Avdullah Hoti një “kukull eksperimentuese” që duhet të dorëzohet për ruajtjen e autoritetit të tij si politikani më i ndershëm që ka aktualisht Kosova

11:18 | 26 Gusht 2020
arbresh.info

Avdullah Hoti duhet të dorëzohet dhe të mos i lejojë partnerët e tij ata përdorin si “kukull eksperimentuese”, para se të humb edhe atë pak mbështetje që e ka patur nga populli nëpër procese elektorale, dhe para se t’i imponohet largimi, në kohën kur Parlamenti duhet të zgjedhë Presidentin e Kosovës.

Arsyeja e parë, ka të bëjë me ruajtjen e imazhit të tij si një lider i ardhshëm në një kohë kur Kosova do të ketë përmbyllur problemet e shtetësisë. Kjo, për faktin se proceset politike po lënë mbrapa edhe zhvillimin ekonomik, e Hoti këtë të fundit di ta menaxhojë më së miri. Dhe, në një kohë kur Kosova do të ketë ekonominë si prioritet, nuk do të ketë më të mirë se Hoti, që do të mund të marrte mbështetjen e secilit. E kohen kur secili do t’i kishte gjepat plot, do të mund ta kishim me një ekonomist tashmë të dëshmuar në nivelin akademik.

Arsyeja e dytë, ka të bëjë me mbështetjen e kontestuar për t’i sjellë Kosovës marrëveshje politike, që do të definonin përfundimisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Çfarëdo marrëveshje që do t’i sillte Parlamentit, do të ngjallte pakënaqësi gjithë popullore. Jo se do ta dëshironte shumica, por partia më e madhe në vend, aktualisht opozitare, do ta shfrytëzonte momentumin për ta kundërshtuar si përgjigje për përjashtimin që ja bënë partitë parlamentare, me qëllimin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Se këtë e kanë synim, shihet nga mos gatishmëria për t’ju përgjigjur Hotit në përgatitjet për të qenë më të fuqishëm si palë negociuese drejtë finalizimit të marrëveshjes për normalizim të raporteve me Serbinë, e që të pashmangshëm do të kërkohej njohja nga Serbia.

Arsyeja e tretë, ka të bëjë me pa fuqinë për të mbajtur nën kontroll kabinetin e tij qeverisës, kryesisht ata që vijnë nga radhët e partive të tjera. Shpesh herë ka marrë kritika në lidhje me vendimet për menaxhimin e pandemisë, duke u shpërfaqur mospajtimet brenda koalicionit. Si rezultat i këtyre mos pajtimeve, edhe Kuvendi i Kosovës shkoi në pushim pa arritur të miratojë Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, të cilin po e presin mijëra biznese e qindra e mijëra qytetarë.

Arsyeja e katërt pse Avdullah Hoti duhet të dorëzohet ka të bëjë me mos njollosjen e figurës së tij si njeri i ndershëm, për ta paraqitur si të pa fuqishëm edhe përball temave të ndjeshme nacionale. Së fundi, me çështjen e Manastirit të Deçanit. Hoti e ka kuptuar se nuk ka zgjidhje tjetër që do të mund të tejkalonte dakordimet e vitit 2014, për një rrugë alternative drejt Plavës.  Atë vit, në koordinim me Manastirin e Deçanit dhe përfaqësuesit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë një rrugë nga Deçan për në Mal të Zi e cila kalon përreth Zonës së mbrojtur të Manastirit, duke ndjekur pjesërisht luginën e Loçanit, për tu lidhur me rrugën përgjatë lumit Lumbardh të Deçanit, në fund të Zonës Mbrojtëse. Dhe Hoti, pavarësisht presioneve të partnerëve qeverisës, e ka kuptuar se nuk mund të “prodhojë” zgjidhje përtej Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili është miratuar nga Parlamenti i Kosovës, përmes të cilit ndalohet ndërtimi i rrugëve magjistrale nëpër zona të tilla.

Për të dëshmuar se nuk lejon eksperimentet duhet do të dorëzohet, ose do t’i imponohet largimi në kohën kur në tavolinën e partnerëve të koalicionit do vijë çështja e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, e që duhet ta zgjerojnë edhe më një “ulëse” më tepër, konkretisht, Partinë Demokratike të Kosovës. Çfarëdo mos pajtime, e që qysh tani duken të mëdha, do të dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, dhe Hotin t’ua kthejë studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

(Elvinë Sefiu është kryeredaktore në portalin arbresh.info dhe për më shumë se dhjetë vjet ka punuar në medie si gazetare dhe redaktore)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme