Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet që javën e ardhshme të vizitojë SHBA-në dhe sipas burimeve diplomatike do të takohet me presidentin Donald Trump për të diskutuar për “korrigjimin e kufijve” Kosovë-Serbi. Qëndrimet e kundërta SHBA-BE dhe mesazhi nga Berlini që do sjellë në Tiranë ministrin e Jashtëm federal Heiko Maas. Meta prek çështjen e Kosovës në takim me Papa Françeskun.
Nga Sebi Alla
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ku në qendër të bisedimeve do të jetë ideja e “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë, çka do sillte një marrëveshje dypalëshe dhe zgjidhjen e konfliktit më shumë se shekullor mes vendeve. Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, në një përgjigje për mediet kosovare ka konfirmuar se kreu i shtetit të Kosovës do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë, duke shtuar se vetëm atëherë do ta bëjnë publike edhe agjendën e takimeve të tij. Por çështja që kapërcen çdo “agjendë të ngjeshur” mbetet marrëveshja Kosovë-Serbi për korrigjimin e kufijve, që më pas do sillte njohjen reciproke dhe pranimi i Kosovës në OKB. Lëvizjet diplomatike prej një muaji janë intensive, duke i ndarë palët në dy kampe të qarta; kundër dhe pro korrigjimit të kufijve, që nënkupton edhe një shkëmbim territoresh ku Kosova të marrë Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia Veriun e Mitrovicës. Ideja e “korrigjimit të kufijve” fillimisht u artikulua nga presidenti Hashim Thaçi, por gjeti reagim të fortë brenda në Kosovë dhe jo vetëm, pasi edhe BE dhe veçanërisht Gjermania, është kundër ndryshimit të kufijve, duke iu ruajtur një efekti zinxhir që sipas Berlinit zyrtar mund të sillte destabilitet në Ballkan. Një qasje krejt tjetër ka SHBA për këtë çështje. John Bolton, këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Trump duke folur për gazetarët në Kiev të Ukrainës, është shprehur se politika amerikane nuk do të përjashtonte korrigjimet territoriale, nëse të dyja palët do të punonin me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në këtë rast, “mospërjashtimi” është mbështetje, dhe një nxitje nga SHBA, (që tashmë ka ndryshim kursi në politikën e saj të jashtme), paralajmëron se marrëveshja Kosovë-Serbi nuk është e largët. Jo rastësisht ditën e djeshme presidenti Thaçi publikoi një editorial ku shpjegon arsyet se përse është për “korrigjim kufijsh” e marrëveshje historike. “Njohja nga Serbia është bërë pengesa primare për rrugëtimin tonë euroatlantik. Dikush mund të thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe brenda këtyre kufijve. Edhe unë dua të njëjtën gjë. Por, a mendoni se ne do ta bindim Serbinë ta bëjë një gjë të tillë së shpejti? Fatkeqësisht, jo. Për ta arritur këtë qëllim, unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tone”, shkruan Thaçi. Ndonëse në asnjë nga deklaratat e tij nuk përmendet kalimi i Mitrovicës së Veriut nën Serbi, kjo është nënkuptuar nga qëndrimet e politikanëve në të dyja vendet.
SHBA-BE “kufijtë” që i ndajnë…
Zëri më kritik që vjen nga BE, në lidhje me një marrëveshje të mundshme për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë është Gjermania, që i druhet një efekti zinxhir, sidomos nëse ndarjet të do bëheshin mbi baza etnike. Kancelarja gjermane në çdo dalje të saj është shprehur skeptike për ndryshimit të kufijve, ndonëse nuk është kundër marrëveshjeve dypalëshe Kosovë-Serbi. Për këtë çështje, ministri i Jashtëm federal, Heiko Maas do të nisë një vizitë në rajon. Të mërkurën Mass pritet të mbërrijë në Tiranë, por tema e diskutimit dhe qëndrimi i Gjermanisë është tashmë i qartë: “Europa nuk ndahet në drejtime, për ne ka vetëm një Europë”, tha ministri para se të nisë vizitën e tij. Krahas Gjermanisë edhe shtete të tjera të BE-së shprehen se Ballkani nuk duhet të mendojë për ndryshim kufijsh, por si t’i bashkohet familjes së madhe europiane në bllok. Analistët që e shohin me dyshim të madh termin “korrigjim kufijsh” argumentojnë se kjo do të hapte të tjera probleme, pasi Serbia do të kërkojë Republikën Srpska në Bosnjë. Gjithashtu i gjithë Ballkani është karakterizuar prej dekadash nga probleme të shumta në lidhje me kufijtë, çka ka sjellë edhe luftëra të vazhdueshme dhe konflikte etnike. Nga ana tjetër, në këtë rajon të vogël rreziku i ndikimit rus është i madh dhe BE po tenton që të vendosë “diktatin” e saj të influencës. Ndërsa fakti që ministri i Jashtëm gjerman do të mbërrijë fillimisht në Tiranë, tregon se roli i Shqipërisë nuk mbetet aspak për t’u anashkaluar. Kryeministri Edi Rama lidhur me idenë e marrëveshjes Kosovë-Serbi ka lënë të kuptohet se i takon politikës kosovare që ta gjykojë ftohtësisht dhe se vetë personalisht nuk ishte kundër marrëveshjeve, duke sjellë në vëmendje edhe rolin e SHBA që është shprehur në favor. Ballkani është në qendër të vëmendjes së Uashingtonit dhe Brukselit, sidomos pas zhvillimeve në Kosovë dhe Maqedoni. Fqinjët tanë maqedonas pasi arritën marrëveshjen me Greqinë në lidhje me ndryshimin e emrit në Maqedoni të Sipërme, presin të kalojnë çështjen në referendum dhe nëse kjo pranohet nga qytetarët atëherë fqinjët tanë ku jetojnë mbi 30 për qind shqiptarë do të jenë pjesë e NATO-s. Në vazhdën e marrëveshjeve, nëse Kosova do të njihet nga OKB pas marrëveshjes me Serbinë, atëherë do të plotësonte kolorin e një “shqiptarie”, por jo në konotacionin e “Shqipërisë së Madhe” siç kërkojnë ta shesin eksponentë në Serbi, Rusi dhe vende të tjera.
Meta në Vatikan: E ardhme Europiane Kosovë-Serbi
Kreu i shtetit Ilir Meta është pritur dje në një audiencë të posaçme nga Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj. Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve ‘90. Në vijim të vizitës së tij në Selinë e Shenjtë, Presidenti Ilir Meta u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, ku dha mesazhe të forta në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai shprehu mbështetjen për vijimin e dialogut mes palëve por nënvizoi se të gjithë mirëpresin një marrëveshje, me zbatimin e të cilës jo vetëm do të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve, por do të hidhen themelet e një paqeje, stabiliteti dhe sigurie në nivel rajonal duke ndihmuar jo vetëm të ardhmen europiane të Serbisë e Kosovës, por të të gjithë rajonit. “Popujt e rajonit tonë kanë vuajtur shumë nga konfliktet etnike ndaj duhet të angazhohemi më shumë për forcimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar në rajonin tonë” – nënvizoi Presidenti Meta. Intensiteti me të cilin SHBA dhe BE po merret në lidhje me çështjen Kosovë-Serbi paralajmërojnë një pranverë të nxehtë, që në fund mund të kurorëzohet me një marrëveshje historike dypalëshe.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...