Google ADS

Brex-i, Trumpi, Erdogani dhe perceptimi për favorizimin e Rusisë

15:53 | 2 Gusht 2016
Arbresh.info

Nga: Ibrahim Gashi

Në një hark kohor të shkurtër, në mesin e vitit 2016, në politikën e disa shteteve më të fuqishme të globit po ndodhin zhvillime dhe turbulenca jo krejt të papritura, por tejet dramatike, të cilat ngrehin shumë të panjohura dhe krijojnë përshtypjen se po vihet seriozisht në pikëpyetje ekuilibri aktual i rendit botëror.

1 .Verdikti i qytetarëve britanikë dy muaj më parë, për të dalë njëanshëm nga BE-ja, ishte tronditja e parë e madhe që mori baraspesha e fuqisë evropiane. Për një moment, edhe një minutë pas publikimit të rezultateve të referendumit, edhe as tani disa javë më pas, askush nuk ka një shpjegim racional për arsyet përse ndodhi dhe konsekuencat që do të prodhojë Brex-iti. Lidershipi në Londër, sikundër edhe ai në Bruksel, duken ende të shokuar dhe pa asnjë strategji që do t’ia jepte zgjidhjen më të mirë kësaj situate. Madje, ka mospërputhje të madhe të mendimeve nga shtetet anëtare se cila duhet të jetë dinamika e procesit të daljes së Britanisë.

Nëse vetëm shkarazi i bëjmë një vështrim së kaluarës politike të kontinentit dhe baraspeshës së krijuar, veçmas pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e parë gjë shqetësuese që tashmë qartë dallohet si rrjedhojë që do të prodhojë Brex-iti është dobësimi i politikës frenuese të BE-së karshi politikës së jashtme mjaft agresive të presidentit Putin në drejtim të Perëndimit. Para se të votohej, kundërshtarët e daljes nga BE-ja fuqishëm e theksonin si paralajmërim se “Putini do të jetë një nga liderët e mëdhenj botërorë që do t’i gëzohej më së shumti Brex-itit”.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, ka shkruar në “Twitter” se vota britanike për largimin nga BE-ja është “një fitore gjigante për objektivat e politikës së jashtme të Putinit”. Ka shumë të ngjarë që Brex-iti dhe zhvillimet që do ta pasojnë po ia forcojnë shpresën Kremlinit për suksesin e mundshëm në krijimin e një blloku të ri të njohur si Bashkimi Euroaziatik, si një alternativë për BE-në. Kazakistani, Kirgistani, Bjellorusia dhe Armenia janë bashkuar me bllokun. Përfshirja edhe e Ukrainës në këtë projekt ishte çelësi për vizionin e Putinit, por befasia kur revolucioni Maidan rrëzoi presidentin pro-rus Viktor Janukoviç në shkurt 2014, e ndërpreu, si dukët, përkohësisht, këtë projekt, të cilin kritikët e kishin cilësuar si një version të përditësuar të Bashkimit Sovjetik.

2. Ngjarja e dytë në rrjedhën e zhvillimeve në politikën botërore, që për momentin ka më shumë natyrë paralajmëruese sesa efekte konkrete, është fushata presidenciale në ShBA. Nga dita e parë e garës për nominim brenda kampeve kryesore politike, është parë me skepticizëm dhe shqetësim fushata e njërit nga pretendentët për kandidat presidencial nga radhët e republikanëve. Fjala është për miliarderin e njohur amerikan Donald Trump, i cili, përkundrejt qasjes, në dukje aspak racionale, deklaratave jashtë një fryme tradicionale republikane dhe një gjuhe aspak politike, për habinë e madhe në fund arriti ta marrë nominimin për president nga partia e tij dhe tani po i hyn garës së madhe presidenciale kundrejt kandidates demokrate, pretendentes për të qenë presidentja e parë femër e ShBA-së, ish-sekretares së shtetit H. Clinton.

Asgjë në këtë garë nuk do të dukej jo e zakonshme, ngaqë secili nga kandidatët ka përparësitë dhe mangësitë e caktuara. Madje që të dy kanë nga një adut të fortë. H. Clinton nga ana e saj pretendon se zgjedhja eventuale e saj do ta thellonte demokracinë dhe barazinë në shoqërinë amerikane edhe në sensin e saj gjinor. Derisa zgjedhja e Trumpit do të ishte shembull se njerëzit e suksesshëm në biznes kanë çfarë t’i ofrojnë, madje duhet të jenë e ardhmja e politikës amerikane.

Mirëpo ajo që po ndodh jo e zakontë në këtë garë presidenciale është sjellja e zotit Trump në fushatën e tij. Në politikën e brendshme Trumpi që nga fillimi ka marrë një pozicion tejet të çuditshëm, shumë konservativ dhe përjashtues për një pjesë të konsiderueshme (disa miliona) të shtetasve të tij që kanë përkatësi apo origjinë myslimane dhe hispanike. Kjo gjuhë raciste ka prekur edhe të gjitha grupet më të vogla etnike, racore apo fetare që tashmë jetojnë të integruar plotësisht në shoqërinë amerikane.

Në kontekstin e këtij shkrimi, fokusi im mbeten deklaratat dhe qëndrimet shumë të çuditshme të zotit Trump sa i përket politikës së jashtme amerikane nën qeverimin e tij. Gjuha e fortë kundër partnerëve strategjikë si NATO dhe vendet e BE-së dhe politika e përuljes dhe e paqtimit me rivalet dhe kundërshtaret tradicionale, si Rusia e Kina, e bëjnë Trumpin kandidatin më “sui generis” në historinë e kandidatëve për presidentë të ShBA-së. Nga memoria që sot ruhet dhe konsultohet lehtë, nuk rezulton asnjëherë që një kandidat për president të kishte shmangur kaq shumë linjën tradicionale të politikës së jashtme amerikane, e definuar mjaft qartë për ruajtjen dhe forcimin e interesit nacional amerikan në nivel global. Pa pretenduar më dhënë përgjigje se ku qëndron racionaliteti i këtyre deklaratave dhe i këtyre qëndrimeve dhe për t’u ikur interpretimeve dhe teorive konspirative, do të ndalem vetëm te pjesa e konsekuencave që po prodhon një sjellje e tillë e kandidatit për president në krijimin e një perceptimi për favorizimin e Rusisë.

Deklaratat e Trumpit, se sanksionet e shteteve perëndimore ia kanë vështirësuar jetën Rusisë, se Rusia nuk ka invaduar në Krime, se mirëpret luftën e avionëve rusë kundër ISIS-it dhe, së fundi, dyshimi se Trumpi po merr informacione për përmbajtjen e e-mail-ve të Hilary Clintonit, të dekriptuar nga shërbimet ruse, janë qëndrime që përcillen më shumë habi dhe dilema jo vetëm nga opinioni publik amerikan, por edhe nga ai botëror.

Në tërë këto qëndrime deklarative, qofshin edhe të një fushate zgjedhore, disa efekte simbolike që favorizojnë Rusinë dhe politikën e saj të jashtme janë të pashmangshme. Ëndrra e Putinit për një rikthim të fuqishëm të Rusisë në politikën botërore po vazhdon edhe përmes këtyre deklaratave të Donald Trumpit.

3. Një ditë pasi forcat turke të sigurimit arritën ta shtypnin përpjekjen për grushtet të një grupi të ushtarakëve të lartë, presidenti Putin në një bisedë telefonike i dha mbështetje Erdoganit, duke i thënë atij se “Rusia i cilësoi si veprime anti-kushtetuese dhe dhunë të papranueshme dhe shpreson për restaurimin e rendit dhe stabilitetit në Turqi”. Ky dukej moment i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve që erdhi pasi presidenti turk një muaj më parë i kërkoi falje presidentit Putin për incidentin e rrëzimit të aeroplanit ushtarak rus në nëntor të vitit të kaluar.

Por, ende kemi mungesë të theksuar të informacioneve mbi dorën e vërtetë që e organizoi grushtshtetin e dështuar në Turqi, ndaj nuk mendoj se është akademike nëse citojmë burime të diskutueshme lidhur me këtë. Mirëpo, ajo që vërehet lehtë është se menaxhimi i shpejtë i situatës dhe ruajtja e rendit kushtetues nga ana e presidentit Erdogan ia shtoi atij fuqinë politike, mbase edhe fuqinë kushtetuese në të ardhmen. Thënë më drejt, për momentin Erdogani cilësohet si fitues i madh, por është herët të thuhet një gjë e tillë edhe për Turqinë dhe popullin turk.

Ndërlidhur me temën e këtij shkrimi nga ngjarjet e fundit në Turqi, fituese, pa bërë asgjë, duket të jetë edhe Rusia fqinje. Laicizmi dhe proamerikanizmi i Turqisë moderne për një shekull e kishin privuar suksesshëm Rusinë sovjetike dhe atë të Putinit nga ëndrra e saj për ngushticat turke. Ftohja, (le të e shpresojmë e momentit), e Turqisë nga partneriteti evroperëndimor dhe amerikan, në emër të sanimit të pasojave të tentim grushtshtetit atje, janë një ogur i ri për ëndrrën e Putinit dhe të Rusisë për rikthim.

Në përmbyllje të këtij shkrimi dua të nënvizoj se:

Favroizimi i Rusisë nga zhvillimet e sipërpërmendura në këtë fazë duket se më shumë është perceptim dhe imazh sesa realitet. Ende jemi larg ndryshimeve që pretendohet se mund t’i prodhojnë këto zhvillime. Rendi botëror kam bindjen do të ndjekë një trajektore më ndryshe nga ajo që mund ta perceptojmë aktualisht, të ndikuar nga këto zhvillime. Por, një është e vërtetë, se protagonistët e këtyre zhvillimeve, duke filluar nga euroskeptikët britanikë, mbështetësit e D. Trump dhe ata të R. T. Erdogan, sikundër edhe V. Putin në anën tjetër, në fund të ditës nuk do të ndihen fitues në këto veprime. Rikthimi i perandorive të dikurshme cariste dhe otomaniste dhe i doktrinës izolacioniste (Monro-iste) është ëndërr e keqe nga e cila duhet liruar liderët e përmendur. Urat dhe komunikimi, jo edhe muret, janë emërues të globalizmit.

(Autori është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në UP)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme