Nga Jakup Krasniqi
Fjala dialog në fjalorin e gjuhës se sotme shqipe shpjegohet si “bashkëbisedim; rrahje e një çështje nga dy e më shumë veta”. Bashkëbisedimi ka kuptim kur zhvillohet në mes njerëzve, në rastin tonë, në mes delegacioneve shtetërore duhej të ishin krejt të barabartë.
Nisur nga kjo duhet të themi se edhe dialogu Kosovë – Serbi, pas shpalljes se pavarësisë më 17 shkurt 2017 do të kishte kuptim vetëm nëse ky dialog do të ishte në mes shteteve të barabarta. Bisedimet që janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Brukselit në mes të qeveritarëve të Kosovës e të Serbisë kanë qenë më shumë se të pabarabarta. Dhe si të tilla janë të predispozuara të mos prodhojnë normalizim të marrëdhënieve, Kosovë-Serbi, përkundrazi do të jenë kërcënim i përhershëm për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë! Për tu arritur normalizimi i raporteve në mes dy vendeve, Kosovë – Serbi dhe ngritur shkalla e sigurisë në rajon, këto bashkëbisedime duhet të riformatizohen, si në formë ashtu edhe në përmbajtje!
“Dialog”, “bashkëbisedimi” të përafërt si ky i Brukselit në mes shqiptarëve e serbëve ka pasur edhe deri në vitin 1998, por ai dialog ishte sa mes palëve të pabarabarta, po aq edhe në mes të shurdhëve, natyrisht e shurdhër ishte politika zyrtare e Beogradit, e cila me çdo kusht kërkonte nënshtrimin e shqiptarëve edhe përmes luftës e mjeteve të gjenocidit që ajo i përdori pa i kursyer. Ato mjete të pastrimit etnik e të gjenocidit e sollën edhe ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare të NATO-së kundër Serbisë. Në mes shqiptarëve dhe serbëve kishte edhe bisedime me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare siç ishin: Bisedimet në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën (1999), Bisedimeve të Vjenës (2006 – 2007), të udhëhequra nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Finlandës, Matti Ahtisari dhe tani Bisedimet me ndërmjetësimin e Brukselit (2012 – 2017).
Si në Bisedimet e Rambujesë e po ashtu edhe ato të Vjenës, në të dy rastet është përfunduar me Dokumente të Finalizuar Ndërkombëtare, por në asnjërin rast pala serbe nuk i ka pranuar rezultatet e bisedimeve. Ndërsa pala e Kosovës në të dy rastet, për të mundësuar zgjidhje politike, ka pas bërë kompromise të dhimbshme. Pra, asnjëri nga Dokumentet e Finalizuara nuk kanë qenë, vullnet i imponuar i shqiptarëve, por kanë qenë marrëveshje tw arritura në mes tri palëve. Nëse pala shqiptare, Delegacioni i Kosovës në Bisedimet me ndërmjetësimin e Brukselit shkon përtej Dokumentit Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen Përfundimtare të Statusit Politik të Kosovës, të njohur si Dokumenti i Presidentit Ahtisarit, ajo rrezikon pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Ndërsa, Bisedimet e deri tashme të zhvilluara në Bruksel janë komprometim i skajshëm pasi ato kanë shkuar në çdo “marrëveshje” të arritur mes palëve, përtej asaj që është biseduar dhe përfunduar në Vjenë! Pra, edhe Bisedimet që janë duke u zhvilluar në Bruksel, edhe kështu si janë, askush nuk mund të garantoj se pala serbe do të pranoi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe normalizim i marrëdhënieve do të thotë: njohje e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe mos pengimi i saj në rrugën e shtetndërtimit. Gjë që në çdo rast zyrtarët më të lartë të shtetit serb e kanë refuzuar forcërisht dhe po kërcënojnë vazhdimisht edhe me fuqinë ushtarake!
Fakti se Kosova në këto bisedime është futur e pabarabartë me Serbinë duke e pranuar Kosovën me fusnotë, pra jo si vend sovran, është favorizuar skajshmërisht Serbia. Kjo pabarazi ka krijuar e ushqyer iluzione për Serbinë, që kjo e fundit të pretendoi sovranitet të dyfishtë ose se paku për shkëputje të një pjese territoriale të Kosovës apo edhe krijimin e një “ Republike Serbska” në Kosovë, diçka të ngjashme siç është, Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës. Edhe pse pakica serbe e cila përbën 5% nga numri i përgjithshëm i popullsisë se Kosovës, është pakica më e privilegjuar në rajon dhe në Evropë?! Shkurt, Serbia nuk është e interesuar për jetësimin e të drejtave për qytetarët serbë në Kosovë, përkundrazi, ajo serbët e Kosovës po i përdor si “mish për top”!
Në një situatë të tillë shtrohet pyetja: Pse mos te riformatizohet Dialogu Kosovë – Serbi? Dialogu Kosovë – Serbi apo Serbi – Kosovë sido që të quhet, nëse nuk zhvillohet mes palëve të barabarta duhet të ndërpritet për t’u krijuar një bazë tjetër të bisedimeve për të arritur normalizimin, paqen e sigurinë në mes dy vendeve e dy kombeve. Vetëm bisedimet në mes palëve të barabarta janë garanci për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, bisedimet e barabarta duhet të rifillojnë gjithsesi, por ne një format tjetër të bisedimeve! Të gjithë jemi dëshmitarë se raportet ndërshtetërore, Serbi-Kosovë në fundvitin e kaluar e fillimvitin e sivjem, kanë prodhuar kërcënime të reja për konflikte të reja! Kjo gjendje nuk i nderon as palët në bisedime e as ndërmjetësuesin, Brukselin zyrtar. Nuk ka asnjë dyshim, se të gjitha kërcënimet kanë ardhur nga krerët më të lartë shtetit të Serbisë!
Në Bisedimet e Brukselit, Serbia në vend që të dilte e turpëruar dhe fajtore për gjenocidin e ushtruar në Kosovë më shumë se një herë, në fakt me krijimin e Gjykatës Speciale, faji i madhe i ka kaluar Kosovës se dërrmuar në çdo aspekt, politik, moral e material?! Në fakt me gjykatën Speciale, viktima do të ndëshkohet për të dytën a të shumtën herë! Nga këto bisedime, pala e Kosovës që mori pjesë atje, kanë dalë si “pula të lagura”.
Po, bisedimet Kosovë – Serbi janë të domosdoshme, por, veç asaj qe u tha, subjektet politike në Kosovë sa më parë duhet ta arrijnë një konsensus nacional, një konsensus i tillë në këto bisedime deri më tani ka munguar. Prandaj para se të fillojnë bisedimet në një format të ri që është domosdoshmëri që të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë. Serbia posa i përfundoj zgjedhjet për President, pse mos t’i mbajë edhe Kosova zgjedhjet e parakohshme kur në shumë fusha ka dështuar skajshmërisht.
P.S.
Ketë shkrim në formë të një analize e shkrova enkas për dy arsyeje. E para, për mbledhjen e paralajmëruar te dy qeverive shqiptare që pritet të mbahet në ditët në vazhdim, i/e cila le t’ju shërbej atyre si një këshillë miqësore a përkujtim, kuptohet nëse ata kanë nevojë për këshilla që bazohen në përvojën politike të bisedimeve shqiptaro – serbe. Dhe e dyta, le t’ju shërbej delegacioneve të larta të BE-së e të SHBA-së që do jenë këto ditë në Kosovë, si një mendim ndryshe nga njeriu që në dy dekadat e fundit ka qenë pjesë aktive në politikën zyrtare të Kosovës në bisedimet me palën serbe, përveç Bisedimeve politike të Brukselit, të cilat nuk është dashur të zhvillohen, se paku jo në ketë format. Natyrisht, nëse ka kush ua përkthen këtyre të fundit në gjuhet e tyre!
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...