Bruksel. Shtete të ndryshme e kanë refuzuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është ajo që ambasadorët e vendeve anëtare do të thonë në takimin e përjavshëm të së mërkurës me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.
Për shkak se ky vendim kërkon unanimitetin e 28 vendeve anëtare përjashtohet mundësia që të ketë një vendim përpara verës për 2 vendet e Ballkanit Perëndimor që ato të hedhin një hap përpara në anëtarësimin në BE. Edhe një vizitë në Bruksel e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev nuk e ndryshoi këtë ndjenjë.
Franca dhe Vendet e Ulëta në veçanti janë qartësisht kundër një hapje të negociatave të anëtarësimit me këto dy vende.
“Kur isha ministre kam bllokuar zgjerimin e BE-së drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kemi qenë kundër dhe mbetemi kundër. Meqë janë gjeografikisht në Europë ato duhen ndihmuar, por jo të anëtarësohen” – tha prerë Nathalie Loiseau, liderja e listës së partisë së Presidentit Emmanuel Macron, “La République en Marche” në 22 maj në një intervistë për radion franceze RTL. Loiseau, që tashmë do të kryesojë deputetët e Macron në Parlamentin Europian ka qenë në të kaluarën ministre për Europën.
Vendet e Ulëta kanë bërë edhe një hap më tepër se Franca. Ato kërkojnë fundin e regjimit të lëvizjes pa viza për qytetarët shqiptarë. Të hënën një zëdhënës i Komisionit Europian konfirmoi se kishte marrë një letër nga Holanda. Shqiptarët kanë prej vitit 2010 që lëvizin pa viza në BE ndërsa ata të Maqedonisë së Veriut një vit më shumë. Komisioni ka tashmë vetëm një muaj kohë për të ekzaminuar kërkesën e Holandës. Regjimi pa viza mund të anulohet në bazë të disa rregullave të përcaktuara ku shihet nëse ka pasur fluks të kërkesave të azilit nga vendi në fjalë apo nga ata që kanë shkelur rregullin e qëndrimit më shumë se 3 muaj pa pasur arsye të forta.
Edhe Danimarka dhe Gjermania nuk janë dakord për nisjen e negociatave të anëtarësimit me të dy vendet. Në Danimarkë, parlamenti do të rimblidhet këtë të mërkurë ku tashmë kanë marrë mazhorancën socialdemokratët. Nën drejtimin e kryetarit të partisë, Mette Frederiksen, ata janë zhvendosur mjaft drejt së djathtës ekstreme në çështje të politikës së jashtme.
Në Gjermani, përveç skepticizmit për reformat e ndjekura nga të dyja qeveritë ka edhe arsye proceduariale përse nuk është e mundur që të procedohet përpara verës. Qeveria është e detyruar të aprovojë negociatat e anëtarësimit me një vend të tretë vetëm me autorizimin e Bundestagut. Nga mbledhjet përpara pushimeve të verës ka mbetur vetëm një në fund të qershorit.
Deputetët nuk kanë pasur kohë të marrin në dorë dhe të studiojnë e të debatojnë mbi raportin e progresit të Komisionit Europian që u publikua në Bruksel vetëm javën e kaluar. Në këtë raport, Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit. Jo përpara fundit të shtatorit, Bundestagu do të jetë në gjendje të vendosë, konfirmoi të enjten e kaluar zëvendës-kryetari i grupit të CDU/CSU, Johann Wadephul.
Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë tha javën e kaluar se BE e mbështet Maqedoninë e Veriut për shkak të zgjidhjes së konfliktit me Greqinë për emrin. Gjithsesi ky argument mbetet në dyshim.
“Nuk ka qenë kurrë një kusht për zgjerimin, por vetëm për anëtarësimin në NATO” – i tha shtypit një diplomat evropian. Ai hodhi dyshime edhe për vullnetin për kryerjen e reformave në të dyja vendet.
“Shikoni protestat në Shqipëri dhe se si po reagon qeveria. A ka ndonjë përpjekje? Mos harrojmë që Komisioni e vuri në dukje krimin e organizuar që 2 apo 3 vjet përpara se dikush të reagonte”./LAPSI/
15 kilogramë eksploziv, Sveçla jep detaje nga sulmi që ndodh...
Sot zhvillohen dy ndeshje në Superligën e Kosovës, vëmendja ...
Guxo dënon sulmin në veri: Republika e Kosovës nuk iu nënsht...
Këshilli i Sigurisë me masa për sigurinë pas shpërthimit në ...
Parashikimi i motit në Shqipëri, ulen temperaturat, vranësir...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri