Nga: Fadil Lepaja
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas lufte në Kosovë, përkundër presionit qytetar vendor dhe atij evropian që shoqëria të demokratizohet dhe që shteti të lirohet nga ngufatja e krimit të organizuar dhe korrupsionit gjithëpërfshirës, oligarkia kosovare, kjo klasë e pasuruar rrufeshëm dhe skajshëm prej (pas)lufte, po e drejton energjinë e veprimit, e me këtë edhe vendin në një drejtim tjetër, në atë të një konflikti ndërfetar ku shpreson që të imponohet si forca e vetme e organizuar e cila mund të përballet me terrorizmin.
Sikurse në të gjitha vendet “islame”, oligarkia po rrëshqet në konservatorizëm për shkak të ruajtjes së pasurisë dhe privilegjeve – gjithsesi të grabitura nga qytetarët.
Kur shikohen rezultatet e modelit kosovar, sidomos krizën aktuale, shumëkush e ka të vështirë me e pa këtë si një model suksesi. Por,. në fakt, ky është një dëshpërim i parakohshëm, sepse krejt kjo paraqet veç një pjesë të projektit të ndërtimit të marrëdhënieve të reja të perëndimit me “civilizimin islam”, me gjithë diferencimet dhe dallimet brenda tyre.
Perëndimi dhe krishterimi, përkundër dëshirës tonë, nuk arrijnë të na shohin jashtë kësaj vije. Ideja e demokracisë, ajo e vullnetit qytetar, në ballafaqim me idenë e sundimit në emër të Zotit, në kokat e qytetarëve të vendeve me shumicë myslimane kanë hapur një front lufte e cila për shkak se shtytja vjen nga jashtë, ka marrë përmasat e një lufte civilizimesh në vend se të një revolucioni autokton demokratik si kishte ndodhur me botën perëndimore kur u mund teokracia dhe Mesjeta në përgjithësi, ndërsa fitoi shteti laik dhe qytetaria. Edhe në “Pranverën Arabe” ideja e lirisë devijoi prej angazhimit për demokraci, në një angazhim antikolonialist, nën frymën e konservatorizmit, me çka oligarkët e këtyre vendeve të pasuruar nga privilegjet refuzuan demokratizimin dhe vullnetin e lirë të qytetarëve duke pasur frikë për veten.
Krejt kjo na bënë të rishikojmë pikëtakimet dhe pikëdallimet e modelit kosovar dhe atij sirian, të ndërhyrjes ndërkombëtare, ku si rezultat I tyre në Kosovë patëm edhe hyrjen triumfale të këmbësorisë, ndërkohë që në Siri kjo ndërhyrje ende po duket e largët, duke pasur parasysh dhe ambiciet dhe përfshirje e faktorëve tjerë të cilët në luftën dhe paqen e Kosovës, në fakt, nuk ishin edhe aq të përfshirë, si: Rusia, Irani, Izraeli, vendet arabe etj.
Sidoqoftë, bëhet fjalë për dy segmente të një rruge të rëndësishme (e cila nuk duhet kuptuar veç si infrastrukturë) e cila lidh tri kontinente dhe nëpër të cilën (para)kalojnë “mallra” prej qindra e mijëra bilionë. Derisa segmenti kosovar, përmes një plani të shthurjes së konjukturës së mëparshme dhe një plani integrues për Ballkanin Perëndimor po afrohet kah “rehatimi”, hapja e segmentit sirian ka hapur edhe dilemën për “korridorin” iranian apo saudit drejt Evropës nga zgjidhja e së cilës, apo ndonjë kompromis eventual, do të dilte edhe zgjidhja politike dhe civilizuese e cila këtë hapësirë do të mund ta “rehatonte” për një periudhë më afatgjatë.
Sidoqoftë, nyja siriane po duket më e komplikuar se ajo kosovare, edhe pse Perëndimi tashmë kishte përvojën ballkanike dhe atë të Afganistanit dhe Irakut. Dy modele të (mos)ndërhyrjes në vende ku popullsia me besim islam përbën shumicën, dhe i ishte nënshtruar një gjenocidi, sikurse Bosnja dhe Kosova, padyshim paraqesin dy modele të ndërhyrjes së NATO-s në të cilat ekstremi fetar nuk arriti të jetë aq dominues sa ishte në Afganistan dhe Irak, edhe pse në Bosnje religjioni luajti një rol esencial. Kleronacionalizmi serb pretendonte se po lufton për të mbrojtur Evropën.
Zgjimi fetar në Turqi dhe rikthimi i fesë si pjesë dominonte e identitetit neo-osmanist, krijoi komplikime në vet Turqinë si dhe në krejt Ballkan duke e prishur kështu “baraspeshën njëshekullore të civilizimeve” dhe duke u dhënë këtyre ambicieve ruse dhe serbe arsyetimin e munguar të luftës së tyre të “shenjtë” kundër rrezikut islamik.
A do të jetë Siria shteti I tretë në botë me popullsi shumicë myslimane, vendi ku Perëndimi do të përsëris modelin e ndërhyrjes, nën autoritetin e OKB, për të shpëtuar qytetarët nga gjenocidi, për të kthyer refugjatët dhe për ndërtuar për ta një shtet dhe shoqëri demokratike nga e para?
Duke qenë se vendet dhe popujt e ndryshëm, të cilat përgjatë historisë, sa nga vullneti I lire e sa nga pushtimet u dominuan nga islami, por u dominuan kryesisht nga rregullat mesjetare se legjitimiteti vjen prej qielli dhe librit të shenjtë, Perëndimi pas ndërhyrjes ushtarake do të detyrohet të ndërtojë diçka të qëndrueshme, një vetëqeverisje të banorëve autoktonë të këtyre vendeve nënë autoritetin e OKB-së, duke e krijuar legjitimitetin nga vullneti i tyre, nga vota e tyre.
A është modeli kosovar i aplikueshëm atje dhe përvoja kosovare a do të jetë çelësi për modernizimin e shoqërive të tjera “islame”, mbetet të shihet, së paku deri në fund të kësaj decenie, edhe pse një fund i këtij konflikti të islamit politik me Perëndimin ende duket i largët.
Në fakt, ngjashmëritë në mes luftës të Kosovës dhe Sirisë janë reale. Dhuna shtetërore serbe që synonte shfarosjen etnike të boshnjakëve dhe shqiptarëve, me arsyetime fetare dhe ideologjike që e zhvillonte regjimi serb, në fakt ishte po aq përjashtuese dhe po aq fanatike sa edhe ISIS-i. Derisa ISIS-i udhëhiqet nga një urrejtje dhe një synim për shkatërrimin e çdo gjëje që nuk është islame, kleronacionalizmi serb luftën kundër terrorizmit islamik e përdor si armën kryesore , të cilën nuk heziton as të e prodhojë edhe aty ku nuk ka diçka të tillë.
Shumica e kosovarëve do të ndiheshin të ofenduar nëse Kosova në çfarëdo konteksti të krahasohej me Sirinë. Sidomos sepse problem sirian lidhet me fenë dhe me luftën qytetare. Armiku i jashtëm në Siri është krejt tjetër, krejt i paqartë ashtu siç është e paqartë se kush nga forcat e brendshme lufton për Sirinë e pavarur dhe për demokracinë, siç dihej në Kosovë.
Në nën tjetër, në Siri lufta filloi si rebelim kundër diktatorit Assad, i cili po e vazhdonte abuzimin e të atit me këtë vend me një qytetërim të lashtë. Ushtria Çlirimtare e Sirisë, për arsye nga më të ndryshmet dhe kryesisht falë hezitimeve perëndimore për t’u përfshirë direkt (edhe) në këtë konflikt, dështoi të jetë katalizator dhe drejtuese e procesit. Pastaj u përfshinë edhe lëvizja islamiste antiperëndimore e cila në rënien e disa diktatorëve në “Pranverën Arabe” po shihte shansin e saj, dhe kështu modeli I kaosit u kompletua.
Ndoshta do të vazhdonte edhe gjatë ky konflikt, i cili po shkatërronte jo vetëm këtë vend, por po e ndryshonte edhe hartën e regjionit, sikur një “dorë e padukshme” ndërkombëtare të mos e drejtonte valën e refugjatëve drejt Evropës i cili falë mediave po dukej sikur një invadim i saj. Drama e refugjatëve nuk mund të mos shihet sërish si e paralajmëruar me eksodin kosovar drejt BE-së, një vit më parë. Vështirë duket edhe me i ikë përshtypjes për skenar të njëjtë dhe madje duar të njëjta nën rrogozin e kësaj “loje”!
Sidoqoftë, përpos që preku ndërgjegjen e njerëzimit, drama e refugjatëve nxiti edhe reaksionin qytetarë e institucional të Perëndimit, në formën e refuzimit të këtij vërshimi i cili u keqpërdor skajshëm nga militantët islamikë. Në fakt, ata shfrytëzuan këtë valë për të infiltruar militantë të cilët në emër të hakmarrjes kryen krime morbide brenda vet BE-së, sidomos në Francë, por edhe ndaj qytetarëve perëndimorë kudo ku mbërrinte dora e tyre, e sidomos nëpër vende turistike të botës arabe. Në këtë mënyrë, u aktivizuan edhe gjenerata e dytë apo e tretë e emigrantëve nga vendet “islame” duke e bërë kështu gati të pamundur integrimin e tyre në shoqëri dhe duke e rrënuar besimin dhe bashkëjetesën në mes të kulturave në zemër të Evropës.
Kjo e bën të domosdoshëm kthimin euroatlantik kah konflikti sirian dhe përgatitjen e terrenit për kthimin e tyre në vendin e vet. Me këtë do të lidhej edhe hallka e munguar e një zinxhiri të vendeve “islame” me institucione demokratike dhe me sistem të vlerave i cili përfundimisht do të hapte rrugën e integrimit të vendeve “islamike” në shoqërinë e hapur globale dhe duke e mundur izolacionizmin konservator do të shpaloste energjitë krijuese dhe pse jo edhe sfidën ekonomike të këtyre vendeve, në tregun global.
Këtu vijmë te disa ngjashmëri, të cilat na bëjnë të mendojmë dhe të shpresojmë se zhvillimet me refugjatët do të sjellin deri te një ndërhyrje e përgjithshme dhe një rikthim i refugjatëve në vendin e tyre me një projekt gjithëpërfshirës të rindërtimit të vendit dhe ndërtimit të institucioneve dhe ligjeve demokratike, ku qytetarët nuk do të nënshtrohen autoritetit të ideokracisë, as të teokracisë, apo diktatorëve lokalë, por do të kuptojnë fuqinë e vet dhe do të shprehin vullnetin e vet politik.
Kështu gjithsesi vijmë deri te UNMIS (si UNMIK-u në Kosovë), një organizëm ndërkombëtar i cili do ta ndërtonte vetëqeverisjen në një vend i cili do të themelohet në këto hapësira, me vullnetin dhe garancitë edhe të fqinjëve dhe sidomos të NATO-s dhe fuqive të tjera globale. Përkundër korrupsionit të njohur në OKB dhe derivatet e saj, kjo do të krijonte mundësinë të hapen themelet e institucioneve të reja laike, të krijohen ligjet themelore dhe mbi të gjitha të krijohej një klasë politike e formuar nga vullneti qytetarë dhe jo nga imamët.
Kështu, fryma e mospranimit për refugjatët, pamundësia e integrimit të tyre në shoqërinë evropiane për shkak të insistimit në normat mesjetare të sjelljes dhe organizimit shoqërorë, e cila solli dhe mobilizimi të përgjithshëm kundër tyre, sugjerojnë përdorimin e kësaj energjie që modelin institucional perëndimorë me qytetarin si burim të legjitimitetit, ta ndihmojnë të ndërtohet atje, bashkë me mbështetjen ushtarake dhe me mbështetjen ekonomike për një projekt të tillë. Këtu, në këtë projekt mund të përdoret suksesshëm edhe dija, përvoja dhe kapitali i refugjatëve të mëhershëm nga ky vend dhe nga regjioni.
Në fakt, çdo alternativë tjetër e cila pranon kolonat e pafund të refugjatëve, pa investuar dhe ndihmuar për paqen, dhe ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik atje, në vet vendin e origjinës së tyre, do të sjellë në Evropë vetëm njësite luftarake të pafund dhe luftën e civilizimeve nëpër ambiente ku si front lufte dhe objekt sulmi mund të jetë çdo civil dhe çdo vend publik.
Në fakt, sado që të jetë kostoja e kësaj, gjithsesi do të jetë më e vogël sesa zhvillimi i luftës totale në territorin evropian me të cilin kontinenti i vjetër është sfiduar aktualisht..!
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...