Brainstorming për një kishë politike

13:46 | 21 Shtator 2016
Arbresh.info

Nga: Fadil Lepaja

Ideja e parë, që përmendet lidhur me objektin e ndërtuar pa leje, në hapësirën e Universitetit tonë publiko-partiak, nuk është aspak kreative. Ata thonë të rrëzohet kisha. Do të reagoja menjëherë, po të mos ishte rregulli se asnjë ide nuk duhet hedhur poshtë paraprakisht. Le të shprehen njerëzit. Ky është rregulli themelorë i brainstorming.

Brainstorming? E keni parasysh metodën e shtrydhjes publike të trurit? Është ajo kur populli i pamësuar të mendojë, e lodh kokën për të gjetur një zgjidhje, aty ku politika e ka dh…!? Duke qenë se politika pak a shumë çdo gjë dhe çdo ditë në këtë vend e ka dh… populli e ka ndjenjën sikur e merr pushtetin drejtpërdrejtë në Facebook, për me i rregullu gjërat. Realiteti virtual po e risjell nga antika vet demokracinë e drejtpërdrejtë. Vox populli! Veçse pushtetin nuk e ka populli, qytetari. Ka popull dhe popuj. Populli shumicë i cili nuk pyetet për çështjet madhore, aktivizohet vetëm në debate të pafund rreth temave simbolike në rrjetet sociale dhe kështu zhvendoset vëmendja sa herë ka nevojë (para)politika. Populli shumicë nuk duhet me u hetu se është shumicë, sepse demokracia jonë është e pakicës.

Ta lëmë anash faktin se asnjë problem i hapur deri sot nuk është zgjidhur pas grindjeve gjithëpopullore që ka prodhuar gazetaria jonë, megjithatë, ndoshta kësaj radhe edhe dhez! Shpresa vdes e fundit.

Pra, Brainstorming! Shtrydhja gjithëpopullore e trurit e cila zakonisht bëhet në grupe të vogla, te ne ka marrë përmasa plebishitare në rrjetet sociale. E ka kapur populli karremin. E ka ngrënë, si thonë në standard.

Deri tash qytetarët nuk ishin kushedi sa kreativ. Është fjala se ky objekt i nisur për kishë mori një përgjigje aspak të hijshme popullore duke u shndërruar pak a shumë në, me nderë me thënë, në një tualet publik. Tash kishë i thënçin, sepse ajo ishte nisur si një projekt parapolitik nga “Shën” Millosheviqi dhe ishte shenjtëruar publikisht nga shenjtori tjetër i politikës serbe në Ballkan, “Shën” Arkani, ku me këtë rast u shenjtëruan edhe krimet monstruoze që po kryheshin dhe do të kryheshin edhe pas kësaj, në emër të Krishtit, të klerofashizmit serb i cili e veshi në të zeza krejt Ballkanin.

Ideja tjetër ishte që ky tualet publik joformal, të shndërrohej në xhami. Thjesht, sikur në rastin e “Shën Sofisë” në Stamboll, t’i viheshin katër minare kësaj kishe dhe pastaj të rrënohej. Propozuesi garanton se kjo metodë është plotësisht e sigurt, politikisht. Askush, as BE, as Serbia, as shoqëria civile, as Qeveria, nuk do të kundërshtojnë rrënimin e një xhamie, aq më tepër të ndërtuar në hapësirat e Universitetit publik. Kjo u dëshmua kur, një grup qytetarësh, të frymëzuar nga lulëzimi i lirive fetare në këtë vend, patën marrë iniciativën që përball katedrales më të madhe katolike në Ballkan (e cila ishte ndërtuar në hapësirën ku dikur ishte një shkollë e mesme publike), të hapin themelet e xhamisë më të madhe në Kosovë, për të simbolizuar harmoninë fetare në këtë vend. Por, shteti reagoi ashpër. Është hapësirë universitare, tha shteti, dhe aty nuk lejohen objektet fetare. Pra, te ideja e dytë propozuesi ka llogarit se porsa të shndërrohet në xhami, të gjithë, me inercion, përfshirë edhe kishën pravosllave serbe, do të kërkojnë që ajo të rrënohet, të hiqet nga aty, ashtu siç edhe ishin rrënuar disa qindra të tjera gjatë luftës.

Ide tjetër edhe më e krisur ishte zhvendosja e vetë Universitetit nga aty, për të bërë kështu qefin kishës pravosllave e cila ende nuk ka hequr dorë nga Serbia e Madhe dhe Kosova si djep i saj. Kështu edhe amaneti i “Shën” Millosheviqit do të çohej në vend. Natyrisht, në brainstorming edhe zhvendosja e UP-së është opsion, edhe pse kjo dukej më tepër si ide sarkastike. Por, rregulli themelor i kësaj metode është që asnjë ide të mos hidhet.

Pra, duhet shqyrtuar edhe ideja me e bë krejt këtë hapësirë universitare, hapësirë fetare. Me e përzënë edhe Darwinin e edhe shqiptarët. Me e marrë prej shqiptarëve, e me ja dorëzua zotit të tyre, në të gjitha format formale që i ka marrë në këto hapësira. Zotit të politikës.

Ideja mund të zhvillohet më tej, varësisht prej imagjinatës. Për shembull Bibliotekën Kombëtare, atë me “plisa” pra, me e ba me minare dhe me e shndërru në xhami, pastaj Fakultetin Filozofik me e bë Fakultet për Studime Islame dhe me e kalu nën menaxhim të BIK-ut. Edhe Instituti Albanologjik mundet me u bë Institut i Osmanishtes, apo Sllavishtes, ndërsa atë të Historisë munden me e bë çka të donë.

Kjo nuk paraqet ndonjë dëmtim të arsimit tonë (ndër)kombëtar në Kosovë. Tashmë ka mjaft universitete private, e pasi paguan mijëra euro, diploma të vjen vet në shtëpi. Pra, kujt i duhet dija kur janë diplomat.

Nuk ka lidhje edhe me e mbyll krejt këtë Universitetin publik të Prishtinës. Në çdo qendër regjionale është ngritur nga një universitet publik – partiak. Edhe ata kanë lëshuar diploma aq sa ishte e nevojshme të pajisej klasa politike.

Pra, mos vajtoni, se dëme ndoshta edhe nuk ka. Ndoshta po të ishte e krahasueshme, mund të thuhet se më pak do bëjë dëm një kishë në hapësirat e Universitetit publik, e instaluar nga Serbia, sesa profesorët e instaluar nga partia.

Nejse, të kthehemi te metoda. Para se të fillohet me hedhjen e ideve, të tipit futkot, fillimisht duhet definuar se cili është problemi, dhe atë shumë qartë. Cili pra është problemi me këtë objekt? Problem është se u ndërtua pa leje, thonë disa, ose thënë më saktë pa leje valide, sepse ajo leje ishte lëshuar nga organet e dhunshme të instaluara nga “Shën” Millosheviqi dhe “Shën” Arkani në Kosovë? Nëse pranohet kjo leje dhe ky vendim, duhen pranuar të gjitha lejet dhe të gjitha vendimet e tjera, edhe vet pohimi i tyre se vendimet ende duhet të merren në Beograd. Po pranohet ideja se qytetarët nuk janë sovrani.

Ndoshta duhet të debatohet se a bën të ndërtohet objekti fetar në hapësirat e Universitetit publik? Të gjithë pajtohen se jo. Sidomos kur kihet parasysh se nuk u lejua të ndërtohet aty xhamia, atëherë argumentimi duket i qëndrueshëm duke pasur parasysh normën kushtetuese se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Nëse bën të ndërtohen objekte fetare, pa leje dhe në hapësirën e Universitetit publik, padyshim se edhe themelet e xhamisë mund të hapen me të njëjtën normë.

Problem tjetër është se, sikurse insistojnë disa, se edhe nëse pajtohemi se ishte jocivilizuese dhe e jashtligjshme, objekti tashmë është ndërtuar dhe nuk është e hijshme të rrënohet. Pra, propozohet të pranohet logjika e aktit të kryer. Nëse është jocivilizuese të rrënohet një objekt fetar, a është civilizuese të rrënohet një Universitet? A bën të dallohen qytetarët?

Dikush thotë se nëse rrënohet ky objekt, atëherë botës i dërgohet mesazh i gabuar se ne jemi kundër kishave dhe lirisë fetare dhe se ata nuk e dinë se shqiptarët i kanë kishat e tyre qoftë ortodokse apo katolike. Kjo është qesharake. Ndoshta ne duhet t’i dërgojmë botës mesazhe se këtu nuk ka shtet as pushtet dhe kush të dojë mund të bëjë çfarë të dojë? A mundet Kisha Pravosllave Serbe të bëjë çka të dojë në Kosovë? Po Bashkësia Islame? Po Kisha Katolike? A munden të veprojnë jashtë ligjit apo mbi të? T’i shpërndajmë pra institucionet laike?

Vështirë që të japësh përgjigje përfundimtare. Sidoqoftë, përjashtimi në politikë nuk e vërteton rregullin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme