Albin Kurti ka vendosur të vërë kravatë. Ai ka hequr dorë nga jakat e bardha alla Aleksis Tsipras, që ishin kthyer në identifikuese të imazhit të tij. Por kjo dorëheqje nga veshja jo formale, nuk është ndryshimi i tij i vetëm. Albini, i nominuar nga lëvizja Vetëvendosja, si kandidat për kryeministër i Kosovës, po luan gjithçka për të fituar garën e kësaj të diele të 11 qershorit. Ai po bën të gjitha përpjekjet për t’u dukur një politikan normal. Për të hequr frikën e atyre që i tuten një Robespieri në krye të qeverisë.
Në rrugët e Prishtinës ai mundohet që kalimtarët ta shohin si një njeri të zakonshëm duke shtuar paraqitjet në shoqërinë e bashkëshortes norvegjeze dhe vajzës së tij të vogël.
Në studiot televizive gazetarëve u lutet t’i mënjanojnë “temat e rënda” si krijimi i ushtrisë se Kosovës, kritikat për Serbinë, zajdenicën dhe demarkacionin, pra të gjitha ato që mund të krijojnë frikë.
Kur debaton, i përmbahet premtimeve të përhershme se krimet e pushtetarëve aktualë do të dënohen, por menjëherë nxiton të thotë se “qëllimi ynë nuk është të hakmerremi”.
Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, ai duket se ka lënë mënjanë retorikën e bashkimit kombëtar. Ajo nuk gjendet në asnjë nga të “40 prioritetet e republikës” që përbëjnë themelet e qeverisjes së mundshme të Vetëvendosjes. “Ne kemi formulime të reja, por jo qëndrime të reja” mundohet të shpjegojë Kurti, kur i referohet asaj që shumëkush e ka quajtur si një hap pas. Ai tani këmbëngul se të gjitha etapat drejt bashkimit kombëtar do të bashkërendohen me një qeveri servile ndaj perëndimorëve si ajo e Tiranës.
Duket qartë se ka një paln të marketuar mirë të dediabolizimit të Vetëvendosjes. Në këtë fushatë, lideri i saj më shumë sesa të kujtohet për përleshjet me policinë, prangosjet e shpeshta, bombat me gaz lotësjellës në sallën e kuvendit, po përpiqet të flasë për qumështin që fëmijët duhet të marrin falas në shkolla, për banesat e të pastrehëve, për pagën minimale, për zbutjen e pabarazive përmes taksimit progresiv, për tregun xhungël të komanduar për korporatat.
Kush do që mund të lexojë këtë ekspoze të shkurtër me të drejtë mund të ngrejë pyetjen: A është transformuar radikalisht Albin Kurti? A është infektuar edhe ai nga virusi i përgjithshëm i politikanëve tanë që në fushatë hiqen ndryshe nga ç’janë? A është edhe ai një nga ata që besojnë, se në zanatin që ka, imazhi që të jep gënjeshtra është shumë e shumë më fitimprurës sesa rruga e vështirë e së vërtetës?
Me këto dilemma i kam ndjekur edhe unë, nga larg, paraqitjet e tij të fundit në publik dhe intervistat zgjedhore në Klan Kosova dhe në TV Koha.
Dua ta them që në fillim se pashë, pa as më të voglën mëdyshje, të njëjtin Albin. Të njëjtin profil politikani me po ato bindje të pa lëkundura, me po atë fjlalor të zgjedhur, me po atë vendosmëri për drejtësi sociale dhe me po atë pathos për të qënë i pa kompromis në qendrimet e veta.
Duke e dëgjuar përballë ngacmimeve të gazetarëve nuk ishte e vështirë të bindeshe se ndryshimi i look-ut, zbutja e imazhit, vënia në plan të parë e disa prioriteteve që kërkon të theksojë më shumë sesa ato të zakonshmet që janë të stërnjohura nga publiku, nuk ka ndryshuar asgjë nga thelbi i politikanit me të cilin jemi familjarizuar prej kohësh,
Prandaj, sot më shumë se kurrë, jam i bindur se po të isha një shqiptar i anës tjetër të kufirit do të votoja pa mëdyshje për Albin Kurtin.
Dhe për këtë do të kisha shumë më tepër sesa një arsye.
Pasi duke votuar për Albin Kurtin do të zgjidhja politikanin më lexuar dhe më të formuar që kam parë në këto anë.
Pasi duke votuar për Albin Kurtin do të zgjidhja të vetmin aktor në garë që nuk është përgjegjës për qeverisjet e dështuara të mëparshme.
Pasi duke votuar për Albin Kurtin do të zgjidhja të vetmin lojtar në fushë, që sendërzon edhe heroizmin e përballjes së dikurshme me Serbinë edhe që nuk i ka duart të përlyera me krimet e asaj periudhe.
Pasi duke votuar për Albin Kurtin do të zgjidhja politikanin që nuk trembet t’i afishojë bindjet e tij të majta, në një vend ku edhe idhtarët e Enver Hoxhës kanë aderuar në gjirin e partive popullore europiane.
Por, edhe si shqiptar i Shqipërisë do të kisha dashur të votoja për Albin Kurtin. Sepse një votë pro tij është një shembull se si mund të shemben partitë e vjetra të kastës, se si mund të ngrihet një forcë e re përmes besimit dhe bindjes, se si mund të ketë sukses një lëvizje politike e pa financuar nga oligarkët dhe që nuk shërben si strehë e tyre.
Për të gjitha këto, një votë pro kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, nuk është e rëndësishme vetëm për teritorin e Kosovës. Ajo është një shembull për të gjithë hapsirën politike shqiptare. Ajo është harta e rrugës për të luftuar inercinë dhe zgjedhjet që mund të bëjnë rrotacion, por nuk sjellin ndryshim.
Prandaj të dielën e 11 qershorit do të kisha dashur, qoftë edhe një ditë të vetme, të isha shqiptar i Kosovës, për të votuar për Albinin, jo me frikën se ai ka ndryshuar, por me shpresën se përmes tij mund të ndryshojmë të gjithë ne.(Lapsi.al)
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...