Shkruan: Prof. Dr. Sejdi Rexhepi
Para disa ditësh, Qeveria e Kosovës ka ndarë diku rreth 60 milion fonde buxhetor, nga pakoja e përgjithshme për rimëkëmbjen ekonomike prej 385 milionë të paraparë për këtë vit, për të përkrahur bizneset për të tejkaluar vështirësitë që janë shfaqur nga Pandemia Covid 19.
Duke qenë se shumë biznese në këtë vit janë ballafaquar me shumë vështirësi të cilat kanë rezultuar edhe me zvogëlim të aktivit afarist, e madje në disa raste edhe me ndërprerje të aktivitetit ekonomik, atëherë natyrshëm rrjedh përfundimi, se çdo formë e përkrahjes për biznese është e mirëseardhur.
Po sa këto mjete janë të mjaftueshme për rimëkëmbjen ekonomike, dhe vërtetë këto fonde a janë shpërndarë në mënyrë të drejtë, përkatësisht a kanë shkua te ato biznese të cilat janë prekur më së shumti nga pandemia? Kësaj pyetje i dha përgjigje vetë Kryeministri i Qeverisë së Kosovës i cili më një status në Facebook, përmes edhe të një pasqyrimi tabelor konstatoj se “Jam shumë i lumtur të ndajë me ju lajmin se kemi filluar shpërndarjen e 60 mil eurove, nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike. Struktura e bizneseve përfituese siç është prezantuar në tabelë, tregon që përmes kësaj mase më së shumti përfitojnë bizneset e vogla të cilat punësojnë prej 1 deri në 50 punonjës”.
Për të shkruar këtë shkrim më nxiti mu kjo deklaratë, sepse po të analizohet tabela që ka prezantuar ai, krijohet një dilemë se a thua është i saktë ky konstatim, pra a kanë përfituar pjesën më të madhe të fondeve bizneset e vogla, apo është e kundërta, përfitues janë kryesisht bizneset e mëdha? Për të nxjerrë përfundime meritore, më poshtë do të prezantojë tabelën e njëjtë me disa analiza shtesë.
Nëse analizojmë me kujdes këto të dhëna, do të shohim se në realitet janë bizneset e mëdha që përfitojnë më së shumti nga kjo pako e rimëkëmbjes ekonomike. Nuk nevojitet që të bëhen kalkulime të vështira për të kuptuar se një biznes i madh që ka mbi 301 punëtor e që në Kosovë janë vetëm 30 biznese, del se secili prej tyre do të përfitoj hiq më pak se 203,333.33 € pa marrë parasysh se a është prekur apo jo nga efektet e Pandemisë COVID 19. Ashtu siç është prezantuar në tabelën e Kryeministrit, subvencioni total për këto biznese do të jetë 6.100.000€ që kur pjesëtohen me 30 biznese del që secili të përfitoj nga kjo pako subvencion prej 203.333.33€.
Përkundër faktit që Kryeministri ka deklaruar se nga kjo pako përfitojnë kryesisht bizneset e vogla, e vërteta është se ata përfitojnë një ”lëmosh” që nuk ju ndihmon asgjë. Po ti analizojmë të dhënat nga tabela del se në Kosovë ka 33,600 biznese që punësojnë nga 1-10 punëtor, kurse shuma totale e subvencioneve që përfitojnë këto biznese është 27,300,000€. Në këtë mënyrë, del se një biznes do të përfitoj vetëm 812€. Një shumë e tillë një biznesi të vogël, nuk do ti ndihmoj as të rimëkëmbet e as të vazhdoj aktivitetin afarist.
Nëse të dhënat për këto biznese do ti rigrupojmë në dy grupe, ku në grupin e parë, bizneset e vogla do ti quaj ato që punësojnë nga 1 deri në 50 punëtor siç i ka publikuar kryeministri, atëherë del se shuma totale e fondeve të përfituar nga ky grup është 36,301,000€, kurse numri total i bizneseve në këtë grup është 36,679 biznese, prej nga del se në mesatare secili biznes përfiton subvencion nga 1,193€, kurse punësojnë në total 149,252 punëtorë (94,090+55,162), ose 72.15% të t’ gjithë të punësuarve të bizneseve përfituese.
Po kështu nëse do ti grupojmë në grupin e dytë të gjitha bizneset që punësojnë nga 51 e më shumë punëtor në grupin qe do ti quajmë biznese të mesme dhe të mëdha, atëherë do të shohim se shuma totale e fondeve të përfituara nga ky grup është16,700,000€, kurse numri total i bizneseve në këtë grup është 378 biznese, prej nga del se në mesatare secili biznes përfiton nga 44,180€, kurse punësojnë 57,599 punëtor (15,075+14,390+7,104+21,030), ose 27.85% të t’ gjithë të punësuarve të bizneseve përfituese.
Pra, sido që ti analizojmë këto të dhëna, del se kjo pjesë e fondeve të pakos së rimëkëmbjes ekonomike prej 60 milion, kryesisht ka shkua për bizneset e mëdha, dhe veçanërisht ato më të mëdhatë siç e pamë nga më lartë.
Duke mos dashur me polemizua me këto fakte, konsideroj se janë tri çështje kryesore të cilat duhet pasur parasysh kur flasim për ndarjen e mjeteve për përkrahje të rimëkëmbjes ekonomike. E para, kriteri bazë për ndarjen e këtyre fondeve kësaj radhe ka qenë numri i të punësuarve që figurojnë në listat e punëtorëve të bizneseve në dy data të ndryshme dhe atë, dhjetori i vitit 2019 dhe korriku i vitit 2020. Sipas kësaj bazë, del se ndarja e subvencioneve për rimëkëmbje është bërë pa ndonjë kriter të matshëm vlerësues. Kështu do të përfitojnë para edhe bizneset të cilat gjatë periudhës së pandemisë kanë pas rritje të aktivitetit ekonomik dhe madje edhe i kanë rritë përfitimet, që në esencë nuk është dashur të subvencionohen. Nëse vazhdohet në këtë kriter të përkrahjes edhe me pjesën tjetër të fondeve të rimëkëmbjes, atëherë në këtë mënyrë pjesa më e madhe e parave do të shkojnë te bizneset e fuqishme që edhe gjatë pandemisë kanë pas përfitime, ose janë zhvilluar më shpejt duke shfrytëzuar tregun e krijuar. Përkundër kësaj, bizneset e vogla dhe ato të cilat kanë ndërprerë aktivitetin ekonomik do të përfitojnë shumë pak ose jo mjaftueshëm për të rifilluar aktivitetin ekonomik.
Së dyti, nga kjo pako e ndihmës nuk do të përfitojnë asgjë të punësuarit, për faktin se mjetet do të ju barten në llogari të bizneseve, duke marrë parasysh numrin e të punësuarve, por jo në llogari të t’ punësuarve. Ne e dimi se emrat e të punëtorëve gjinden në regjistrat e EDI-t sipas gjendjeve të kërkuara nga Ministria e Financave, por në realitet, shumë nga ata punëtorë që figurojnë në ato evidenca në datat e përcaktuara, mund të jenë të larguar nga puna (gjë që është fakt). Sigurisht se mbetet pak shpresë që ish punëdhënësit pas kësaj përkrahje nga qeveria, do ti ftojë dhe do të ju japin së paku nga 170.00€ ish punëtorëve.
Së treti, konsideroj se nuk është përpunuar një plan i detajuar për të përcaktuar se kush mund të përfitoj fonde e kush jo. Nisja nga kriteri themelor që bazohet kryesisht në listat e të punësuarve, vetëm sa do të thellojë forcimin e monopoleve dhe përfituesve “të përkëdhelur” të cilët edhe gjatë pandemisë janë prekur pak ose fare. Kjo nuk nënkupton se bizneset e mëdha nuk duhet përkrahen, përkundrazi, ato jonë promotor i ekonomisë, por në këtë periudhë në të cilën ndodhet ekonomia e vendit, duhet të përkrahen ato biznese të mëdha që realisht kanë pësuar dëme, ose kanë pas rënie të aktivitetit si rezultat i pandemisë.
Konstatoj se, cilado formë e përkrahjes që ju bëhet bizneseve nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, ajo duhet të niset nga një kriter bazë, e që është dëmi që biznesi ka pas si rezultat i pandemisë. Duhet të gjinden tregues të matshëm të cilët e arsyetojnë që një biznes mund ti përfitoj qindra mijëra euro, siç i kanë përfituar me këtë shpërndarje. P.sh., një kriter shumë i thjeshtë do të ishte dhënia e subvencioneve në formë të diferencuar sipas sektorëve. Sot, edhe qytetari i rëndomtë e di se cilët sektor kanë pësuar më së shumti gjatë kësaj periudhe. Por, qeveria ka mundësi për të përcaktuar më shumë kritere në mënyrë shumë më “kreative”.
Duke mos pas një plan apo programi që arsyeton ndarjen e fondeve sipas kriterit bazë, e që është dëmi i pësuar, e bënë këtë ndarje “paushalle”, jo transparente dhe favorizuese për “të fuqishmit”.
Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”
Kumbaro ndan pamje nga Kisha e Shën Marisë, u uron përmetarë...
3.6 miliardë euro për 2025, Kurti: Ky buxhet është i qytetar...
Incidenti me armë në Prishtinë, gjendja e dy të lënduarve ës...
Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor
Murati falënderon deputetët pas miratimit të buxhetit në Kuv...
Ukraina qëllon Rusinë me raketa britanike me rreze të gjatë ...