Ringjyrosja e mureve të klinikave dhe spitaleve publike nuk e ngrit cilësinë e shërbimit mjekësor dhe as nuk e zvogëlon vuajtjen e pacientit. Sistemi shëndetësor është një nga shtyllat kryesore të mirëqenies së një shoqërie.
Ai përfaqëson një mekanizëm kompleks, i cili kërkon ekspertizë, përkushtim dhe resurse të mjaftueshme për të funksionuar siç duhet.
Problemi i ngjyrimit të klinikave tona nuk është kryesor, por është një faktor tjetër i rëndësishëm. Një problem i thellë dhe gjithnjë në rritje është degradimi i këtij sistemi, veçanërisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si rezultat i punësimit të punonjësve të dobët, kryesisht me lidhje familjare dhe politike.
Punësimi i kuadrove të pamjaftueshme profesionalisht në Qendrën Klinike Universitare nuk është vetëm një problem i izoluar, por një zinxhir gabimesh që reflektohet në të gjitha sektorët e shëndetësisë.
Kur punësohen individë të pa aftë dhe pa përgatitjen e duhur, cilësia e kujdesit shëndetësor bie ndjeshëm. Kjo situatë krijon një cikël të degradimit, ku pacientët marrin shërbime jo të standardizuara, ndërsa profesionistët e mirëfilltë ndihen të demotivuar dhe të frustruar dhe, rrjedhimisht, përgatitja e specialistëve të rinj në të gjitha repartet dhe klinikat bëhet një sfidë e vështirë.
Pacientët janë viktima kryesore të këtij degradimi. Në mungesë të diagnostikimeve të sakta dhe trajtimeve efektive, gjendja e tyre shëndetësore përkeqësohet. Rritet gjithashtu rreziku për gabime mjekësore, të cilat shpesh janë fatale. Besimi në sistemin shëndetësor dobësohet, duke bërë që njerëzit të kërkojnë alternativa jashtë vendit, çka rrit kostot dhe krijon pabarazi në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor. Edhe për profesionistët e kualifikuar të shëndetësisë, situata është e pafavorshme. Ata përballen me një ambient pune të ngarkuar dhe të stresuar, ku mungon mbështetja e nevojshme profesionale.
Kjo ndikon në moralin dhe efikasitetin e tyre, shpeshherë duke shkaktuar largime të kuadrove të kualifikuara nga vendi ynë drejt shteteve të tjera, ku mund të gjejnë kushte pune dhe vlerësim profesional më të mira.
Për të adresuar këtë problem, është thelbësore që menaxhimi dhe politikat publike të jenë të orientuara drejt përmirësimit të standardeve të punësimit dhe trajnimit të kuadrove shëndetësore jashtë vendit. Transparenca në proceset e rekrutimit, investimi në arsimimin dhe zhvillimin profesional të mjekëve dhe infermierëve janë disa nga masat që duhen marrë urgjentisht.
Punësimi i kuadrove të dobëta, veçanërisht në Qendrën Kryesore Spitalore të Kosovës, është një problem kompleks që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, të shpejtë dhe të koordinuar. Duke përmirësuar cilësinë e rekrutimit të personelit dhe trajnimit të tyre, ne mund të sigurojmë që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm dhe që profesionistët të kenë mundësinë të japin kontributin e tyre maksimal.
Vetëm kështu mund të kemi një sistem shëndetësor të qëndrueshëm dhe efikas, që i shërben me dinjitet të gjithë qytetarëve. Ngjyrosja e mureve të klinikave është vetëm një aspekt sipërfaqësor që nuk kontribuon thelbësisht në përmirësimin e shëndetit të pacientëve. Ajo që ka vërtetë rëndësi është cilësia e shërbimeve që ofrohen brenda atyre mureve.
Shkruan: Dr. Ylli H Mehmeti PhDc
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...