Dilema për dialogun
Ky është një moment i vështirë për Kosovën sepse sikur duhet të përcaktojë se ku vendoset fati i dialogut, në Washington apo në Bruksel. Në fakt, Kosova ndodhet përballë kësaj dileme tepër të komplikuar, e cila mund të përcaktojë shumçka edhe në raportet e së ardhmes
Rezultati i negociatave, nëse nuk dështojnë, është kompromisi. Ky nuk është vetëm një mësim teorik nga librat e shumtë të shkruar për diplomacinë, sepse historia e ka dëshmuar se kështu është edhe në praktikë dhe do të varet nga palët se çfarë mund të jetë ai.
Bota është dëshmitare se negociatat janë rruga më e mirë për zgjidhje të problemeve. Për më tepër, profesori i politikës ndërkombëtare në Universitetin e Leicesterit, G. R. Berridge në librin e tij “Diplomacia – Teoria dhe praktika”, i ka kushtuar një hapësirë të madhe negocimit. Sipas tij, negocimi po bëhet gjithnjë e më shumë veprimtaria kryesore e diplomacisë.
Duke pasur këtë vlerë në marrëdhëniet ndërkombëtare, rezultati i negociatave është e thënë të përcaktojë edhe harmoninë mes palëve në të ardhmen. Historia botërore është e mbushur me shembuj për ndikimin e vendimeve qoftë edhe të para 100 viteve. Ndoshta nuk kemi nevojë që të gjejmë shembuj nëpër botë për ta dëshmuar këtë, sepse mjafton të ndalemi këtu, në Ballkan, e të kujtojmë fatin e neve shqiptarëve të përcaktuar në negociata mes të tjerëve dhe me rolin tonë minimal, të pavërejtshëm, periferik apo edhe pa zërin tonë.
Të ndodhur përballë dilemës për rezultatin e synuar në dialog, në vitin e fundit është shfaqur edhe një dilemë po kaq thelbësore për Kosovën.
Edhe pse negociatat synojnë zgjidhjen e problemeve, Kosova dhe Serbia asnjëherë nuk kanë mundur të dialogojnë të vetme, pra të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta, pa prezencën e një pale tjetër. Negociatat e drejtpërdrejta, ku nuk ka nevojë për rolin ndërmjetësues të një pale të tjetër sepse palët kanë besushmëri të lartë për njëra-tjetrën, janë të pamundura për shkak të historisë që e dijmë të gjithë dhe arsyeve të shumta që i sjellë deri në ditët e sotme.
Në rrethana të tilla papërshtatshmërie, dështimi i negociatave do të ishte i sigurt dhe nuk do të ishte e vështirë të kuptohej se përse ndodhi kështu.
Duke e ditur këtë fakt, Kosova dhe Serbia janë ftuar në dialog ku në mes të tyre është ulur një palë e tretë, për të ndërmjetësuar, lehtësuar dhe kompensuar mungesën e besimit ndërmjet tyre, e cila nuk është e thënë të qëndrojë në tryezën mes palëve vetëm fizikisht. Se a është përmbushur ky rol nga Bashkimi Europian, ne të gjithë mund të kemi këndvështrimet tona.
Vetëm pas nëntë vitesh të dialogut, BE-ja emëroi emisarin special. Por, edhe kjo taktikë diplomatike, për të emëruar një person që do të merret aktivisht vetëm me këtë dialog, erdhi gati 7 muaj pasi Presidenti i ShBA-ve kishte emëruar të dërguarin e vet të posaçëm.
Pas gjithë këtyre viteve të dialogut me Serbinë i zhvilluar vetëm në Bruksel, si një truall neutral, Kosova është përballë një dileme të re dhe tepër të komplikuar. Në cilën tryezë duhet të vazhdojë të dialogojë Kosova me Serbinë? A duhet Kosova të vazhdojë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian apo duhet të ndërrojë tryezën?
Për këtë dilemë, nuk kanë përgjigje të njëjtë Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i ri. Presidenti Thaçi duket se e sheh problematike origjinën e shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe emisarit special, Miroslav Lajcak, të cilët vijnë nga vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, prandaj për të fati i marrëveshjes përfundimtare mund të vendoset në Washington, ndërsa z. Hoti kërkon një përfshirje të plotë përveç Washingtonit edhe të Brukselit. Në programin e Qeverisë të miratuar së fundmi roli i këtyre dy qendrave shihet kyç, jo vetëm në arritjen e marrëveshjes, por edhe në garantimin e zbatimit të saj.
Përgjigje të njëjtë duket se nuk kanë as amerikanët dhe europianët. Komunikimi i tyre i fundit pas votimit të qeverisë së re tingëllon më shumë si një pozicionim. Në deklaratën e të dërguarit të posaçëm amerikan, Grenell, e shkruar në vetën e parë, thuhet se: “E mirëpres Qeverinë e re të Kosovës dhe mezi pres që të rifillojë partneriteti me ta në dialogun me Serbinë”. Nëse jo në vetën e parë, Kancerlarja gjermane, Merkel, vendi i së cilës peshon më së shumti në Europën e bashkuar, e vendos këtë të fundit në rolin prijës të këtij procesi. Në letrën e saj drejtuar Kryeministrit Hoti, ajo rendit sfidat dhe njëra prej tyre është dialogu me Serbinë për normalizim, dhe ajo e ka parë të arsyeshme që ta veçojë si një dialog “i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”.
Ky është një moment i vështirë për Kosovën sepse sikur duhet të përcaktojë se ku vendoset fati i dialogut, në Washington apo në Bruksel. Në fakt, Kosova ndodhet përballë kësaj dileme tepër të komplikuar, e cila mund të përcaktojë shumçka edhe në raportet e së ardhmes.
Përgjigjja njëzëri në këtë dilemë mund të krikojë momentin e përshtatshëm për arritjen e një konsensusi politik në vend edhe për temën tjetër: përmbylljen e dialogut.
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...