Në tri Qeveritë e fundit të Kosovës kemi situatë të njëjtë: Partnerët e koalicionit pas një kohe shndërrohen në rival dhe madje, në kundërshtarë politik.
A mund të qeveriset me Kosovën? Ndryshe thënë: A mund të ketë Kosova një Qeveri që funksionon si duhet?
Vetëm disa vite më parë, këto pyetje nuk do të bëheshin fare në skenën politike të vendit, dhe as në mediat kosovare. Ato nuk do të artikuloheshin as prej atyre që mundohen t’i analizojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ato assesi nuk do të parashtroheshin prej vet qytetarëve.
Mbase, edhe tani, kur shfaqen këto (pyetje), shumëkush mund t’i vlerësojë si qëllimkëqija, tendencioze, të gabuara pyetjet të cilat në shikim të parë së paku, (me aty kryefjalën këtu: A mund të qeveriset me Kosovën), thuajse e fajësojnë vet këtë shtet dhe qytetarët e tij që janë disi të paqeverisshëm, apo që këtu fshihet kryeproblemi në politikën e vendit.
Diçka e tillë nuk është e vërtetë.
Pra, këtu nuk kemi të bëjmë fare me shtetin e Kosovës dhe me qytetarët e tij.
Këtu bëhet fjalë, fillim dhe fund me defektet në rritje e sipër të politikës kosovare, të cilat në këtë segmentin apo dimensionin qeverisës, u shfaqën në mënyrën më të qartë dhe më brutale të mundshme në Qeveritë e Kosovës, që nga viti 2017-të e këndej.
Në këtë periudhë, Kosova ka pasur tri Qeveri, të dala nga dy palë zgjedhje (të viteve 2017-të dhe 2019-të), të cilat ndryshe, kanë gëzuar legjitimitetin dhe legalitetin e plotë, apo, nuk kanë pasë kurfarë deficiti në këtë aspekt, dhe askush nuk ka pasë të drejtë ta kontestojë ligjësisht dhe politikisht ekzistencën e këtyre Qeverive.
Rëndom, në demokracitë e brishta parlamentare (çfarë pa kurfarë dyshimi është edhe kjo e Kosovës), burimi i problemeve dhe tensioneve të mëdha, të cilat varësisht prej fuqisë së tyre shkaktojnë një destabilizim të vendit, vjen ose nga manipulimi me zgjedhje, me mënyrën si organizohen ato, ose me një keqpërdorim të madh të komptencave të pushtetit nga Qeveria.
Në rastin e Kosovës, realisht, as njëra dhe as tjetra nuk kanë ndodhë në tri vitet e fundit.
Për më tepër, as opozita parlamentare nuk ka pasë realisht potencial që t’ia shkurtojë mandatin një Qeverie.
Në gjithë historinë e demokracisë parlamentare në Republikën e Kosovës (që prej 17 shkurtit të vitit 2008-të e këndej), edhe pse as një Qeveri nuk ka përfunduar mandatin e plotë dhe asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje të rregullta parlamentare (por gjithmonë, kemi qenë dëshmitar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme), asnjë Qeveri nuk ka humbur pushtetin për shkak të një opozitarizmi të suksesshëm. Gjithmonë, rënia e një Qeverie është ndërlidhur me ngjarjet brenda vetë koalicionit qeverisës, apo, edhe me interesin e partisë që i ka prirë një Qeverie, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, sepse ka vlerësuar që mund t’i fitojë ato.
Megjithatë, deri në këto tri Qeveritë e fundit, pos që është ditur raporti i forcave në mes të partive/ subjekteve që janë pjesë e një koalicioni dhe entiteteve opozitare, (shumica minimale parlamentare prej së paku 61 deputetëve garanton kontinuitetin e një Qeverie), gjithashtu, ka pasë një unitet funksional në mes të partnerëve në Qeveri, në trajtimin e temave kryesore politike dhe ekonomike të shtetit të Kosovës.
Në fushatat për zgjedhjet e përgjithshme, ka pasë pozicionime nga më të ndryshme, gjë që është e kuptueshme. Ka pasë, në debatet parazgjedhore, përplasje të shumëllojshme konceptuale. Por kur janë marrë vesh rezultatet e zgjedhjeve, dhe kur është krijuar një Qeveri e re e vendit, ka pasë një përafrim evident në mes të politikanëve dhe të partive që janë vënë në ballë të Qeverisë, për thuaja të gjitha temat relevante për vendin.
Nuk kanë mundur disa subjekte a parti, dhe liderët e tyre, të jenë pjesë e një kabineti qeverisës, e të kenë dallime substanciale ta zëmë, për politikat ekonomike, për stabilitetin financiar, për raportet e Kosovës me SHBA-në dhe me BE-në, për temat e sigurisë në Kosovë, për kërcënimet kryesore politike dhe të sigurisë për vendin, për politikat rajonale, për dialogun e Kosovës me Serbinë dhe arritjen e Marrëveshjes eventuale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, etj.etj.
Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme deri pak vite më parë, sepse është krejtësisht e logjikshme të pritet që edhe nëse nuk ka pasë qëndrime të përafërta në mes të liderëve dhe partive të tyre, para se të krijohet një Qeveri, vet parneriteti në ekzekutivin e shtetit, do të ndikojë që të ndodhë ky bashkim i qëndrimeve dhe i synimeve kryesore të funksionimit të një Qeverie.
Por tani po del, së paku në bazë të kësaj përvoje aspak të mirë të viteve të fundit, që është e paimagjunueshme e kundërta: Që një Qeveri e Kosovës, të funksionojë, ditë pas dite, javë pas jave, duke artikuluar dhe mbrojtur qëndrimet dhe politikat e përbashkëta të partnerëve qeverisës.
Tri Qeveritë e fundit të Kosovës, për shembull, nuk kanë pasë pozicion të bashëkërenditur, në mes të liderëve dhe partive/ koalicioneve, që e kanë përbërë atë, për temën e dialogut të Kosovës me Serbinë.
Madje, llogaritet që dy Qeveri kanë pësuar keq (nuk e kanë përmbyllur mandatin e tyre), pikërisht në vijm të këtyre kundërshtimeve të mëdha.
Dallimet kanë qenë (dhe janë sot e kësaj dite, siç po shihet gjithnjë e më shumë), të përmasave të cilat nuk kanë lënë fort hapësirë që të bisedohet për tejkalimin e tyre, dhe për fuqizimin e pozicionit negociator të Kosovës.
Ne sot e kësaj dite flasim për domosdoshmërinë e krijimit të një uniteti sa më të gjërë politik në vend në ballafaqim me këtë sprovë të pashmangshme të Kosovës (sepse duhet hequr qafe një herë e përgjithmonë këtë çështje, për ta siguruar atë qëndrueshmërinë afatgjatë të shtetit të Kosovës), ne e kujtojmë me respekt atë Ekipin e Unitetit që ishte në krye të bisedimeve në Procesin e Vienës (në vitet 2005-2007), i cili pati epilogun e tij në trajtë të pavarësisë së Kosovës, e në anën tjetër, tash e tre vjet, ne nuk po jemi në gjendje ta sigurojmë atë bashkimin elementar politik brenda vet Qeverisë së Kosovës për temën e dialogut, e lëre më të mbërrijmë tek një konsensus i gjerë politik.
Numrat e deputetëve që janë në favor të një Qeverie, si në Kosovë, ashtu edhe në të gjitha shtetet e tjera të demokracisë parlamentare, janë kusht pa të cilin nuk bën për ta pasë një pushtet ekzekutiv stabil.
Por siç u kuptua viteve të fundit në Kosovë, numrat nuk mjaftojnë. Politikanët dhe partitë që e bëjnë një Qeveri, nëse nuk kanë qëndrime të njejta, apo, së paku qëndrime të përafërta, në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore të cilat e preokupojnë vendin, jo që nuk do ta mundësojnë qeverisjen me vendin, por do ta zhbëjnë atë, apo, do të krijojnë pikërisht rrethana kur ndër ne do të nisin të shfaqen pyetjet e rënda të cilat mëdyshin potencialin tonë politik dhe organizativ për të udhëhequr si duhet me këtë shtet, dhe për të krijuar Qeveri funksionale.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...