Akuza e një gruaje intelektuale

17:05 | 11 Mars 2020
Arbresh.info

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

1

Ky publikim është një protestë dhe akuzë kundër një lufte të ndyrë të fundshekullit të kaluar që bëri regjimi serb i Milosheviqit famëkeq ndaj grave dhe vajzave shqiptare në Kosovë. Institucionet e dhunës të këtij regjimi mizor kur përdhunuan femrat shqiptare kishin për qëllim thyerjen morale të popullit që po i rezistonte, kur vranë 1392 fëmijë donin t’ia gjymtonin edhe të ardhmen dhe kur i dogjën 120.000 shtëpi, shpesh me njerëz brenda, bënin gjenocid, duke deportuar dhe zhbërë  një popull të tërë nga vatra e vet.

2

Autorja shkrimin e saj e ka ndarë në gjashtë njësi tematike, duke filluar nga pushtimi serb i Kosovës dhe gjeneza e armiqësisë shqiptare-serbe, në thelb të së cilës janë ndarja si me thikë e atdheut shqiptar dhe kalvari shekullor i një populli të tërë e rezistenca e tij kundër aneksimit të dhunshëm. Kjo rezistencë e pashuar gati një shekull, me ngritjet dhe rëniet e saj erdhi ngadhënjyese në kapërcyell të shekullit XX, kur Kosovës iu imponua lufta e armatosur, por edhe botës demokratike intervenimi ushtarak.

Në pjesën e dytë të shkrimit paraqitet dhe analizohet vetëm njëri aspekt i luftës së forcave serbe kundër Kosovës, ai më kriminali në kuptimin shqiptar, dhunimi seksual i mbi 20.000 grave dhe vajzave shqiptare. Kjo shifër në përpjesëtim me një popullsi prej rreth dy milionë banorëve, tmerrësisht flet shumë.

Në dy pjesët vijuese autorja e trajton këtë shëmti si gjenocid biologjik, mjet lufte dhe krim kundër njerëzimit. Në dy pjesët e fundit ndërkaq, ajo fajëson faktorët e jashtëm që nuk zbatuan të drejtën ndërkombëtare për këtë krim, në një anë dhe institucionet e vendit që nuk e dëshmuan as e denoncuan atë mjaftueshëm, në anën tjetër.

Shkrimi është i pajisur me aparaturën e nevojshme shkencore, i argumentuar mirë dhe me përmbajtje të qartë e stil adekuat të të shkruarit.

3

Që nga lashtësia ka zënë fill bindja se një ushtri që si mjet dhe formë lufte aplikon përdhunimet, është e destinuar për humbje.

Kjo dhunë seksuale në stil të gjerë në Kosovë, si armë lufte e forcave serbe, dëshmon gjithë karakterin e tyre, por edhe të politikës që i drejtonte.

Një ndër virtytet e larta gjenetike të shqiptarëve, është familja, si institucioni bazë i shoqërisë. Jo rastësisht doktrina antishqiptare e përpunuar gjatë nga intelektualë dhe politikanë serbë, synonte ta godiste qenien shqiptare në palcën kurrizore; familjen, nderin, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.

Në shënjestër të detashmenteve sulmuese të forcave burracake dhe qyqare  serbe në Luftën e Kosovës, në plan të parë ishin civilët, fëmijët, pleqtë dhe femrat. Ato jo vetëm nuk kishin moral luftarak të ndesheshin me luftëtarët e luftëtaret e uniformuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por as moral minor njerëzor. Një ushtri që vret fëmijë me biberon në gojë dhe dhunon seksualisht gra dhe vajza të pambrojtura, është e dënuar me vdekje. Dhe jo vetëm kaq; ata duke cenuar moralin kombëtar shqiptar, vunë në bankën e të akuzuarit para historisë e ndërgjegjes së njerëzimit, brez pas brezash moralin dhe dinjitetin e kombit dhe shtetit të vet.

4

Nuk dua të besoj se kjo sjellje skizofrene është defekt a patologji kombëtare serbe, por mbaj mend një djalë birbo kriminel serb, kur ndodhesha në një dhomë me të dhe të tjerë në Burgun Hetues të Novi Sadit.  E pyetën një rast kolegët e vet të dhomës, cila ishte dëshira e tij më e madhe. Prisja të thoshte ta lironin nga burgu, por jo.  „Dëshiroj ta kisha një vajzë të bukur, ta përdhunoja me fuqinë e mashkullit dhe në fund ta varja për këmbësh dhe dalëngadalë ta rripja e mishin t’ia bëja copë-copë“! E dëgjoja dhe e psikologjisja, por ai fliste ftohtë, pa i kërcyer ai nervi facial në vragë dhe bënte me duar, sikur ta shkërmoqte vërtet viktimën. Më bëri të mendoja gjatë ai djalë me shpirtin e tij; prej nga kjo ide, kush ia tha, ku e lexoi, apo ishte imagjinatë morbide e vetja? Për një çast mendja më shkoi te vajzat shqiptare në një lëndinë tek po loznin si qengjat engjëllushe… Mora ta lexoja një libër…

5

Elife Luzha, një grua e vuajtur dhe që në vajzërinë e saj të hershme e përndjekur nga regjimi për pjesëmarrje në demonstratë dhe për shpirtin liridashës, tani magjistrate e diplomacisë, intelektuale krijuese dhe poete e njohur, ka ngritur zërin kundër padrejtësive që u bëhen grave dhe sidomos kundër dhunës seksuale të ushtruar kundër tyre gjatë Luftës çlirimtare. Me ndjeshmërinë e gruas nënë dhe për më shumë të poetes, Elife Luzha e trajton këtë plagë të rëndë të luftës, si një gjëmë që i kishte ndodhur Kosovës së saj.  Nga gjithë tmerri dhe llahtari i këtij krimi të veçantë, ajo sjell rrëfimet tronditëse vetëm të dy të rejave shqiptare, si prototipe edhe të 20 mijë të mbijetuarave të tjera që lotët si vrer gëlltisin çdo ditë, siç thotë autorja në poezinë e saj kushtuar grave të përdhunuara. Janë megjithatë edhe 1739 gra shqiptare që nuk i mbijetuan terrorit të forcave serbe, duke u bërë therorë në themelet e lirisë së Kosovës.

Autorja bën thirrje me zërin e nënës që të mos heshtet e të dhunohet e vërteta, sepse bëhet kështu një krim i dytë mbi gratë e vajzat që përjetuan dhunimin seksual gjatë luftës, por edhe sepse ashtu pamundësohet trajtimi dhe rehabilitimi i tyre. Krimi duhet denoncuar dhe dënuar!

Ky publikim është në vazhdën e kontributit të autores në këtë temë të dhembshme, për këtë plagë të pambyllur të luftës.

6

Presidenti serb, që gëzon simpati dhe përkrahje të gjerë në popullin e vet, para do kohe, në stilin e tij, përveç krimeve të tjera, e mohoi edhe këtë krim monstruoz të forcave të shtetit të vet kundër grave shqiptare.

Populli serb ka nevojë ta pastrojë këtë njollë të zezë nga biografia dhe historia e vet. Ky lavazh fillon me ballafaqimin me krimin, me kërkim faljen e sinqertë dhe me denoncimin e dënimin e tij dhe të atyre që e bënë, për gjëmën e shqiptarëve dhe të zezën e vetë serbëve. Sa më parë, aq më mirë.

 

(Teksti është parathënie e librit “Dhuna seksuale nga forcat ushtarake policore serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë”, të autores Elife Luzha)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme