Janë të rrallë njerëzit në Tiranë, qëndrimi ndaj të cilëve vendoset jo prej tyre vetë, por nga rasti, vullneti apo fati që qëndron në këmbë të huaja. Ata i duan dhe i urrejnë brenda çastit. I mallkojnë në një moment dhe i bekojnë në momentin pasardhës. I adhurojnë dhe i përbuzin. I vrasin dhe i ngjallin.
Sepse kjo është magjia e futbollit.
Ky është horoskopi i futbollistëve, me të cilët, në një mënyrë të pabesueshme lidhet edhe fati i trajnerëve dhe presidentëve të federatave. Armando Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, është shembulli që ulërin si vërtetim i kësaj aksiome. Do të mjaftonte një gol i shënuar nga Shqipëria në Stamboll pak javë më parë dhe ai do të ishte shpallur pa mëdyshje hero kombëtar në Tiranë.
Do të mjaftonte dhe madje do të tepronte, siç ndodhi katër vjet më parë, kur udhëtimi i ëndrrës që Kombëtarja shqiptare bëri për herë të parë në Kampionatin Evropian, e shndërroi Armando Dukën në arkitektin e një ëndrre kombëtare, edhe pse ai nuk kishte qenë në fushë, edhe pse ai nuk kishte shënuar asnjëherë dhe as nuk kishte shpëtuar portën nga golat. I tillë është futbolli dhe magjia e tij, që çmend të mençurit dhe zgjon indiferentët. Por kur koha të kalojë dhe pasionet të kenë fatin e thëngjijve të ushqyer nga zjarri i pasionit të zakonshëm shqiptar, Armando Duka do të duhet të bëjë bilancin e tij në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit përballë atyre që e duartrokasin dhe atyre që e kritikojnë. Përtej vijës së padukshme mes dashurisë dhe urrejtjes, përtej të gjitha debateve të diskutueshme për çdo gjë tjetër, Duka do të afrojë një bilanc të pabesueshëm: Shqipëria është bërë me tri stadiume evropiane.
Elbasani në fillim, Shkodra dhe së fundmi Tirana kanë stadium normal, që mund t’i gjesh njëlloj edhe gjetkë në Evropë. Ishte fati i tij që u ndodh në kohën e duhur në vendin e duhur, apo ishte edhe koincidenca e kësaj kohe me qeverisjen e një kryeministri atipik si Rama, kjo ka pak rëndësi. Tri stadiumet e ndërtuara në këtë periudhë do të mbajnë në shkallët e tyre të gjithë ata që në fund të fundit, as nuk do të duan t’ia dinë se kush është Armando Duka. Një figurë plot dritëhije, nga të paktët në Tiranë që për shumë arsye duket simpatik kur tallet me arrogancë me qeveritarë dhe të bën t’i ulërish kur duket se merr me të mira tifozët, sepse dashuritë hipokrite vrasin më shumë se urrejtjet e sinqerta.
Shumëkush do të donte të ishte sot në vend të Armando Dukës, i cili është personazhi që shënjoi emrin e tij në ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare në stadiumin e saj të ri. Fiton apo humb, ka pak nevojë të diskutohet. Është statistikë. U ndërtua si u ndërtua stadiumi, sa kushtoi dhe kush e projektoi, si u pagua apo si u ideua, këto janë çështje që pak do të kujtohen nesër dhe pak kanë të bëjnë me atë çfarë do të ndodhë duke nisur me sot në stadium. E rëndësishme është që përballë francezëve në tribuna do të qëndrojnë qytetarë evropianë, në një stadium evropian, me pasaportë shqiptare./medial.mk/
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...