Në vazhdimin e dytë të shkrimit për Albin Kurtin, “Një përgjigje ndryshe për Albin Kurtin”, i shkruar ekskluzivisht për Gazetën Express, Baton Haxhiu flet për personalitetin dhe imazhin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Shkruan se prapa imazhit të tij vetëkritik dhe sinqerisht të angazhuar, fshihet figura e politikanit arrogant dhe kalkulues e meskin.
Me strategjinë e tij të zakonshme të sulmuesit moral dhe psikologjik, Kurti tha se kërcënimi me dorëheqje për të ka qenë shokues, ngaqë nuk mund ta përfytyrojë veten jashtë Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, vetë Kurti është dorëhequr (nga prania e tij minimale) në UÇK, duke aluduar në gabime politike dhe historike të saj. Nëse dikush duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe politike nga dorëheqjet e sotme nga Lëvizja Vetëvendosje, ai duhet retroaktivisht të mbajë përgjegjësi shumë më të madhe morale, politike dhe historike për largimin e tij në rrethana lufte. Megjithatë, ende shfaqet me respekt dhe fjalime për kolegët e tij në UÇK që kishin vazhduar rrugëtimin historik deri në fund.
Çështja kryesore është se Lëvizja Vetëvendosje sot, në rrethana shumë më fleksibile politike dhe historike, i akuzon për dezertorë dhe tradhtarë të dorëhequrit për shkak të parimeve të tyre. Unë e di se Kurti ka qenë i ri atëbotë, por këto ditë kam parë shumë të rinj, më të rinj në moshë sesa ai atëherë, me më pak përvojë politike dhe në rrethana postkonfliktuale historike teksa akuzohen për tradhti dhe dezertim politik. Para se ta komentojë karakterin politik të të tjerëve, Kurti duhet të bëhet vetëkritik dhe ta shohë veten në pasqyrë.
Albin Kurti, mes tjerash, tha se nuk është i pagabueshëm. Gjithsesi, përgjigja e tij vijuese tregon më tepër për aktrim mediatik sesa për një përgjegjësi personale dhe vetëreflektim kritik.
Sa për ta krijuar artificialisht mbresën e të qenit vetëkritik, ai pohoi se është mangësi e madhe e tij që nuk është interesuar më parë në teorinë dhe praktikën organizative. Më tepër se pranim i përgjegjësisë dhe gabueshmërisë, kjo është shprehje e ndjenjës të pagabueshmërisë së tij. Në kohën kur pjesa më cilësore politikisht dhe e vetësakrifikuar organizativisht nga “Gjenerata e parë” dhe “Gjenerata e dytë” e Lëvizjes Vetëvendosje është larguar nga ky subjekt me akuza të rënda dhe shqetësuese, Kurti flet se gabimi i tij qëndron në mungesë të leximeve të mjaftueshme në teorinë dhe praktikën organizative.
Kjo nuk është asgjë tjetër veçse refuzim i ballafaqimit me situatën dhe krizën.
Ai e relativizoi këtë situatë duke thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur dorëheqje të tipit të Alma Lamës dhe Afrim Kasollit. Përveç se ky krahasim nuk mund të jetë i vërtetë, ai përmendi dy emra për të cilët Lëvizja Vetëvendosje ka orkestruar fushata linçimi personal dhe akuza të ashpra morale. Përmendja e këtyre dy emrave nuk është e rastësishme: ai dëshiron ta vendosë një kontekst të përgjithshëm mbi karakterin moral të njerëzve të dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tha se në Lëvizjen Vetëvendosje ka luftë për pushtet. Kjo do të thotë se përderisa angazhimi i tij është parimor, puna e të tjerëve është karrierë politike e disenjuar për pushtet. Është tendencë për t’i paraqitur dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje si momente politikisht devijante dhe moralisht inferiore.
Kurti theksoi se kush e njeh personalisht, e di se nuk ka asnjë ambicie për pushtet.
Megjithatë, kushdo që e njeh mirë atë, së paku nga viti 2005 e tutje, mund të dëshmojë për ambicien e tij për pushet. Përfshirë edhe njerëzit që vetë ai i ka paraqitur si vlera të padiskutueshme publike ndër vite, shokët e tij të jetës dhe idealit.
Dorëheqjet zinxhirore të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për Kurtin janë enigmë. Edhe ky është tentim për mistifikim të qëndrimeve publikisht të artikuluara të aktivistëve të dorëhequr dhe shmangie nga adresimi i drejtpërdrejtë i përgjegjësisë. Prapa imazhit të tij vetëkritik dhe sinqerisht të angazhuar, fshihet figura e politikanit arrogant dhe kalkulues e meskin.
Përtej paraqitjes së moderuar të Albin Kurtit
Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kurti potencoi se gjëja më e vështirë para tij është ndërlidhja e leximeve të teorive dhe praktikave organizative me përvojën ndër vite. Një mendim i tillë kërkon analizë më të gjerë mbi literaturën që frymëzon atë dhe formën organizative që aplikon. Megjithatë, këtu mjafton të them se ekziston një kontradiktë e pazgjidhshme midis leximeve mbi teorinë kritike dhe emancipuese politike të Kurtit dhe formave organizative që ai proklamon dhe zbaton.
Në fjalimin e hapjes të kandidaturës të tij për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti deklaroi se sikurse që pluralizmi nuk është garanci e demokracisë, ashtu edhe kandidatura e vetme nuk nënkupton se mungon demokracia. Problemi është se Kurti, krejtësisht në formë të gabuar, madje edhe hipokrite, e barazon pluralizmin që s’garanton demokraci me kandidaturën e vetme që vjen si mungesë e saj.
Ai foli për instalim të shkollave për edukim të kuadrove të reja në VV, ndonëse një praktikë e tillë në Lëvizjen Vetëvendosje është që nga fillimi. Çështja është tek rezultati konkret i kësaj ndërmarrjeje.
Gjenerata më e dalluar e kësaj shkolle është larguar me dorëheqje prej 40 vetave njëkohësisht. Në praktikë, ky është indikator se aty ku efektiviteti i kësaj shkolle është manifestuar me vetëdije kritike, saktësisht aty ka ndodhur edhe distanca me mundësinë e aprovimit të praktikave të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë dogmatike. Pavarësisht se Kurti tha se debatet më cilësore në Kosovë janë organizuar në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo frymë e debateve që tre mandate nuk ka prodhuar asnjë kundërkandidat në garën për kryetar të partisë.
E deklaruar nga Kurti si organizimi më demokratik, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të riprodhojë kryetar me 99% të votave, dezintegrim dhe margjinalizim të menjëhershëm të strukturave të brendshme kritike, dhe uniformitet në përfaqësim nga ata që mbahen për linjë qendrore dhe zyrtare të saj.
Ekziston një shpërputhje midis investimeve ideologjike e teorike dhe manifestimeve aktuale politike e organizative.
Kurti tha se ka dashur gjithsesi një kundërkandidat. Por, qasja e pabarabartë në media, asimetritë e resurseve financiare, frikësimi prej grupeve joformale dhe format e ndryshme të barrierave në praktikë, paraqesin një garë politike esencialisht të pabarabartë dhe paraprakisht diskualifikuese.
Gara formale e iniciuar nga burgu, ku qëllimisht u viktimizua që ta fitojë betejën ndaj të pakënaqurve në Lëvizjen Vetëvendosje, është një rast ilustrativ i këtij koncepti.
Për shkak të fushatave të ndërmarra me vite, mekanizmave të sulmeve dhe sabotazheve prej grupeve të brendshme joformale, konstruktimi i prapaskenave tashmë të shpërfaqura në publik, pamundësojnë çfarëdo gare përmbajtësore demokratike.
Është cinike që politikani i cili vazhdimisht ka insistuar që demokracia nuk është formë, procedurë dhe numër, përfundon duke u vetëmbrojtur pikërisht nëpërmes të njëjtës masë. Ai mbështet një nocion formal të demokracisë pikërisht pasi ta ketë suspenduar zbatimin e saj.
Metafora që Kurti ka përdorur për mua – gjethi fshihet më së miri në pyll, ashtu edhe agjenti fshihet më së miri në media – gjithsesi është më mirë e aplikueshme në rastin e tij.
Ku fshihet politikani autoritar?
Pikërisht në strukturat e demokracisë formale.
Ligjërimi i Kurtit në këtë emision ishte i ndërtuar mbi përparësinë e rëndësisë së partisë mbi interesin publik dhe përgjegjësinë e përgjithshme institucionale në tërësi.
Duke u përgjigjur nëse Lëvizja Vetëvendosje është dashur t’i paraqesë këto probleme më herët për të qenë e sinqertë me elektoratin, ai tha se ka folur vetëm brenda, sepse e do shumë Lëvizjen. Pra, transmetimi i një imazhi artificial publik është i lejueshëm në rast të mirëmbajtjes së organizimit të tij.
Kjo është skandaloze për çfarëdo mendje demokratike dhe personalitet politikisht të përgjegjshëm.
Theksoi se në Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur debate më të mira se në mediat kosovare.
Cila është rëndësia publike e këtyre debateve kaq cilësore politike-organizative në rast se ato konsumohen në Këshillin e mbyllur hermetikisht? Vetëm forcimi dhe mobilizimi politik e organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje. Kaq.
Kurti shpreson që publikimi i bisedave të fundit mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të përkthehet në frikë të aktivistëve për të folur. Ky përfundim është zhvendosje e problemit politik në çështje teknike. Ai duhet të marrë përgjegjësi për një sistem funksional “spiunazhi” të brendshëm të zbatuar nëpërmes Komisioneve Disiplinore (një sërë pyetjesh dhe vendimesh me implikime të rënda penale) që ka prodhuar frikë tek aktivistët.
Para se ta zhvendosë problemin tek ngjarjet e fundit, Kurti duhet të marrë përgjegjësinë për makinacionin e konstruktuar nga vetë ai ndër vite.
U shpreh se e ka thyer vendimin e Gjykatës për paraburgim shtëpiak ngaqë kjo ka qenë në koordinim me Donika Kadajn. Ky nuk është thjesht një shembull si konsensusi partiak tejkalon respektimin e institucioneve shtetërore.
Sipas tij, këtë e ka bërë për shkak se Beqir Kalludra është një gjyqtar politik, por një përgjigje e tillë është injorim i një dileme substanciale. Ai vazhdimisht nuk iu është përgjigjur gjykatave dhe nuk ka respektuar vendimet e tyre me argumente tjera politike edhe kur nuk ka qenë në pyetje Beqir Kalludra. Kurti insiston në respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në interes politik të tij, sikurse në rastin e Asociacionit, dhe refuzon çdo gjykatë tjetër që nuk është në përputhje me ambiciet dhe planet e tij politike.
Është gjithsesi shqetësuese si garda e fanatikëve teorikë të Kurtit është angazhuar për ta justifikuar çdo vendim të tij, por nuk reflekton aspak për këto standarde të dyfishta dhe veprime sipas interesave momentale të tij partiake dhe politike karshi institucioneve shtetërore.
Përderisa justifikon veten për kërkesa të brendshme për koalicione me LDK dhe PDK, ai thotë se nuk mund ta gjykojmë në terma “engjëj dhe djaj”.
Bashkëpunimi me LDK nuk është vlerë, por strategji. Ky nuk është vetëm konfirmim i një zhvendosjeje nga një politikë e vetëdeklaruar parimore tek elementi strategjik dhe pragmatik. Realisht, zbulon logjikën e tij se kësaj ndërmarrjeje i lejohet çdo mjet në shërbim të qëllimeve të saj.
Prandaj, Kurti qysh moti funksionon si oktopod politik i kapur në shumë pjesë në të njëjtën kohë. Ai është edhe parti e regjistruar në KQZ, edhe Lëvizje e deklaruar në publik, edhe shoqëri civile në qasje. Ai është edhe në institucione si politikan, edhe në rrugë si protestues i dhunshëm. Ai kërkon edhe vetëdije kritike në shkolla të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe disiplinë militare në shërbim të saj. Ai edhe diskrediton për tradhti kombëtare partitë politike në Kosovë, por edhe kërkon koalicione me to.
Albin Kurti përdor standarde gjykimi të cilat duhet të aplikohen tek të gjithë, përveç tij. Kjo nuk është shenjë e anshmërisë politike. Ky tashmë është kapërthim në një logjikë autoritariste politike.
Pas deklaratave për demokraci të shtuar dhe riorganizim më të hapur në Lëvizjen Vetëvendosje, qëndron një politikan inkonsistent dhe autoritar.
Kurti e Vitia nesër marrin pjesë në ceremoninë e vënies së g...
Gjesti ia mori dhe ia veshi duksin dhuratë të Xhenetës – ja ...
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë KRU “Hidroregjioni Jugo...
Man City assesi të fitojë ndalet me barazim nga Evertoni
Ministri Peci nesër mban konferencën përmbyllëse për media
Tajvani përgatitet për mandatin e ri të Presidentit Trump në...