Nga: Fadil Lepaja
E dëshpëruar me gjithçka që kishte ndodhur ditëve, e besa edhe muajve të fundit në Kosovë, një mike e imja, intelektuale, po më fliste lidhur me pasojat e politikës tonë (ndër)kombëtare te qytetari i ynë i zakonshëm. Në fakt, po fliste për veten e saj.
“I mblodha dje fëmijët dhe, me një zë të vendosur, gati luftënxitës, u thash: Ju nuk më doni mua! Ju vetëm mendoni se më doni.”
Ata mbetën të hutuar! Qyqja, i paska ikur mendja, nënës!
“Jeni frikësuar ndonjëherë e do të ju lë në plazh”, i pyeta?
Ata u përgjigjën, duke mohuar me kokë, se asnjëherë nuk u kishte shkuar mendja për diçka të tillë. Pastaj filluan të më bindin , se sa më duan dhe… blla, blla, blla! Fjalë dhe vetëm fjalë! “Isha e bindur”, më tha mikja, “se ata vetëm kujtojnë se më duan! Rashë në dëshpërim”!
Kështu, vazhdoi të fliste ajo, e bindur në të sajën, se as Hashim Thaçi, as Albin Kurti nuk e duan Amerikën. Vetëm kujtojnë se e duan. Duke i parë pasojat e politikës te njerëzit tonë, mendova me vete se krejt kjo i ka edhe anët e mira. Pas kësaj edhe agjensionet turistike duhet ta përdorin këtë thënie gjeniale të Albinit, si një slogan: “Ne nuk ju braktisim në plazh. Ne e duam, Amerikën”.
Njerëz, nuk ka rëndësi a na do Amerika ne, apo jo!? Është me rëndësi dashuria që ne e falim! Ne jemi të pasurit!
Nejse, lexuesit të cilët nuk i kanë përcjellë zhvillimet e fundit politike në Kosovë, sidomos retorikën, ndoshta edhe nuk do ta kuptojnë krejt këtë bisedë për braktisjen, tradhtinë, dhe dashurinë e munguar. Në fakt, nga protestat e shumta, këto ditë u drodh edhe “Olimpi” politik, në Kosovë. U drodh edhe “Arbëria”. U neverit! Ndërkaq, nga krejt kjo dridhje, sipas asaj fjalës së urtë, doli një… president. Ishte një lindje e vështirë. Çdo gjë ndodhi nëpër tym dhe me lot. Qaj parlamenti, e qaj ne! Çka na gjeti kështu? Të gjata janë pesë vite! Eh !
Por, mos u shqetësoni! Tashmë presidenti i ri i vendit, ka dëshmuar se sa herë i duhet një krizë, ai di me e “dridh”! Sa mirë e dridh! E dridh skenën politike të Kosovës qysh të ja dojë qejfi. I dridh miqtë dhe armiqtë. Pastaj krejt punën për të e bëjnë “armiqtë”!
Pra, u dridh Kosova, dhe… u zgjodh presidenti. Miqtë e paktë u gëzuan. Shumë nga ata që e votuan, ishin më të pikëlluar se masa e madhe përjashta e cila dëshironte që krejt kjo të përfundojë me një abort. Legal, gjithsesi! Vajza e ish-presidentit Rugova u gjet e hutuar me një buqetë lulesh të cilën me gjentilesë ia la në dorë presidenti i ri. Çfarë të bënte me ato lule?
Ato lule presidentit të ri ia solli, për urim, legjenda e Parlamentit të Kosovës, ajo që dëshmoi se si luftohet për karrige dhe për parti duke e mbajtur peng Parlamentin për gjashtë muaj rresht. E, trashëgimtarja e re e ish-presidentit, krejtësisht e hutuar me rolet e improvizuara në teatrin kosovarë të kukullave, i mbajti lulet pa e kuptuar se si përfunduan në dorën e saj. E çfarë të bënte tjetër? Kot e shanë në rrjetet sociale. Instinkti i trashëguar i thoshte se krejt kjo është imagjinare… spektakël.
Cila është formula e suksesit? Si ndodh që një gjest bëhet më i madh se ngjarja? Si fitohet me lëvizje krejtësisht jashtë procedurave standarde?
Te ne ekziston teoria se gjithnjë fiton ai që ka miqtë e fortë. Ai që ka krah! Pra, për dallim nga shefi i tij, i deridjeshëm, formal, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nuk beson te miqtë e tij. As te bashkëpunëtorët. Ai beson te armiqtë. Tërë dita i kalon në lojë me armiqtë e tij. Nëse dikush asnjëherë nuk e ka tradhtuar presidentin e ri, këta janë armiqtë. Miqve nuk u ka dhënë rast nëse i ka pasur. Por, a ka miq në politikë? A u besohet miqve?
Politikani që dikur skuqej si nxënës përpara ish-sekretares së Shtetit Albright, tani pa u skuqur aspak, por i shqetësuar dukshëm, i ngriti lartë vetullat e tij. Ishte momenti më dramatik i mbledhjes së jashtëzakonshme të Parlamentit, që në kushte normale do të duhej të ishte solemne. Dikush ka mundur ta marrë si padurim këtë gjest, e dikush si një urdhër. Sido që të jetë, shefi i tij formal, kryeministri aktual, brofi në këmbë sapo vetullat e tij u lidhën nyje në pikën e cila në Yoga njihet si: “Adnya-chakra”! Disa deputetë po jepnin shenja alarmi. Kishte rrezik që ata të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, siç i obligon kushtetuta e ligji, dhe të tradhtonin, të shkelnin besën e dhënë…!
Por, u pa që ishte alarm i rremë! Gojëkëqijtë folën për pazare në minutën e fundit. U përmenden poste, shtëpi, banesa, shuma, Jeep-a! Por, ata, gojëkëqijtë atë punë e kanë!
Pra, mësimi i radhës është se: ”Miqtë të tradhtojnë, ndërsa armiqtë kurrë”! Prandaj, mos llogarit në miq nëse do të jesh njëshi. Llogarit në armiqtë e tu. A nuk ishte Isa armik i përbetuar i (tashmë) Presidentit, dikur? A nuk thoshte kurrë më…? Thoshte!
Presidenti I ri I Kosovës në horoskopin politik të Kosovës, përgjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës njihej nën shenjën e gjarprit. U thurën edhe legjenda për këmbët e tij të cilat nuk ia pa askush deri më sot. Në fakt, krejt kjo kaloi në terren spekulativ kur në rrëfim u futen edhe shërbimet sekrete. Ka që pohojnë publikisht se rrotën e mullirit e sjellin shërbimet sekrete, jo ai! Këtë askush nuk e dokumenton dot
Ndërkaq, shenja e tij e vërtetë në horoskop është demi. Demi, natyrisht, në këtë rrëfim të sotëm, është krejtësisht i pafajshëm. Por, i ngjan shenjës. Ashtu u turret armiqve nëpër debate, në Parlament, sidomos kur në mes tij dhe atyre ndodhen kordonët e sigurisë. Pastaj, ata e kryejnë krejt punën në vend të tij. Besoji armikut tënd!
Kështu, sërish po i kthehemi mikes time nga fillimi i këtij shkrimi. Në vërejtjen time se Presidenti nuk ka miq, ajo e bëri një nga ato batutat e sajë brilante: “E çka i duhen miqtë, me këtë opozitë?!
Pra, çka i duhen miqtë presidentit të ri kur i ka këta armiq kaq besnikë dhe të parashikueshëm?
Në zonën 60 km/h voziti 117 km/h, policia shqipto gjobë prej...
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë