është një disiplinë në zhvillim që përpiqet t’i ndriçojë ndërlikimet e sotme dhe rrugëdaljet prej tyre, duke i analizuar precedentët historikë dhe analogjitë. Historianët e rrymës kryesore e fillojnë nga një ndodhi ose një epokë për të dhënë një përllogaritje të asaj që ka ndodhur dhe të shkaqeve përse. Historianët e historisë së aplikuar e nisin nga një përzgjedhje e sotme të rrugëdaljes nga ndërlikimet dhe i analizojnë të dhënat historike që të hapin perspektivën, të nxisin imagjinatën për të gjetur prova se çka ka të ngjarë të ndodhë, të sugjerojnë ndërhyrje të mundshme dhe të vlerësojnë gjasat e rrjedhojat e mëtejshme (f.217, ribotimi 2019). Pra, del që “historia (ose historiografia) e aplikuar” të jetë sot një disiplinë më e vështirë dhe më e ndërlikuar se historia klasike, si dhe me ndikime ende të dyshimta mbi politikën.

Kjo lloj historiografie e aplikuar mund ta çorientojë shumë mendimin politik e diplomatik, sepse i rikthen në skenë disa qëndrime që janë quajtur postulat dhe e shton mundësinë për manovrime të gjithfarshme me modelet e zgjidhjeve të mëparshme. Këto ditë në mjetet e informimit masiv mund ta lexosh shkrimin e gazetarit të njohur amerikan, Sulsberger, i botuar në vitin 1945 në Australi, ku ndër të tjera shkruhej se për rregullimet e kufijve në Ballkan duhej menduar që Shkodra t’i jepej Malit të Zi, Kosova Shqipërisë, pa specifikuar deri ku, dhe Greqia të kënaqej me lëshime në Shqipërinë e Jugut. Sulsberger-i ka treguar interes edhe më vonë për çështjet shqiptare. Ai ka qenë në Shqipëri në vitin 1957 dhe i ka marrë intervistë kryeministrit Mehmet Shehu. Ka dashur dhe herë të tjera ta vizitonte Shqipërinë e të merrte intervista, por nuk është pranuar.

Në kohën kur ende luftohej në Bosnje, në vitet 1990-të, diplomati anglez Lordi Ouen, që bashkë me amerikanin Vens bëni planet e shumta për ndarjen e Bosnjës, i paralajmëronte shqiptarët se për çdo sukses në njohjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë duhej të përgatiteshin për lëshime territoriale në Shqipërinë e jugut në dobi të Greqisë.

Tani në Kosovë vazhdojnë debatet e ashpra nëse ka apo jo marrëveshje midis presidentëve të Serbisë e të Kosovës për ndarje territoriale. Sa më shumë përgënjeshtrohen këto zëra, aq më e besueshme bëhet se diçka është përgatitur. Për këtë mjaft domethënëse është deklarata e kohëve të fundit e ministrit të Jashtëm të BE-së, spanjollit Borel, se në çështjen e mosndryshimit të kufijve nuk duhet të tregohemi më katolikë se Papa. Kjo deklaratë, në fakt, qorton fort qëndrimin e Gjermanisë, që ndryshe nga SHBA-ja, është shprehur pa ekuivok kundër shkëmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë. Pra, në vend të historisë tashmë “të ngurtësuar”, që thuhet se u vendos për Ballkanin, pas marrëveshjeve të Dejtonit e Rambujesë, “Planit Ahtisari” etj., na del që “tabuja e kufijve të pandryshueshëm” po bie poshtë. Çfarë mund të thonë tani analistët shqiptarë, që tek kjo tabu kanë pas ngritur gjithë skemën e tyre të mohimit të bashkimin kombëtar të shqiptarëve?! Tani diplomacia ndërkombëtare, sipas perceptimeve të Grenellit e të Borelit, ka vënë vetëm një klauzolë të vogël për ndryshimin e kufijve, që për ndryshimin të bien vetë në ujdi palët e interesuara, që do të thotë se imponimet ndërkombëtare publikisht do të paraqiten si miratim i ujdive shqiptaro-serbe në rastin e Kosovës. Por, diplomacia ndërkombëtare nuk rekomandon asnjë shteg që të kapërcehet ndalimi që u është imponuar shqiptarëve të Kosovës të bashkohen me Shqipërinë. Edhe ambasadori rus në Beograd, Borsan Harçenko, që ishte njëri nga të tre diplomatët bashkë me amerikanin Uizner dhe gjermanin Ishinger, që drejtuan “procesin e bisedimeve shtesë” për Planin Ahtisari, ka zbatuar tani vonë rregullin e “historisë së aplikuar”, duke propozuar që Rusia të përfshihet sërish në procesin e bisedimeve Kosovë –Serbi, përkrah Amerikës. Me një fjalë, synohet që tërë procesi i rregullimeve Kosovë-Serbi të nisë nga e para, si në kohën kur në vend të Grenellit nga diplomacia amerikane vepronte Hollbruku si ndërmjetës midis politikanëve krahinorë të Kosovës e Millosheviqit. COVID-19 nuk pengoi që planet e vjetra të dalin mbi tryezat e punës të padezinfektuara.

Kështu, ligjërimi politik, histografik e juridik ndërkombëtar po bëhet një lëmsh edhe më i ngatërruar se në shekujt e mëparshëm. Ne shqiptarëve duhet të na tërheqë pa humbur kohë vëmendjen një paralelizëm fatkeq që vihet re në diplomacinë amerikane me diplomacinë osmane të gjysmës së dytë të shekullit XIX, kur çështja shqiptare sapo dilte në skenën diplomatike europiane. Amerikanët sot po dëshmojnë një neglizhencë të gabuar si osmanët atëherë ndaj çështjes shqiptare dhe forcimit të shtetit shqiptar (shteteve shqiptare). Devleti sulltanor, ndonëse interesi për të ardhmen ia donte që elementin shqiptar ta kishte aleatin kryesor në Ballkan dhe, për rrjedhojë, duhet ta mbështeste të forcohej, nuk dëshmoi as largpamësinë e duhur, as vendosmërinë e nevojshme që shqiptarët t’i bashkonte në një vilajet të vetëm, sikurse kërkoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por i mbajti ata të ndarë midis tyre, gjë që në vitin 1912 u bë pengesë e pakapërcyeshme për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar në të gjitha trojet etnike shqiptare. Edhe diplomacia amerikane në fund të shekullit XX e fillim të shekullit XXI nuk tregoi largpamësinë e vendosmërinë e nevojshme për ta bërë elementin shqiptar si aleatin kryesor të Amerikës në Ballkan, ndonëse një gjë e tillë ishte shpjeguar e kërkuar me këmbëngulje nga senatori amerikan Xhesi Helms në Kongresin Amerikan që në vitin 1983. Kur u pranua shpërbërja e ish-Jugosllavisë, diplomacitë perëndimore u sollën ndaj shqiptarëve si Porta e Lartë në shekullin XIX. Ato ndoqën kursin e mbajtjes së shqiptarëve të copëtuar e të ndarë në shumë shtete dhe, madje, në shtete të dobëta. Për këtë, e përkëdhelën pa kursim Maqedoninë, si shtet artificial, dhe këmbëngulën gjatë që Kosova të mbetej pjesë e një shteti me Serbinë, ndërsa Shqipëria u vu nën presionin e Greqisë. Ata shpenzuan 10 vite kohë të çmuar edhe pas çlirimit të Kosovës nga NATO për ta njohur pavarësinë e Kosovës e deri tani kanë inkurajuar Serbinë t’i vazhdojë lojërat për zhvleftësimin e tërë këtij procesi.

Për ta penguar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Serbia me Rusinë dhe aleatë të tjerë të tyre nuk lanë model pa përmendur, nga praktikat ndërkombëtare, si precedent që Kosovës t’i mohohej e drejta e shkëputjes. Por, asnjëri model nuk funksionoi. Ndërkaq ndarja e territorit të Kosovës ka funksionuar deri tani pa iu referuar ndonjë shembulli konkret në praktikën ndërkombëtare. Por, në fakt ndarja territoriale e pjesës veriore të Kosovës u bë qysh në ditën e parë të hyrjes së ushtrive të NATO-s në Kosovë, në verën e vitit 1999. Një ushtarak francez, që komandoi gjatë dy javëve forcat që hynë në Mitrovicë, është mburrur në një libër të tij të botuar në Beograd: “Unë e ndava Mitrovicën”. Qysh atëherë Mitrovica, faktikisht, ka mbetur e ndarë nga Kosova. Tani vetëm kërkohen mënyra që kjo gjendje faktike të sanksionohet politikisht e juridikisht, duke u shoqëruar dhe me dëme të tjera për Kosovën.

Edhe pse nuk është thënë kurrë shprehimisht, duket se për Kosovën e Veriut është mbajtur parasysh “si precedent” rasti i “Sudeteve gjermane” në Çekosllovaki në prag të Luftës së Dytë Botërore. Në Tiranë është botuar në vitin 2019 libri “Diplomat me pahir” (Zoraki Diplomat) i shkruar nga një ish-personalitet letrar, politike diplomatik i Turqisë, Jakup Kadri Karaosmanoglu. Është një libër i shkruar para disa dekadash, i këndshëm për t’u lexuar dhe shumë i vlefshëm për ta kuptuar demokracinë në prag të marshimeve pushtuese hitleriane në Europë. Jakup Kadriu e kishte nisur karrierën diplomatike në Tiranë, për pak kohë, për ta vazhduar në Pragë, në Holandë e Bernë. Ai e përshkruan me keqardhje pozitën në të cilën u gjend Çekosllvakia në kohën e krizës së Sudeteve, gjendjen që u krijua në Çekosllovaki në kohën e krizës së Sudeteve (1938), kur Kryeministri britanik, Çambërlen, duke u mburrur se po shpëtonte paqen në Europë, ia bëri këtë krahinë si “dhuratë qetësuese” Hitlerit. Jakup Kadriu i përshkruan me dhimbje dhe pozitat mjerane të presidentit plak e të drobitur të Çekosllovakisë, Eduard Benesh, që vuri firmat që i kërkonte Hitleri për pushtimin e Sudeteve e, më pas, të gjithë shtetit çekosllovak. Kështu ishin copëtuar edhe trojet shqiptare më 1912-’13, gjoja për të shmangur një luftë të përgjithshme. Do të heshtte diplomacia europiane dhe kur në prill të vitit 1939 Italia do ta pushtonte ushtarakisht Shqipërinë. Marrëveshja përfundimtare e detyrueshme juridikisht, që po u kërkohet me këmbëngulje arrogante shqiptarëve të Kosovës ta nënshkruajnë me Serbinë, duhet dyshuar si maskim i hedhjes së disa firmave shqiptare, si Beneshi dikur, për ta legalizuar një fakt të kryer me dhunë prej më shumë se dy dekadash. Më mirë të shprehim dyshimin tani e ky të mos dalë se të presim sa diplomacia e sotme sipas ‘historisë së aplikuar” të na tallë se nuk na shkoi mendja tek kjo gjë. Sidoqoftë, ata që u pajtuan me ndarjen faktike të Mitrovicës para 20 vitesh nuk duhet të jenë më në tryezë që të vënë ndonjë nënshkrim si i Beneshit për Sudetet. Por, interesi kombëtar e kërkon që askush të mos vërë firmën për këtë, as për zgjidhje fatkeqe si ato të teksteve të njëanëshme të Rambujesë në vitin 1999.

Rifillimi me ngut i bisedimeve shqiptaro-serbe nuk mund të justifikohet me asgjë dhe nuk do të çojë gjëkundi. Nuk janë krijuar kushte për bisedime normale e marrëveshje të vërteta. Bisedimet e papërgatitura mirë janë pa kuptim. Për bisedime të vërteta duhen kushte barazie të plotë. Kur mungon sinqeriteti e serioziteti nuk mund të ketë as bisedime të frytshme, as marrëveshje të zbatueshme, pavarësisht se këto formalisht mund të arrihen nën mbikëqyrjen e rreptë të SHBA-së, BE-së ose dhe të Rusisë bashkë me to.

Politologu i mirënjohur amerikan, Xhon Mershaimer, na kujton: “Fuqitë e Mëdha i respektojnë të drejtat vetëm kur është në interesin e tyre strategjik për ta bërë një gjë të tillë ose kur për të bërë këtë gjë kanë rrjedhoja të vogla strategjike. Ato bashkohen me autokratët, kur kjo u shkon për shtat dhe i rrëzojnë udhëheqësit e zgjedhur demokratë nëse i shohin si kërcënim” (libri “The Great Delusion. Liberal Dreams and International Relations” , 2018, f. 136). Mund të përmenden shumë zhvillimet në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni për të ilustruar këto përfundime. Xhon Mershamimeri, në serinë e librave të tij, e ka dhe një me vëllim më të vogël, të titulluar “Why Leaders Lie. The truth About Lying in International Relations” (2011). Është një libër që vëzhguesit e zhvillimeve politike e diplomatike ndërkombëtare nuk duhet ta lëshojnë nga dora. Po citoj disa rreshta: “Përfundimisht duhet thënë se në qoftë se gënjimi përhapet gjerësisht në një demokraci, ai mund ta çojë opinionin publik deri në atë pikë sa të humbë besimin në qeverisjen demokratike dhe është gati të parapëlqejë njëfarë forme të sundimit autoritar. Mbi të gjitha, është vështirë të dallosh se si një demokraci mund të mbetet vitale për një kohë të gjatë në qoftë se njerëzit nuk kanë respekt për udhëheqësit e tyre, ngaqë mendojnë se ata janë një tufë gënjeshtarësh, nëse njerëzit nuk kanë respekt as për institucionet e tyre, sepse mendojnë se ato janë thellësisht të korruptuara. Ta themi shkurt, kur gënjehet shumë, mund t’i shkaktohet dëm çdo organizmi politik” (f.85).

Janë vlerësime që përshkruajnë saktësisht gjendjen që është krijuar tani në Shqipëri, ku ka 30 vjet që sundojnë e livadhisin një tufë e stërmadhe gënjeshtarësh e mëkatarësh të gjithfarë kallëpi. Për të ndryshuar gjendjen shanset janë ende shumë të vakëta. Në Kosovë ekziston, fatmirësisht hëpërhë, një alternativë politike e organizuar, “Vetëvendosja”, që mban ende gjallë shpresat se gjendja e rëndë e krijuar në politikën e atjeshme mund të ndryshojë para se të ndodhin gjëma më të rënda e të krijohen situata të pakthyeshme. Por, drejtuesit politikë të Kosovës, që japin shpresa për gjithë shqiptarët, duhet të ruhen me kujdesin më të madh të mos konsumohen në politikanizma të pjesshme dhe, mbi të gjitha, të mos bien lehtë pre e mafias opinioniste të Tiranës, që ka në dipozicion shume ekrane televizive dhe mobilizon mjeshtra të paskrupullt diversioni gazetaresk për të zhvlerësuar në sytë e opinionit publik edhe politikanët premtues nga Kosova, siç ka katandisur shumë të aktivizuar në politikën shqiptare gjatë tri dekadave, që fillimisht bënin dhe gjëra të mira.

Në vitin 1997, në kulmin e trazirave të rënda në Shqipëri, i dërguari i Europës për të vendosur rregull e disiplinë në politikën shqiptare, nga dëshpërimi, lëshoi fjalët e rënda: “Këtu qenka e pamundur të dallosh djajtë nga engjëjt”. Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë ka sjellë si një postulat shekspirian fjalët: “Djajtë e kanë braktisur ferrin dhe kanë ardhur këtu të gjithë”. Në krye të punëve në Shqipëri janë po ata djaj, por më të djallëzuar, për të cilët fliste atëherë Vranicki. Fjalët e Ramës janë paralajmërim edhe më i keq, sepse ai praktikisht po thotë se për shqiptarët që nuk durojnë dot djajtë ka mbetur vetëm një vend bosh: Ferri. Kush të dojë, le të shkojë! Duket këtë e ka kuptuar mirë edhe ambasadorja e re e SHBA-së, që më në fund e prishi agjërimin e heshtjes anemike dhe ka lëshuar paralajmërimet se SHBA-ja nuk do të falë askënd, nuk do të falë në radhë të parë ata pushtetarë e politikanë që po bëjnë komplote pas shpine për të sabotuar reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore, që janë dy kërkesat themelore për të siguruar mbështetjen amerikane dhe europiane për integrimin e Shqipërisë në BE. Por, ky kërcënim, hëpërhë, tingëllon vetëm si një refren i vjetër.

____________________________________________________________________________________________________________

Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme