Google ADS

Zgjedhni çantën e duhur nëpërmjet këtyre rregullave

18:00 | 24 Gusht 2017
Arbresh.info

Ndoshta ju ka ndodhur shpesh që pasi të ecni një kohë të caktuar me çantën në krahët tuaj të ndjeheni shumë të lodhur edhe pse nuk keni shumë gjëra në të.

Ose ndryshe, të merrni një çantë dhe të kuptoni që jo vetëm që nuk është e rehatshme por edhe nuk ju pëlqen dhe nuk ju shkon.

Epo prandaj ju duhet të ndiqni disa rregulla për të zgejdhur çantën e duhur:

Rregulla 1: Mos mendoni se një çantë nuk ka nevojë të provohet
Blerja e një çante nuk duhet të bëhet me instinkt, të paktën nëse doni që ajo t’ju përshtatet. Një çantë duhet provuar. Merreni dhe dilni me të para pasqyrës. Mbajeni në dorë, sikur të ishit me të në rrugë. Shpesh, kuptohet menjëherë nëse është çanta e duhur.
Rregulla 2: Masa e përshtatshme
Përveç të tjerash, çanta duhet të ketë masën e duhur po ashtu sikurse edhe një veshje. Sepse, ashtu si edhe një palë xhinse, një çantë mund të bëjë që t’ju duken më të bukura, por edhe më të shëmtuara, këmbët.

Kjo varet nga masa e saj. Një çantë mund ta zbukurojë, por edhe ta shëmtojë, siluetën tuaj. Pra, çanta duhet të jetë në raport të drejtë me trupin. Nëse jeni të vogla, mos ejani vërdallë me një çantë me të madhe se ju. Nëse jeni shtatlarta, shmangini mikro-çantat.

Rregulla 3: Forma e duhur
Veç përmasave, ka vlerë edhe forma. Nëse doni një rregull, atëherë mbani në mendje këtë të mëposhtmen: zgjidhni formën e kundërt me atë të trupit tuaj. Nëse jeni të gjata dhe të holla atëherë për ju bën një çantë e rrumbullakët, nëse jeni të shkurtra dhe të mbushura gjeni një çantë të “hollë”. Kjo bën diferencën.

Rregulla 4: Një çantë duhet të jetë komode
E thamë tashmë: çanta duhet provuar. Kjo nuk do të thotë vetëm që ta shihni me sy kritik në pasqyrë. Duhet ta “vishni”. Hidheni në krah, provojini dorezën. A arrini ta mbani në krah ashtu siç doni ju? Apo ju rrëshqet poshtë? Ju peshon në parakrah? Pra provojeni mirë nëse është e rehatshme apo peshon shumë.

Rregulla 5: Një çantë thekson…
Mbani parasysh që një çantë thekson pjesën e trupit ku e mbani. Një çantë, me rrip supi që arrin në lartësinë e belit, nxjerr në pah belin. Nëse nuk keni një bel të ngushtë më mirë shmangeni.

Nëse mbani një çantë të vogël në dorë, ajo do të tërheqë vëmendjen te dora (që duhet të jetë e kuruar me kujdes, sidomos nëse bëhet fjalë për një mbrëmje). Një çantë që mbahet me rrip diagonal bustit, thekson gjoksin. Mendohuni!

Rregulla 6: Pyesni veten nëse çanta është e sigurt
Çantat shërbejnë për të transportuar gjëra, pak a shumë të rëndësishme. Pyesni veten se çfarë do të mbani në të. Librat dhe revistat mund të mbahen lehtësisht në një çantë të hapur, por kur bëhet fjalë për portofolin, çështja ndryshon. Është si të gjendesh para një dere të hapur. Pra, është e rëndësishme të pyesni veten, nëse ju duhet një çantë e sigurt.

Rregulla 7: A i përshtatet çanta stilit tuaj të jetës
Mund të bini në dashuri me një çantë, por nëse nuk është funksionale dashuria do të zbehet shpejt. Provoni nëse i nxë të gjithë gjërat tuaja të nevojshme (portofol, çelësa, celular… çfarë ju duhet medoemos të mbani me vete, çfarë ju imponon profesioni apo mënyra juaj e jetës).

Kontrollojeni për xhepa të brendshëm, ku mund të mbani karta të ndryshme ose pasaportën. Mos e kini problem t’i kërkoni shitëses leje që të bëni një provë me çantën, t’i fusni në të, të gjitha gjërat tuaja. Tek e fundit, një çantë shërben për të transportuar gjëra dhe nuk është thjesht një objekt për t’iua treguar mikeshave tuaja ziliqare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme