Cila ka qenë baza kushtetuese dhe politike për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë?

19:50 | 17 Prill 2020
arbresh.info

Nuk ka pasur dhe nuk ka në praktikën parlamentare të Kosovës Standard të dyfishtë për mekanizmat e përdorur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Shkruan: Blerim Shala

Në Kosovë, në harkun kohor prej vitit 2010 deri në vitin 2019, janë mbajtur katër palë zgjedhje parlamentare, dhe të gjitha kanë qenë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Asnjëherë një Qeveri e Republikës së Kosovës, nuk ka arritë ta kryejë mandatin e rregullt kushtetues prej katër vitesh, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ditëve dhe javëve të fundit, që prej se me Mocionin e tretë të suksesshëm në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë (asnjëherë nuk ka pasur Mocion të pasuksesshëm), iu votua mosbesimi Qeverisë së pestë të Republikës së Kosovës të prirë nga Kryeministri Albin Kurti, ka plasur debati politik dhe publik që ndërlidhet me praktikat e deritashme të cilat kanë përcjellë këto Mocione.

Për t’i hapur udhë kushtetuese organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, në katër palë zgjedhje të parakohshme, apo, në vitet 2010, 2014, 2017 dhe 2019, janë aplikuar dy mekanizma kushtetues, të cilët ia kanë imponuar Presidentit të Republikës së Kosovës shpalljen e këtyre zgjedhjeve.

Megjithatë, e përbashkëta për këto katër raste dhe për dy mekanizmat e aplikuar kushtetues, siç dihet botërisht dhe publikisht, është që gjithmonë ka pasur vullnet thuaja konsensual partiak dhe parlamentar që të mos aplikohet ai mekanizmi kushtetues për krijimin e një Qeverie të re të Kosovës, por për gjetjen e zgjidhjes për një krizë parlamentare përmes organizimit të zgjedhjeve të reja.

Ta zëmë, në rastin e parë kur ka pasur Mocion të mosbesimit për Qeverinë e Kryeministrit Thaçi, në nëntor të vitit 2010-të, vullneti i të gjitha partive parlamentare të Kosovës ka qenë që të organizohen zgjedhjet e reja parlamentare. Asnjë parti nuk u pati shprehur kundër mbajtjes së tyre, ndërsa vet partia fituese e zgjedhjeve paraprake (të nëntorit të vitit 2007-të), PDK e Kryeministrit Thaçi, e cila pati mbetur pa partnerin kryesor të koalicionit, LDK-në e Fatmir Sejdiut (sepse Ministrat e LDK-së e patën braktisur Qeverinë e Kosovës në muajin tetor), nuk pati vullnet që të provojë ta bëjë Qeverinë e re me partner të tjerë.

Kjo Qeveri ka zgjatur tërësisht 34 muaj, kur dihet që ishte krijuar në janarin e vitit 2008.

Rasti i dytë kur sërish një Mocion i mosbesimit ka dërguar Kosovën në zgjedhje të reja, sërish është ndërlidhur me koalicionin e madh në mes të PDK-së dhe LDK-së, të krijuar në dhjetorin e vitit 2014, dhe të prishur në majin e vitit 2017, pas 26 muaj të funksionimit.

Edhe në këtë rast, askush në skenën politike kosovare nuk pati shprehur disponimin për ta provuar krijimin e Qeverisë së re, dhe sërish, njësoj pra si në vitin 2010, ishte PDK-ja, si parti e para që do të duhej ta merrte mandatin për ta bërë këtë përpjekje. Ndërsa në PDK, dhe në të gjitha partitë politike, në bazë të prononcimit të liderëve të gjitha partive politike, nuk pati vullnet për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës. Sërish pati dakordim për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, në qershorin e vitit 2017.

Në dy rastet e tjera kur janë imponuar zgjedhjet e reja parlamentare, në qershorin e vitit 2014 dhe në tetorin e vitit 2019, ishte zbatuar një mekanizëm tjetër i zhbërjes së Kuvendit të Kosovës, ai i vetë-shpërbërjes së tij, për të cilën gjë duhet përkrahja e së paku dy të tretave të Kuvendit, apo, të 80 deputetëve të tij.

Megjithatë, në te dy rastet, ka ekzistuar një pajtim i shprehur që më parë, i thuaja të gjitha subjekteve politike, që të jetësohet ky mekanizëm kushtetues.

Kuvendi i Kosovës kështu i dha vet fund mandatit të tij, në muajin maj të vitit 2014, pasiqë ishte arritur një Marrëveshje parimore në mes të Kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçit, dhe Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës (në muajin shkurt të atij viti), që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e reja.

Në këtë mënyrë u përmbyll Qeveria e dytë e Kryeministrit Thaçi, që pati zgjatur 40 muaj, gjë që është Qeveria më jetëgjatë në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës.

Edhe zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, u bënë të mundur pas aktit të vullnetshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shpërbërjen e tij, të bërë në gusht të vitit 2019.

Këtij zhvillimi nuk ka mundur t’i paraprijë një Mocion i Mosbesimit të Qeverisë së Kosovës, sepse për herë të parë në këtë historikun e demokracisë parlamentare në Kosovës, kemi qenë dëshmitarë të një dorëheqje të Kryeministrit, të Ramush Haradinaj.

Megjithatë, as kësaj here nuk u shfrytëzua mekanizmi ekzistues kushtetues që parasheh dhe definon qartasi mundësinë e krijimit të një Qeverie të re.

Kadri Veseli, lideri i Koalicionit PAN, dhe Kryetari i PDK-së, refuzoi mundësinë e ofruar nga Presidenti i Kosovës që si lider i koalicionit që ka fituar shumicën në Kuvendin e Kosovës, ta nisë ndërmarrjen e krijimit të Qeverisë së re. Veseli dhe PDK u shprehën në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Edhe kësaj here, partitë e dytë dhe të tretë parlamentare, ‘Vetëvendosje’ e Albin Kurtit dhe LDK e Isa Mustafës, edhe pse kishin kapacitet të mjaftueshëm për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës në atë mandatin e dytë kushtetues (këto dy subjekte kishin së bashku 45 deputetë shqiptarë, dhe me 20 deputetët e komuniteteve pakicë, do ta bënin shumicën parlamentare), refuzuan një mundësi të tillë, duke insistuar në shtegdaljen nga kriza parlamentare nëpërmjet të mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Qeveria e Kryeministrit Haradinaj zgjati 23 muaj, dhe deri tash, ka qenë Qeveria më e shkurtër në Republikën e Kosovës.

Ky rishikim i shkurtër i historisë së parlamentarizmit në Republikën e Kosovës, nuk len vend për kurrfarë dyshimi: Zgjedhjet e reja parlamentare, në të katër rastet kur kemi pasur votime të parakohshme për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, kanë reflektuar kornizën legale për shpalljen dhe mbajtjen e tyre (Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme), dhe vullnetin a pastër politik të partive parlamentare.

Nuk ka pasur dhe nuk ka në praktikën parlamentare të Kosovës Standard të dyfishtë për mekanizmat që janë përdorur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë.

Një situatë e tillë nuk ekziston tani, në prillin e këtij viti, tri javë pas Mocionit të suksesshëm mosbesimit (me 25 mars), jo vetëm për shkak të situatës së rëndë shëndetësore në vend, (përballja me Covid-19), që objektivisht pamundëson organizimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme, por mbi të gjitha, në vijim të një vullneti të shprehur politik të gjitha subjekteve politike parlamentare, në përjashtim të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, që kundërshton mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe preferon angazhimin në një ndërmarrje për krijimin e Qeverisë së re.

Duket që situata në aspektin kushtetues dhe politik është e qartë, apo, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të duhej të provonte ta bëjë Qeverinë e re të shumicës parlamentare, dhe në rast të dështimit të kësaj përpjekjeje, Presidenti i Kosovës, në referim të Kushtetutës së Kosovës dhe të Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, do të duhej ta shfrytëzonte mandatin e tij për t’ia dhënë një subjekti tjetër të drejtën e formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme