Nga: Suzanne Moore
Kush do të kujdeset për super të pasurit dhe të mendojë për nevojat e tyre? Nuk është e lehtë për ta: Një për qind e popullsisë botërore brenda vitit të ardhshëm do të zotërojë më shumë pasuri se 99 për qind e pjesës tjetër. Siguria private kushton sa qimet e kokës, dhe kur bota po bëhet një vend gjithnjë e më i pabarabartë, po rritet edhe njëfarë paqëndrueshmërie. Mund të jetë e rrezikshme!
Me shumë mençuri, “Oxfam International” po e ngre këtë çështje te Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku elita botërore është mbledhur për të folur për ide dhe para të mëdha. Drejtori ekzekutiv i Oxfam, Uini Byanyima, ka argumentuar se ky përqendrim në rritje i pasurisë që prej nisjes së recesionit është “i keq për rritjen dhe për qeverisjen”. Ajo që është edhe më e vërtetë, është se pabarazia nuk është e keqe vetëm për të varfrit, por edhe për të pasurit. Ndaj kemi pëlqimin e Kristin Lagardit të FMN-së, e cila ka dhënë paralajmërimin për sa i takon rritjes së pabarazisë.
Pabarazia e thellë që nga kanatet e ushqimoreve e deri tek apartamentet luksoze të boshatisura vazhdon të shihet me një sy prej spektatori nga e djathta – një tregim sipas së cilës, varfëria shihet si një dështim i lindur moral që i ka pushtuar të varfrit. Kjo për rrjedhojë mbështet idenë se njerëzit e pasur e meritojnë pasurinë e pabesueshme që kanë. Megjithatë, shumica e pasurisë nuk arrihet: asete të mëdha, shpeshherë të trashëguara, bëhen gjithnjë e më të mëdha jo, sepse individët që i zotërojnë janë super të talentuar, por sepse strukturat janë vendosur në mënyrë të atillë për të garantuar që kjo të ndodhë.
Shumica prej nesh – përfshirë edhe veten time – jemi ekonomikisht injorantë. Klima ekonomike na paraqitet si një forcë e natyrshme, si një mot i pakontrollueshëm. Është turp që planeti po nxehet gjithnjë e më shumë, ashtu sikurse është turp që të pasurit po pasurohen gjithnjë e më shumë. Por këto gjëra janë të prodhuara nga njeriu dhe jo plotësisht të pashmangshme. Në fakt, ka arsye të qarta dhe sistematike se përse po ndodhin këto.
Të pasurit, nëpërmjet lobistëve dhe marrëveshjeve të ndërlikuara të taksimit, punojnë aktivisht për të ndalur rishpërndarjen e pasurive. Pabarazia nuk është e pashmangshme, është e stisur. Shumë ekonomistë të zakonshëm nuk e shtrojnë çështjen e nivelit të stisjes, edhe kur ajo është tejet e dyshimtë. Ky nivel i pranimit të pabarazisë si një rezultat i pafat i rritjes, ndërmjet ekonomistëve, së bashku me dështimin e tyre për të parashikuar rëniet ekonomike, nuk e ka prekur në mënyrë shqetësuese statusin e kultit të tyre ndërmjet adhuruesve të devotshëm që kanë.
Edhe sfida e butë e Thomas Piketty, me fjalimin e tij heretik se interesi publik është më thelbësor se interesi privat për një demokraci funksionale, është revolucionare në një botë ku mbizotëron ideja se eliksiri i “rritjes” thjesht i përfshin këto ekstreme të thella në shpërndarjen e pasurisë.
Ky argument tani mund të jetë duke rënë. Piruetat që disa ekonomistë puthadorë bëjnë për të mbrojtur 1 përqindëshin e pambrojtshëm kanë shpesh të bëjnë me marrjen si të mirëqenë të super të pasurit si një talent i qenësishëm i vetëkrijuar. Miti thotë se çdokush është një shartim midis Stiv Xhobsit dhe Bonos; krijues, sipërmarrës, unik. Realiteti është se pasuria e klonuar dhe e trashëguar dhe pagesat e çmendura që lidhen me performancën, shpërblejnë bankierët që vazhdojnë ta mbipaguajnë veten me mbi një milion në vit edhe pasi e parashikuan kolapsin e industrisë.
Do të ketë gjithnjë nga ata që do të përkrahin të plotfuqishmit kundër të pafuqishmëve, dhe ekonomistët janë të specializuar në këtë. Nuk është çudi që studentët e prof. Gregory Mankiu në Harvard e braktisën orën e tij pas këmbënguljeve qesharake që bënte ai se sistemi nuk është ndërtuar për të pasurit. “Teoricienë” të tillë i joshin të pasurit duke iu garantuar atyre disa superfuqi, që shpjegon se përse atyre u pëlqen krahasimi me yjet e rokut. Në fakt, financa ndërkombëtare është e populluar nga djelmosha që zëvendësohen mes vetes, të cilët, me pak fjalë, po vetëpaguhen me dyfishin e asaj që paguheshin përpara 10 vjetësh. Ata mund të mendojnë se janë të veçantë. Por nuk kemi pse e mendojmë edhe ne kështu.
Kur flasim për neo-liberalizëm, e kemi fjalën për diçka që ka furnizuar pabarazinë dhe ka aktivizuar 1 përqindëshin. E gjitha ajo çfarë nënkuptoi kjo ishte një kapitalizëm në të cilin tregjet financiare të mos kishin barriera, shërbimet publike të privatizoheshin, shteti social të degradonte, ligjet që mbronin forcat punëtore të shpërbëheshin, dhe sindikatat të rrëzoheshin nga roli armiqësor që kishin.
Sugjerimet e Oxfamit në Davos janë përpjekje për të rikthyer disa të drejta bazike, duke folur për taksat, rishpërndarjen e pasurisë, pagat minimale dhe shërbimet publike. Por, a nuk është e pabesueshme që i ka ngelur një shoqate ta bëjë këtë? Lëvizjet “Occupy” janë zhdukur, por po shohim në Europë, kryesisht në Greqi dhe në Spanjë, një refuzim ndaj përrallës së masave shtrënguese ekonomike që këtu në Britani duket se kanë bërë kërdinë.
Oxfami mund t’i bëjë thirrje mirësisë së miliarderëve, por e vërteta është se kjo nuk mjafton. Projekti neoliberal mund të dështojë jo për shkak të protestave të mëdha, por sepse rënia e të ardhurave do të thotë rënie kërkese. Nuk ka rëndësi proletariati i inatosur, vetëm një klasë e mesme e zhgënjyer është diçka së cilës i tremben politikanët. Për të ndalur pabarazinë, është e detyrueshme që të rreshtim duke e parë atë si të pashmangshme. Ajo është një zgjedhje. Një zgjidhje në të cilën fare pak prej nesh mund të kenë ndikuar. Të varfrit janë gjithnjë me ne. Po tani, a janë edhe super të pasurit me meritë dhe pa meritë? Kështu janë gjërat dhe nuk ke ç’i bën? Jo. Edhe kjo klimë mund të ndryshojë.
10 orë ulur dëmtojnë zemrën edhe nëse merreni me aktivitete ...
Galaxy S25 Slim mund të vijë me një përmirësim të kamerës
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...