Shkruan: Ben Apolloni
Edhe pse artin figurativ e përcjelli me shumë vëmendje, rrallë jam ulur të shkruaj për ndonjë ekspozitë, apo për ndonjë vepër. Por janë disa vepra arti që nuk të lënë të qetë pasi t’i kesh parë, të provokojnë të mendosh e të flasësh për to. Tek këto vepra arti bëjnë pjesë edhe pikturat e ekspozuara në Ferizaj.
Para se të bintë perdja e Festivalit të Teatrove në Ferizaj, pak metra larg Teatrit “Adriana”, u ngritë sipari i një ekspozite pikturash në Galerinë e Arteve, ku u prezentuan veprat e piktorit shqiptar Buron Kaceli. Autori në këtë ekspozitë kishte vendosur që të vinte me punime të ndryshme për nga tema dhe të krijuara në kohë të ndryshme. Por edhe pse për nga tema dallonin, stili ishte i njejtë, një lloj ekspresionizmi vangogian, por që piktori Kaceli kishte arritë të krijonte identitetin e vetë dhe brusha e tij më e qetë në dukje se ajo e piktorit holandez, arrinte të të shqetësonte, madje tek disa piktura me temë sociale edhe të të shokonte. Këtë shok e përjetova vetë kur u përballa sidomos me pikturën “I vobekti”.
Është evidente se tek Buron Kaceli tradita shqiptare ka një rol të rëndësishëm dhe ai me shumë vëmendje e dashuri e paraqetë traditën në veprat e veta por gjithnjë duke dhënë detaje të lidhjes së traditës me bashëkohoren. Ai nuk e shikon artin tradicional si diçka të kaluar, të vdekur, por si rrënjë të fortë të njeriut bashkëkohor sepse e ka të qartë se bashkëkohorja pa traditën nuk mund të ekzisonte por edhe anasjelltas. Ai është piktor i detajeve të kursyera, kuadrot e tij janë të pastër elegant, por ato detaje që i vendos brenda kuadrit, flasin shumë. Siç është piktura me vajzën e veshur me kostum kombëtar, por që në duar mbanë smartphonin.
Element tjetër që bie në sy është trajtimi i femrës në pikturat e tij. Kaceli, e trajton bukurinë femrore me shumë delikatesë duke filluar që nga forma, kombinimi i ngjyrave, detajet simbolike, etj. Në shumicën e veprave të ekspozuara, femra është e veshur me kostum tradicional të trevave të ndryshme shqiptare dhe në të gjitha rastet femra është shumë subtile, shumë e bukur, është muzë. Ai edhe kur paraqetë femrën duke bërë një gjest tipik shqiptar, atë të kryzqëzimit të duarve për të krijuar shqiponjën dykrenare, siç është vepra “Pranvera e Kosovës”, ai e paraqet këtë figurë më shumë si një flutur delikate ashtu siç janë duartë e një femre dhe femra në përgjithësi.
Një vend të veçantë autori i kishte lënë edhe peisazheve, qyteteve, rrugëve, etj. që ishin punime të relizuara me shumë mjeshtri dhe që të bënin për vete me një lehtësi të papërballueshme. Por ajo që unë personalisht do ta veçoja ishin pikturat të cilat do t’i quaja dramatike. Në këto piktura, autori kishte arritë që të fuste shumë dramë, shumë bukuri, shumë emocion. E para që më “goditi” ishte ajo ku shihej një kali i lidhur e i mbuluar me batanije në mes të një acari dimëror, por që kafsha altruiste dukej se u frynte zogjëve avullin e nxehtë nga goja që t’i mbronte nga dimri vrastar. Një kuadër i ftohtë në dukje, për nga ngjyra, por aq i ngrohtë për nga ideja që shfaqë, një kuadër që fletë më shumë se një mijë fjalë, më shumë se një mijë libra. Artisti Kaceli, në veprën e tij artisike personazhe ka artistët e një ndër ta është edhe violinisti i varfër, në një natë dimri i cili është bërë kruspull në një qoshe të qytetit, me instrumentin e dashur në gji dhe mbase ëndërron pranverën. Sepse artistët, shpesh, veç falë ëndërrave shpëtojnë dhe vazhdojnë t’i jetojnë ditët e tyre. Edhe i papuni është personazh i cili në veprën e Kacelit paraqitet së bashku me një qen endacak. Mbase sepse të dy bëjne jetë qeni.
Veprat e artit e arrijnë qëllimin e tyre estetik kur arrijjnë të na impresionojnë me formën dhe përmbajtjen, kur janë të bukura dhe domethënëse, etj. e veprat e eskpzuara në Galerinë e Arteve ne Ferizaj, përveç ndjenjave të bukura që dhurojnë për nga forma dhe harmonia e ngjyrave, edhe të trondisin. Për të mos i përmendur veç e veç, po e përmendim njërën, e cila kur u gjenda përballë saj, më tronditi deri në lotë. Bëhët fjalë për pikturën “I vobekti”, në të cilën paraqitet një lypës i shtrirë në trotuar, i vdekur apo i dorëzuar, i shtrirë në një formë që të kujton Krishtin e Kryqëzuar në kryq por ky i kryqëzuar nga mungesa e solidaritetit njerëzor. “I vobekti” është një pikturë të cilën do të doja që ta shihte çdo njeri por mbi të gjitha do të doja që të vendosej në ndërtesat e qeverive shqiptare në Kosovë e në Shqipëri, sepse besoj që një vepër e tillë, e bukur dhe tronditëse, do të arrinte të trokiste në ndërgjegjën fjetur të politikës shqiptare, një vepër e tillë do të arrinte që të na bëntë njerëz.
*Autori i këtij shkrimi është regjisor.
Shënim: Opinioni që sapo lexuat nuk shpreh qëndrimin/opinionin e Arbresh.info. Ai është një trajtim sipas bindjeve të autorit dhe shpreh vetëm opinionin e tij rreth çështjes që trajton.
Kurti dhe Nagavci vendosin gurthemelin e çerdhes në Rekë-Vat...
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...