Lidhja Demokratike e Kosovës ka një histori të pashoqe në politikën kosovare, në këtë kapitullin e madh historik prej vitit 1989-të e tutje, apo, që prej krijimit të Lëvizjes politike për pavarësimin e Kosovës, e deri më sot.
LDK-së i ka ra roli që të jetë hiseniku më i madh në këtë historinë e re partiake dhe politike në Kosovë, mbi të gjitha, për shkak të zhvillimeve të njohura në vend, në vitet 1989 – 1999, kur Dr.Ibrahim Rugova ishte në ballë të Lëvizjes paqësore për bërjen e shtetit të Kosovës.
Dalja në skenë e UÇK-së, e cila ishte e pashmangshme dhe e domosdoshme, për shkaqe të njohura për të gjithë ne, lufta e cila ndodhi në Kosovë në vitet 1998, 1999, pastaj, edhe rrjedhat e ditura të pasluftës, me pasurimin e skenës politike të vendit pas krijimit të PDK-së dhe AAK-së, do ta zhbënin monopolin politik të LDK-së.
Kosova do të bëhej një Demokraci parlamentare e mirëfilltë, ku pushteti do të fitohej dhe do të humbej me zgjedhje në të cilat shprehej dhe shfaqej vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës.
Teksa LDK njëmend ka një histori e cila dyzohet apo bashkohet në mënyrë të natyrshme dhe të drejtpërdrejtë me historinë e krijimit të shtetit të Kosovës, tash e gjashtë palë zgjedhje parlamentare (në harkun kohor 2007-2021), prijësit e LDK-së kanë kuptuar që nuk mund dot të jetohet prej historisë, apo, prej ‘dividendave’ të saj dhe të figurës së madhe të Dr.Rugovës.
Nëse kjo pasuri e trashëguar e LDK-së mund të krahasohet me një llogari bankare, mund të thuhet që ajo, pas këtyre zgjedhjeve të fundit parlamentare të 14 shkurtit (të këtij viti), ka mbërri në nivelet që për namin dhe emrin e LDK-së, kërcënojnë edhe falimentimin e plotë, për ta lënë LDK-në pa ardhmëni të mirëfilltë politike.
LDK në dy palë zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e lirë (në vitet 2001 dhe 2004), e udhëhequr nga Dr.Rugova, pati siguruar 47 mandate parlamentare, ndërsa në zgjedhjet e fundit ka rënë në vetëm 15 deputetë.
LDK pas vdekjes së Presidentit Rugova (në janarin e vitit 2006), asnjëherë nuk ka fituar zgjedhjet parlamentare, katër herë ka dalë e dyta, dy herë e treta, teksa dy herë (në vitet 2014-2017, dhe në vitet 2020-2021), ka udhëhequr me Qeverinë e Kosovës, kur Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti kanë qenë Kryeministra të Republikës së Kosovës.
Çfarë ka ndodhur me LDK-në, me gjasë, më së miri është përshkruar nga shkrimtari i madh amerikan Ernest Hemingway, në romanin e tij ‘The Sun Also Rises’, ku një personazh i tij, në shpjegimin e tij se si i ka ndodhur bankrotimi, konstanton: ‘Gradualisht, pastaj papritmas…’.
Gradualiteti dhe befasia nuk shkojnë së bashku.
LDK ka pasur pra, që nga nëntori i vitit 2007 (humbja e parë e madhe zgjedhore, kur PDK e Hashim Thaçit i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare), shenja sa të duash që nuk i ka punët mirë, që nuk e kishte marrë vesh që më Presidenti Rugova nuk është këndejpari për ta fituar atë përballjen me partitë e tjera, që nuk kishte kuptuar që duhet të ri-organizohet si parti, gjithnjë duke e ruajtur atë identitetin e vet të krijuar qysh në vitet e para të ekzistencës së vet, që nuk e kishte hetuar atë domosdoshmërinë politike dhe biologjike të ndërrimit të brezave në udhëheqësinë e vet.
LDK pastaj, viteve të fundit, nuk e zuri fillin që betejën kryesore politike për votues dhe për pushtet e ka me Albin Kurtin dhe me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, e jo me PDK-në si rivalin kryesor politik për gati njëzet vjet të plota.
Realisht, LDK e humbi këtë betejë të madhe politike me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ pa luftë të mirëfilltë.
LDK-në mund ta gjejë fati i Partisë Demokristiane të Italisë, pa të cilën nuk mund dot të paramendohet historia e Italisë pas Luftës së Dytë Botërore, deri në përfundimin e Luftës së Ftohët, teksa tash e sa vite, nuk ekziston më.
LDK i përngjet, në anën tjetër, Partisë Republikane të Amerikës (të njohur edhe si GOP, apo ‘Grand Old Party’), me krizën e identitetit në të cilën gjendet tash e sa vjet, gjithsesi e kërcënuar (njëlloj si Republikanët në Amerikë), nga Popullizmi politik.
LDK megjithatë, mund edhe të mëkëmbet, ta zëmë, siç ka bërë Partia Konservative në Britaninë e Madhe, me Boris Johnsonin si lider, sipër një kauze të madhe politike të brendshme dhe ndërkombëtare, çfarë ka qenë Brexiti.
LDK, sidoqoftë, nuk mundet dot të jetë një parti që vegjeton në shkallën a nivelin ku ka ra sot, me 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në politikë zatën, kur bëhet fjalë për popullaritetin e një partie politike (i cili matet shpesh në zgjedhje, në rastin e LDK-së, kjo do të ndodhë qysh në muajin tetor të këtij viti, me zgjedhjet e rregullta lokale), nuk mund të ketë vendnumërim: Ajo parti, ose bie më poshtë, ose ngritet më lartë. Çfarëdo rënie e mëtejme e LDK-së, njëmend do ta shfaqë rrezikun e zhbërjes së kësaj partie, teksa votuesit e saj do të mund t’i bashkohen një partie të re politike të këtij orientimi, siç për shembull ka ndodhur në Itali kur votuesit demokristianë shkuan pas ‘Forza Italia’ të Silvio Berlusconit.
Kryetari i ri i LDK-së, i cili do të zgjedhet këtë të diele, me 14 mars (apo, rrafsh një muaj pas dështimit të madh zgjedhor), do të trashëgojë pra një histori të madhe të LDK-së, e cila vlen gjithnjë e më pak, sa i përket ndikimit tek votuesit/ qytetarët e Kosovës, dhe një ardhmëni shumë të paqartë dhe të pasigurt politike, e cila do të thellohet (si kërcënim), gjithnjë e më tepër, nëse nuk do të iniciohet ndërmarrja e këndelljes së kësaj partie.
Mëkëmbja e LDK-së dhe fuqizimi eventual i PDK-së, do të mund t’i shërbenin edhe ri-vendosjes së një baraspeshe të ‘pushteteve partiake politike’ në vend, e cila u rrënua keq me 14 shkurt, me fitoren brutale të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ të Albin Kurtit.
Ri-krijimi i kësaj baraspeshe politike është interes jetik për shtetin e Kosovës, për zhvillimin e demokracisë parlamentare në Kosovë, dhe për fuqizimin ndërkombëtar të këtij shteti.
‘A e di ku ke ardh?’, Atilla i kundërpërgjigjet Xhenetës
Çitaku në 4-vjetorin e arrestimit të Thaçit e Veselit: Diell...
Pse votohet të martën në zgjedhjet amerikane?
Zëvendëskryeministri i Luksemburgut i sjell Kurtit napolitan...
U tha se ka dhënë dorëheqja pas paraqitjes në SPAK, kryebash...
Ish-drejtori i Arsimit në Drenas i akuzuar për korrupsion th...