Google ADS

Istogu duhet të votoj ndryshimin për një jetë më ndryshe për qytetarin

22:04 | 9 Nëntor 2021
A Z

Shkruan: Arlind Bajra

Istogu do të duhet të votoj ndryshimin për një jetë më ndryshe për qytetarin

Në Istog nuk ka punësim të mirëfilltë për të rejat e të rinjtë istogas me diploma bachelor e master për shkak të keqqeverisjes 21 vjeçare në këtë Komunë, korrupsionit, tenderomanisë, mosrespektimit të kritereve profesionale në institucionin  e konkursit, mos hapjes së fabrikave, më konkretisht për shkak të ushtrimit të ndikimit të pozitave udhëheqëse nga një grup njerëzish me afera korruptive e skandale në çdo dimension publik.

Edhe sot kur jemi në prag të daljes në zgjedhje për balotazh për të dytën herë Istogu dhe qytetarët përballen me mungesat jetike siç janë furnizimi i ujit me pije, lërja mënjanë e disa fshatrave me rrugë të paasfaltuar, ose zvarritja e asfaltimit të këtyre rrugëve deri në këtë kohë shkel e shko sa për poenë politik, arsim skajshmërish të politizuar me drejtor të paprecedent të degradimit të arsimit dhe rinisë ( në Gjimnazin ” Haxhi Zeka”), shëndetësi pa kapacitete të mjaftueshme të ofrimeve shëndetësore, bujqësi të pa investuar sa duhet e si duhet, bjeshkë e pyje të pashfrytëzuara e pa investuar për turizëm, zhvillim ekonomik të cekët e shumë çka tjetër me mangësi në këtë Komunë.

Në Istog nuk është investuar thuajse fare në të ashtuquajturën ” Shtëpia e Kulturës” si qendra kryesore dhe e vetme për promovimin e dimensionit të  Kulturës dhe Artit në Istog kur ja shtojmë edhe faktin tjetër që profesionistët e kësaj qendre edhe ashtu të rrallë nuk janë e nuk përkrahen në aspektin infrastrukturor e financier që ti zhvillojnë aktivitetet dhe objektivat e të rinjve e të rejave ashtu siç e kërkon modernizimi kulturor, rinor e shoqërorë.

Istogu është i rropatur nga ata te cilët e kanë degraduar sistemin institucional publik përmes punësimeve partiake e militanteske dhe një kllape te korruptuarish të cilët duhet të janë përgjegjës për te këqijat të cilat ua kanë shkaktuar mbi dy dekada qytetarëve dhe Istogut si Komunë.

Të gjithë ata qytetarë- profesionistë të cilët nuk janë konformistë kundër këtij sistemi të kontaminuar me nuanca komunisto- partiake etj, luftohen me çdo mjet të mundshëm pavarësisht se profesionistët e vërtetë nuk shantazhohen , frikohen , apo tërhiqen nga parimet dhe e drejta e tyre.

Megjithatë një pjesë e madhe e të punësuarave në institucionet publike në këtë komunë janë punësime e emërime partiake, servil dhe sahanlëpirës të cilët nuk kanë interesin e përgjithshëm shoqërorë por atë personal, e në anën tjetër disa të tjerë  të punësuar nuk janë të zëshëm në adresimin e kritikave reale në lidhje me gjendjen e  keq menaxhimit, korrupsionit. Pa punësimit, intereferimeve politike dhe parregullsive të shumëfishta në Komunën e Istogut dhe në institucionet e saj për shkak të hakmarrjes eventuale për largim nga puna ose për shkak se ju konvenon kjo ” gjendje ekzistuese”

Të gjeturat në këtë Komunë tregojnë se ata të cilët kanë qeverisur janë fajtorët më të mëdhenj të gjendjes e cila e shpërfaq Istogun dhe shoqërinë istogase si një vend mjaftë të pazhvilluar në shumë segmente.

Vet fakti që në zgjedhjet e 17 tetorit, sovrani kishte vendosur për ndryshim të kësaj gjendje ekzistuese, duhet të jetë një dritë në fund të tunelit se më 14 nëntor nëse qytetaret istogas e dëshirojnë me të vërtetë ndryshimin duhet të e përkrahin dhe të e votojnë atë.

Ka perënduar koha e komunizmit dhe e izmave të tjerë, ka përfunduar koha e diferencimeve për shkak se nuk ishe anëtar apo  vegël e instrumenteve demagogjike për përfitime personale e partiake, përfunduar koha  kur pozitat trashëgoheshin nga brezi në brez apo nëpërmjet fronit si në kohen e monarkive.

Është koha e individualitetit, punës, meritokracisë.

Istogu dhe qytetaret e saj kanë nevojë për këndellje, ndryshim dhe vetëdijesim individual e shoqëror për të përkrahur një udhëheqës energjik, të fjalës e punëtor i cili është i dëshmuar .

Istogut i nevojitet për kryetar ai i cili i thotë JO  të keqes, korrupsionit, padrejtësive dhe e lufton të keqën me fjalë e me vepër, për Istogun e ndryshimit, progresit dhe ardhmërisë së gjeneratave të reja, për një kryetar atdhetar, të pa korruptuar, jo servil, të pa shantazhuar dhe mbi të gjitha për një kryetar që e mbron dhe e zhvillon Istogun pa dukuritë negative.

(Opinioni nuk pasqyron qëndrimin editorial të portalit arbresh.info)

 

Të ngjashme