Nga: Genc Burimi
Për Kadarenë dhe shqiptarët që ai përfaqëson më e bukura pritet të vijë. Siç u tha dhe u komentua gjerë në shtyp, Presidenti francez, Fransua Hollande, i dha atij me dekret në ditën e fundit të vitit një promocion sa dinjitoz aq dhe të merituar në kastën prestigjoze të Legjionit të Nderit. Shkrimtari i madh ka qenë edhe më parë i dekoruar në gjirin e këtij urdhri, më i larti në meritokracinë franceze, por kësaj here ai hyn në kategorinë e “peshave të rënda”, të atyre personaliteteve që i takojnë po aq shumë kulturës franceze sa dhe asaj shqiptare.
Pesë janë gradat e Legjionit të Nderit themeluar nga Napoleon Bonaparti më 1802, si urdhri më i lartë i meritokracisë së re republikane franceze që zëvendësonte dekorimet e regjimit monarkist. Bonaparti solli dy ndryshime: me të do të ketë vetëm një urdhër merite-Legjioni i Nderit-dhe do të harrohet moria e dhjetra urdhrave të tjerë. Legjioni i Nderit nuk do të jetë vetëm për ushtarakët siç ishte tradita e urdhrave gjatë monarkisë shekullore franceze, por për të gjithë ata që meritojnë mirënjohjen e Republikës. Bonaparti pati kështu këtë fjali simbolike, “me Legjionin e Nderit, dua të dekoroj ushtarakët e mi dhe dijetarët e mi”. Dhe fakti është se sot janë më shumë personalitete civile sesa ushtarake që vlerësohen me këtë urdhër nga presidentët francezë, të vetmit që tradita ua njeh kompetencën në këtë dekorim. François Mitterrand, medaljen e parë të Legjionit të Nderit që e dha si president i Francës kur u zgjodh më 1981, nuk e rezervoi për një shkrimtar, Luis Aragon? Megjithatë, Legjioni i Nderit ka ruajtur fjalorin ushtarak në emërtimin e gradave. Ai përbëhet pra nga pesë grada të cilat përcaktohen kështu nga më e ulëta deri te më e larta: 1) Kalorës i Legjionit të Nderit; 2) Oficer i Legjionit të Nderit; 3) Komandant i Legjionit të Nderit; 4) Oficer i Madh i Legjionit të Nderit; 5) Kryqi i Madh i Legjionit të Nderit. Dy karakteristika: Kryqi i madh u rezervohet vetëm presidentëve francezë dhe një grushti shumë të vogël “meritonjësish”. Nuk mund të arrihet në një gradë më të lartë pa kaluar më parë nga gradat më të vogla që janë ajo e “Kalorësit” dhe e “Oficerit”.
Ismail Kadare nuk është një “fillestar” i Legjionit të Nderit. Publiku shqiptar duhet ta dijë dhe të jetë krenar për këtë, se ai është vlerësuar që në vitin 1997 me gradën Oficer i Legjionit të Nderit. Dekreti i presidentit francez François Hollande e çon Ismail Kadarenë në një gradë më sipër, të tretën mbi pesë, atë të “Komandantit të Legjionit të Nderit”. Është një vlerësim i konsiderueshëm që duhet ta rrokim siç duhet në të gjithë përmasat e tij. Pikësëpari, qeveria franceze kishte vendosur që promocioni i Legjionit të Nderit të 1 janarit 2016 të vleresonte në masën më të madhe viktimat e atentateve terroriste të Parisit që ranë në ushtrimin e detyrës së tyre siç qenë gazetarët e “Charlie Hebdo”, efektivë të policisë, apo dhe ata që treguan heroizëm për të penguar atentetet siç qenë tre të rinjtë amerikanë që evituan një masakër në trenin Amsterdam-Paris. Vetëm 22 medalje të gradës “Komandant i Legjionit të Nderit” do të jepen dhe është një suprizë tepër e këndshme që aty gjen vetëm dy shkrimtarë nga të cilët Ismail Kadare, krahas një tjetër gjigandi të letërsisë së shekullit të 20-të në Francë, Michel Tournier, 91 vjeç. Ajo që e bën dhe më pikant këtë çmim të lartë për Kadarenë është se i jepet më 2016-n, në 80 vjetorin e lindjes së tij, që në admiruesit “fanatikë” të gjeniut tonë kemi dëshirë ta quajmë viti “Kadare”.
Dhe këtu nuk duhet lënë pa përmendur roli fisnik i ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, që me iniciativën e tij nuk hezitoi t’i drejtohet vetë Presidentit Hollande. Sigurisht që Franca do t’ja jepte këtë titull shkrimtarit tonë pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje. Madje edhe çmimin Nobel, sikur të kishte qenë ky një çmim francez, aq shumë respektohet e adhurohet Kadare në Francë si një penë që i takon edhe thesarit kulturor francez e botëror. Por ambasadori ynë pati finesën t’i kujtojë presidentit Hollande, se më 2016, ky çmim do të ishte një dhuratë sa e bukur aq dhe simbolike. Midis të tjerash ai i shkruan: “Zoti President, për këto merita që përmenda më sipër, vendi im, Shqipëria, do të ishte sinqerisht e nderuar, e privilegjuar dhe mirënjohëse për ngritjen e zotit Kadare në këtë gradë të lartë të dekorimeve franceze që do të korrespondonte për më tepër me 80-vjetorin e lindjes së tij, më 28 janar 1936. Dekorimi i zotit Kadare që jeton midis Francës dhe Shqipërisë do të ishte mënyra më e bukur për ta forcuar dhe më shumë urën e miqësisë franko-shqiptare që ka vetë Kadarenë si mbështetësin e saj më të zjarrtë”.
Hollande e kreu gjestin e tij ndaj Kadaresë dhe Shqipërisë në një moment kur atij i lipsej më shumë që t’i çonte mesazh opinionit të tij publik në luftën kundër terrorizmit me medalje për heronjtë e kësaj lufte. Ai meriton mirënjohjen tonë. Le të guxojme dhe të ëndërrojmë më tepër. Juridikisht, hyrja në Legjionin e Nderit francez dhe në gradat e tij superiore, nuk përmbushet me botimin e dekretit në fletoren zyrtare. Kadare do të konsiderohet plotësisht Komandant i Legjionit të Nderit vetëm pas varjes së kësaj dekorate në gjoksin e tij nga një personalitet i lartë francez. Kjo ceremoni zyrtare është e parashikuar për të githë ata që pranohen në Legjionin e Nderit dhe shpesh organizohet nga ministri i fushës së meritave të të dekoruarve. Të paktë janë ata që e marrin dekoratën në Pallatin e Elizesë nga dora vetë e presidentit të Republikës franceze.
Një moment solemn ku përfaqesuesi i shtetit francez dhe i dekoruari i Legjionit të Nderit, mbajnë një fjalim që mbetet në anale. Kur medaljen e Legjionit të Nderit, (në gradën Oficer) e mori më 2005 botuesi i Kadaresë, i famshmi Klod Durand i shtëpisë botuese “Fayard”, ceremoninë e zhvilloi ministri i Kultures së asaj kohe Donnedieu de Vabres. Mirënjohjen e Francës ndaj këtij botuesi të madh ministri e justifikoi në fjalimin e tij dhe me arsyen se “përveç letërsisë bashkëkohore franceze, ju keni meritën e lartë që na keni zbuluar autorë të huaj të mrekullueshëm, si mikun tuaj shkrimtarin Ismail Kadare”.
S’do të kishte gjest më të mahnitshëm sikur vetë Kadaresë mirënjohjen e Francës, t’ja deklaronte nga Pallati i Elizesë, Fransua Hollande me fjalët “Bon anniversaire Maître”, si një prelud i çmimit Nobel, që pak shkrimtarë në aktivitet e meritojnë kaq shumë. Sido që të jetë, Fransua Hollande e tha tashmë fjalën e tij solemne me Dekretin presidencial të 31 dhjetorit 2015 që e fton shkrimtarin tonë të madh të hyjë në gradën e Komandantit të Legjionit të Nderit. Dhe kjo duhet festuar. Gëzuar vitin 2016-Viti Kadare! /Shekulli/
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’