Rusia po përpiqet të tregojë se NATO është e pafuqishme për ta ndalur atë. A do të ketë sukses? Kjo varet nga vullneti politik i perëndimit teksa çmimet e energjisë po rriten.
Nga Philip Short*, The Guardian
Gati 6 muaj pas pushtimit rus të Ukrainës, ka ende paqartësi në perëndim mbi motivet e Vladimir Putinit.
Ky është më shumë se një interes akademik. Nëse nuk biem dakord se pse Putini vendosi të pushtojë Ukrainën dhe çfarë dëshiron të arrijë, ne nuk mund të përcaktojmë se çfarë do të përbënte fitore ose humbje për secilën nga palët ndërluftuese dhe konturet e një përfundimi të mundshëm.
Në një moment, si të gjitha luftërat, konflikti aktual do të përfundojë. Gjeografia i ka dënuar Ukrainën dhe Rusinë të jetojnë pranë njëra-tjetrës dhe kjo nuk do të ndryshojë. Ato përfundimisht do të duhet të gjejnë një “modus vivendi”. Kjo vlen edhe për Evropën dhe Rusinë, megjithëse mund të duhen dekada përpara se krisja të riparohet.
Pse, atëherë, Putini u përfshi kaq shumë në një sipërmarrje me rrezik të lartë që në rastin më të mirë do t’i sjellë atij një kontroll të dobët në një tokë të shkatërruar?
Në fillim u tha se ai ishte “një i çmendur”, sipas fjalëve të sekretarit britanik të mbrojtjes, Ben Wallace.
Putini u fotografua duke ligjëruar para shefave të tij të mbrojtjes, duke u strukur në anën tjetër të një tavoline 6 metra të gjatë.
Por jo shumë kohë më pas, të njëjtët zyrtarë u shfaqën të ulur në krah të tij. Tavolina e gjatë doli të ishte teatrale. Versioni i teorisë së “të çmendurit” e bëri atë të duket aq irracional sa çdo gjë ishte e mundur, madje edhe lufta bërthamore.
Më pas, zyrtarët perëndimorë argumentuan se Putini ishte i tmerruar nga perspektiva e një Ukraine demokratike në kufirin e Rusisë, e cila do të kërcënonte bazën e fuqisë së tij duke u treguar rusëve se edhe ata mund të jetonin ndryshe.
Në pamje të parë, kjo dukej e besueshme. Putini i urrente “revolucionet me ngjyra” që nga viti 2003 e më tej sollën ndryshimin e regjimeve në shtetet e ish-bllokut sovjetik.
Por rruga e Ukrainës është një model ndryshe. Ajo është thellësisht e korruptuar, shteti i së drejtës nuk ekziston dhe oligarkët miliarderë të saj kanë pushtet joproporcional. Nëse kjo ndryshon, inteligjenca ruse mund ta marrë vesh, por shumica e rusëve – ata që ushqehen nga propaganda shtetërore që përbëjnë bazën politike të Putinit – nuk do të kuptonin asgjë.
Pushtimi është portretizuar gjithashtu si një grabitje e drejtpërdrejtë imperialiste e territoreve. Një referencë kalimtare për Pjetrin e Madh në fillim të verës u mor si konfirmim se Putini donte të rivendoste perandorinë ruse ose në rast të dështimit, BRSS-në.
Njerëz të arsyeshëm, kryesisht në Evropën Lindore, por jo vetëm, menduan se Ukraina ishte vetëm një hap i parë. “Unë nuk do të habitesha,” – më tha një ish-ministër suedez javën e kaluar, “nëse pas disa vitesh, Estonia dhe Letonia do të ishin të radhës”.
Duke qenë se Putini dikur e quajti rënien e Bashkimit Sovjetik “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të 20-të”, kjo mund të duket se ka kuptim. Por ai tha gjithashtu se: “Kushdo që nuk pendohet për shkatërrimin [e BRSS] nuk ka zemër; kushdo që dëshiron ta shohë atë të rikrijuar nuk ka tru.”
Duke lënë mënjanë faktin se ushtria ruse tashmë është nën presion për të arritur suksese, qoftë edhe modeste në Ukrainë, një sulm ndaj shteteve baltike ose Polonisë do t’i sillte ata në konflikt të drejtpërdrejtë me NATO-n, që është gjëja e fundit që Moska (ose dhe perëndimi) dëshiron.
Në fakt, pushtimi i Putinit po nxitet nga konsiderata të tjera.
Ai ka qenë i fiksuar me Ukrainën që shumë kohë përpara se të vinte në pushtet. Që në vitin 1994, kur ishte nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut, ai shprehu zemërimin që Krimea ishte bashkuar me Ukrainën.
“Rusia e fitoi Krimenë nga turqit!” – i tha ai një diplomati francez atë vit, duke iu referuar disfatës së Rusisë ndaj Perandorisë Osmane në shekullin e 18-të.
Ishte mundësia, e diskutuar në një samit të NATO-s në 2008, që Ukraina të bëhej një anëtare e plotë e aleancës perëndimore që e ktheu në toksik qëndrimin e tij.
Bill Burns, tani kreu i CIA-s, i cili në atë kohë ishte ambasador i SHBA-së në Moskë, shkroi në atë kohë në një kabllo sekrete drejtuar Shtëpisë së Bardhë: “Hyrja e Ukrainës në NATO është vija më e ndezur e të gjitha linjave të kuqe për elitën ruse (jo vetëm Putin).
Në bisedat e mia prej më shumë se 2 vjet e gjysmë me personalitet kryesore rusë, nga ata që zvarriten në skutat e errëta të Kremlinit deri te kritikët më të mprehtë liberalë të Putinit, nuk kam gjetur ende dikë që e sheh Ukrainën në NATO si diçka tjetër përveçse një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj interesave të Rusisë… Rusia e sotme do të përgjigjet.”
Administratat e njëpasnjëshme amerikane e injoruan paralajmërimin e Burns dhe Putin u përgjigj. Në vitin 2014, ai aneksoi Krimenë; më pas ai nxiti një revoltë separatiste në Donbas; dhe 1në fund, në shkurt të këtij viti, ai nisi një luftë brutale, të padeklaruar për ta rrënuar Ukrainën deri në fund.
Zgjerimi i NATO-s ishte thjesht maja e ajsbergut. Shumë pakënaqësi të tjera ndaj perëndimit ishin grumbulluar në dy dekadat që Putin kishte qenë në pushtet. Nga fundi i vitit 2020, kur filloi plani për një sulm kundër Kievit, “rrota kishte bërë rrethin e plotë”.
Udhëheqësi i ri rus që i kishte bërë aq shumë përshtypje Tony Blair dhe Bill Clinton, të cilin e kishte mbështetur edhe George W. Bush deri në 11 shtator dhe që kishin këmbëngulur që Rusia e kishte vendin me Evropën dhe botën perëndimore, ishte shndërruar dalëngadalë në një kundërshtar të paepur, të bindur se SHBA dhe aleatët e saj ishin të vendosur për të gjunjëzuar Rusinë.
Politikanët perëndimorë e hedhin poshtë këtë ide duke e konsideruar si paranojake. Problemi nuk janë qëllimet e perëndimit, por se si i interpreton gjërat Kremlini.
Qëllimi i Putinit nuk është vetëm të neutralizojë regjimin në Kiev, por, më e rëndësishmja, të tregojë se NATO është e pafuqishme për t’a ndaluar atë. Nëse gjatë procesit ai zhduk kulturën ukrainase në zonat që Rusia pushton, ky nuk është dëm kolateral: është një bonus.
Nëse ai do të ketë sukses do të varet nga situata në fushën e betejës, e cila nga ana tjetër do të varet nga shtrirja e mbështetjes perëndimore gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur mungesat e energjisë dhe një kosto në rritje e jetesës rrezikojnë t’i vënë partnerët perëndimorë të Ukrainës sërish nën stres.
Moska nuk duhet të arrijë shumë që Putini të pretendojë fitoren. Do të mjaftonte që Rusia të kontrollonte të gjithë Donbasin dhe urën tokësore për në Krime. Ai me siguri do të donte më shumë.
Nëse trupat ruse marrin Odesën dhe bregdetin e Detit të Zi, kjo do ta kthejë Ukrainën në vasalitet. Por fitimet edhe më modeste do të tregonin kufijtë e fuqisë së SHBA-së. Është e mundur që Ukraina, me mbështetjen e fortë perëndimore, do të jetë në gjendje ta parandalojë këtë. Por kjo nuk është aspak e sigurt.
Lufta në Ukrainë nuk po ndodh e izoluar. Ndërsa Rusia po kundërshton rendin e sigurisë të udhëhequr nga SHBA në Evropë, Kina po e sfidon atë në Azi. Një tranzicion gjeopolitik ka filluar, rezultatet e të cilit mund të mos jenë plotësisht të dukshme për dekada. Por rendi i pasluftës së ftohtë që ka qeverisur botën për 30 vitet e fundit po i afrohet fundit. Nga rënia e tij, do të shfaqet një ekuilibër i ri fuqie.
*Philip Short është historian dhe ka shkruar disa biografi duke përfshirë edhe “Putin: His Life and Times”, “Mao: A Life” dhe “Pol Pot, History of a Nightmare”. Ai ka një karriere të gjatë si korrespondent i huaj për BBC në Moskë, Uashington dhe kryeqytete të tjera botërore./lapsi/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...