Dikur abuzonte me elektoratin duke ua marrë votën me premtimin “kurrë me PDK’në e me SHIK’un”, ndërkohë që qeveriste me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Tash abuzon me postin e presidentit, për të cilin dikur konsideronte se duhej të ishte mbipartiak dhe unifikues. Nëse pretendimet për abuzim me Fondin e Trepërqindëshit nuk janë vërtetuar ende, këto janë fakte që i mbajnë mend të gjithë.
Mjafton t’i sjellësh ndërmend deklarimet publike të zyrtarëv të LDK’së, për të parë se si kjo parti po abuzon me postin e presidentit të vendit, duke ndërruar qëndrimet varësisht nga interesat e udhëheqësve të saj.
Në vitin 2010, LDK kundërshtonte zgjedhjen e Behgjet Pacollit në postin e të parit të shtetit, me arsyetimin se ky post duhej të ishte mbipartiak dhe të përfaqësonte unitetin e popullit. “Duhet të mësohemi të vendosim interesin e vendit para interesit personal”, deklaronte atëherë Isa Mustafa dhe nënshkruante, bashkë me PDK’në e AKR’në, marrëveshjen për zgjedhjen e Atifete Jahjagës.
Por, katër vjet më vonë, Mustafa ndërron qëndrim. Në marrëveshjen e koalicionit me PDK’në, ai zotohet se do ta mbështesë Hashim Thaçin për president. Pra, vetëm për të ardhur në pushtet dhe për ta marrë postin e kryeministrit, Mustafa shkeli qëndrimin e vet, të vitit 2010.
Disa deputetë të LDK’së kundërshtuan zgjedhjen e Thaçit, por të njëjtëve tash nuk iu dëgjohet zëri, teksa Mustafa bën përpjekjen e radhës për t’ia përshtatur vetes postin e presidentit.
Gjatë fushatës parazgjedhore të këtij viti Vjosa Osmani, si kandidate për kryeministre, përsëriti atë që e kishte thënë më 2014 e 2015, për zgjedhjen e një presidenti mbipartiak. Sipas saj, ky post nuk do të duhej të futej në pazarin e ndarjes së përgjegjësive në koalicionin qeverisës. Madje edhe vetë Isa Mustafa deklaronte se arritja e koalicionit nuk do të kushtëzohej me postin e presidentit. Por, situata ka ndryshuar dhe pikërisht karriga e presidentit, si kusht i vënë nga LDK, po rrezikon arritjen e marrëvshjes me Vetëvendosjen.
* * *
Jokonsistente LDK nuk është treguar vetëm në çështjen e presidentit, por edhe në mënyrën e ndarjes së pushtetit. Në vitin 2007, kur i humbi zgjedhjet, si parti e dytë LDK ia la PDK’së
dy nga tri pozitat kryesore: kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Edhe në vitin 2014, kur po ashtu i humbi zgjedhjet, po si parti e dytë ia la prapë PDK’së dy nga tri pozitat kryesore: kryeparlamentarin dhe presidentin. Në vitin 2019, kur sërish i humbi zgjedhjet, si parti e dytë LDK po kërkon dy nga tri pozitat kryesore: presidentin dhe kryparlamentarin. Tamam parti institucionaliste dhe plot konsistencë.
Si rezultat i “konsistencës” së LDK’së, Hashim Thaçi vazhdon të jetë president i vendit. Pra, konsistenca e LDK’së ndër vite nuk ka të bëjë me distancimin nga PDK’ja e SHIK’u, që i akuzon edhe se kanë dorë në vrasjet e zyrtarëve të vet pas luftës, por ka të bëjë me bashkëqeverisje e ndarje pushteti, me qasje korruptive e nepotiste dhe kontribut “të çmueshëm” në kapjen e shtetit.
Po të ishte konsistente, LDK do të angazhohej që vërtet posti i presidentit të jetë mbipartiak dhe që përfaqëson unitetin e popullit. Por në vend se të përparojë në këtë aspekt, LDK ka degraduar. Tash jo vetëm që po e kërkon postin e presidentit, por po kërkon edhe mbështetje blanko nga partneri i mundshëm qeverisës, pa e treguar madje as emrin e personit që do të mund ta zinte karrigen e të parit të shtetit. Një abuzim, një qasje arrogante dhe e papërgjegjshme e partisë që veten e quan institucionaliste.
* * *
Abuzimi me çështjen e presidentit nuk është gjë, në krahasim me abuzimin që i është bërë votës së elektoratit të LDK’së. Isa Mustafa kërkonte votën në fushatë parazgjedhore me premtimin se “kurrë nuk do të bënte koalicion me PDK’në” dhe përfundonte në shtrat me të. Sivjet, ndërkaq, LDK nëpërmjet Vjosa Osmanit kërkonte votën që të bëjë koalicion me Vetëvendosjen dhe, pas arritjes së ujdisë për postet qeveritare, Mustafa nxori në tavolinë kushtin për presidentin.
Falë Vjosa Osmanit LDK ia doli të renditet partia e dytë në zgjedhje. Qytetarët votuan për përbërjen e re të Kuvendit që zgjedh qeverinë, e jo për presidentin. Është e pamoralshme, joparimore dhe abuzuese që të kërkosh të bëhesh president me votat e fituara nga dikush tjetër – dikush që dikur sabotohej e tash mënjanohet e margjinalizohet nga “burrat e fortë” të LDK’së. Ajo është pikërisht Vjosa Osmani.
LDK po kërkon ta rezervojë postin e presidentit, pa treguar se kush do ta gëzojë atë. Në një shtet normal, me një demokraci në konsolidim e sipër, nuk është aspak normale që dikujt t’i jepet një pozitë kaq e rëndësishme në këtë mënyrë. Është abuzim me vullnetin e qytetarëve, është pazar i ulët që prodhon pasoja afatgjata. Siç kanë prodhuar pasoja të dëmshme pazaret e LDK’së me PDK’në, pazaret e Isa Mustafës me Hashim Thaçin.
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni