Nga: Fadil Lepaja
Në një nga ditët tona të zymta, pra të zakonshme, na thonë se duhet të jemi të lumtur, sepse “Ai” po e realizon ëndrrën e vet, të Hirushes, po e merr kurorën, ndërkohë që opozita në formën e njerkës me dy vajzat e saj, po plas. E bëri tym dhe po ngulfatet në tymin e vet. Populli i ftuar me tupan me gjasë do të mungojë nga dasma e hirtë. Kjo është një gjendje që kërkon meditim të thellë.
E, shprehja “do të bëhet mirë” është “mantra” jonë për të hyrë në gjendje meditimi. Mos t’ju hutojë se janë disa fjalë. Është kod, më i komplikuar, i përshtatur për gjendjen tonë. Veç kështu mund të mbijetohet dhe të ruhet shëndeti mental i publikut. Parajsa nuk është pikturuar me ngjyrat e premtuara. Perënditë lokale po e hanë njëra-tjetrën, të gjallë, e populli po sheh televizor. Ose e klikon ngjarjen që zhvillohet jashtë jetës së tij. Edhe kur e ftojnë në ngjarje, populli e di se nuk e ftojnë për mirë. Është vetëm statist, në reklamat politike që xhirohen për të promovuar ndërrime që duhet të miratohen në Olimp. Aq i bën se cilin do ta shohë duke bërë qejf në ekran. Jeta e tij është para ekranit. Serial.
Pra, populli nuk përkrah ndryshime që nuk ndikojnë në përditshmërinë e tij. Është veç publik në arenë. Krejt bëhet për ta mbajtur si shikues. Se fati i të gjithëve varet nga gishti i (A)tij. Populli jeton vetëm se ai e mban ende gishtin përpjetë. Kështu thonë.
Ajo që u kuptua tashmë është se asnjë program politik, që nuk mund të përmblidhet në një barsoletë, nuk mundet të marrë vëmendjen e banorëve të parajsës tonë. Dikur barsoleta përdorej, sepse diktatorët nuk jepnin kohë për rrëfime të gjata, ndërsa tash nga mungesa e vëmendjes publike. Kamerat ikin tutje. Pastaj, barsoleta e ka një të mirë edhe kur është e keqe. Ti përgatitesh për të (buzë)qeshur sapo të thonë: E ke dëgjuar atë barsoletën….? Pra, e keni dëgjuar atë barsoletën, kur një hoxhë dhe një hajn….! Apo ishte një hoxhë dhe një politikan?
Jo, kjo barsoletë është e çoroditur. Nuk do ta tregoj fare. Ju qeshni lirisht, sepse një e qeshur, qoftë edhe kot, nuk të bën dëm, ndërkohë që një barsoletë joadekuate për parajsën dhe ferrin tonë, mundet të rrisë edhe më tepër vorbullën e hutimit që na ka përfshirë. Pastaj, ditët në parajsën tonë të vërtetë janë të njëjta, pa adrenalinë. E shikojmë jetën në ekran tek rrjedh si serial, dhe ditët na ngjajnë të hirta si ditët e burgut “Z”. Nuancat e të hirtës e bëjnë parajsën tonë një bukuri të hirtë. Thua nuk perëndon kurrë dielli i hirtë, prej llamarine, i varur në qiellin e shpresave, dhe kur megjithatë perëndon, ti me automatizëm e shlyen nga memoria, si një ditë kopje e së djeshmes. Çdo ngjarje e sotme sado duket dramatike e di se të ka ndodhur edhe më parë, veçse dhjetëra episode më herët. Ose më vonë. Ditë “copy paste”. I jeton ditët pastaj i bën “delete”. Ditët shndërrohen në numra dhe në tablo dixhitale që lidhen me njëra-tjetrën në nuancat e së hirtës.
Edhe kur fillon dita e re asgjë nuk ka filluar në fakt. Asgjë e re. Si në burgun “Z”, që po e marrim si metaforë të lirisë. Çdo ditë fillon me mediat e sundimtarit, që përhapin optimizëm të blerë lirë në tregun e lodrave për popujt në nevojë. Një ditë do të mund të ikni lirshëm nga parajsa, – thonë ata – vetëm se këto ditë pritet të vijë vlerësuesi kontinental dhe…liberalizimi është i sigurt. Kjo është ëndrra e të gjithë të burgosurve: të ikin. Kjo është ëndrra e re e lirisë: mundësia për të ikur. Kështu, edhe në burgun tonë metaforik, me emrin “Z” çdo ditë e lume fillonte me këngën e këngëtares së famshme, për të pasmet e saj dhe zërin lozonjar. Për të kënduar ajo nuk dinte, po kujt i bënte. Ajo veç po mundohej, përmes altoparlantëve në çdo qoshe, për të na argëtuar. Nuk bënte asgjë më shumë se politika. Për dallim nga parajsa jonë, ku nuk këndohet, por veç “dridhen”, në burgun “Z”, dita fillonte çdoherë me këngën e vyer. Fillonte me “do të bëhet më mirë”! Vazhdonte me “do të bëhet më mirë” dhe ashtu edhe përfundonte. E kjo përsëritej e përsëritej si në një fushatë paraelektorale.
Por, ju të dashur miq, mos lejoni t’ju ngatërrohet me vendin tonë kjo metafora e burgut. Ka dallime. Ne jemi në karantinë e jo në burg. Kënga është ajo që imponon shpresën. E shpresa, të dashur miq, është obligim zyrtar që populli ka ndaj përfaqësuesve të tij, të cilët obligohet për t’i rizgjedhur çdo katër vjet. Pra, karantina është ajo gjendje kur në burg bie, për shembull, tifoja dhe ata të prekurit izolohen. Nga karantina mund të dalësh vetëm me kontroll nga mjeku. Me vizë.
Populli, për dallim nga burgu “Z”, nuk po zgjohet nga gjumi me sevda. Me këngë po, por pa sevda. As në punë nuk po shkon me gëzim. Lëre fare anash që nuk ka atmosferë, por as punë nuk ka. Kënga e soc-realizmit të kujton një kohë kur të gjithë punonin, nejse, kur të gjithë bëheshin sikur punonin, dhe shteti bëhej sikur i paguante, por njerëzit e shanin tinëz mbretin dhe hanin tinëz bukën me sheqerin nga rezervat e përbashkëta. Kishte më shumë shije, – thonë. Fakti që të kujtohen si ditë të mira shpreh krejt dramatikën e qytetarit tonë. A mund të ketë nostalgji për diktaturën, për robërinë?
E dini se të parat që shprishen, shformohen në burg janë ëndrrat? Nuk janë ëndrra, janë objektiv: Të dalësh, të ikësh prej aty. A nuk mund të quhet sukses një vizion që kulmin e premtimit të vet e ka: shpejt do të mund të ikni nga këtu? “Do të bëhet mirë, o popull! Nga parajsa nuk mund të ikim, o njerëz! Ç’do të bënin perënditë lokalë, pa ne. Do të bëhet mirë”. Veç përsëriteni në vete shumë e shumë, pafundësisht herë, derisa të bëhet njësoj…!
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë