“Vanity Fair” për Tiranën: E re, e lirë dhe plot ritëm

01:07 | 27 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar ditën e  sotme një artikull të gjatë kryeqytetit tonë, Tiranës, e cila duhet të vizitohet patjetër falë arkitekturës në zhvillim, artit modern, ushqimin e shijshëm si edhe jetën e natës.

“Kantier, vinça, skela, arkitektë dhe  punëtorë, të gjithë të angazhuar për të ri zhvilluar një qytet që ka dëshirë të tregojë dhe që sot kryeson kryeqytetet europiane më në modë.

Për të shijuar atmosferën e Tiranës, ku studiot më të rëndësishme të arkitekturës në Europë po investojnë ide dhe projekte, duhet të arrijmë në sheshin Skënderbe, kushtuar heroit shqiptar, i cili në ‘400 mbroji fuqishëm Shqipërinë dhe perëndimin nga përparimi i Perandorisë Osmane”. Në vijim të artikullit, lavdërohet projekti i Sheshit “Skënderbej”, me pedonalen kushtuar këmbësorëve, hapësirën e gjelbër falë mbjelljes së pemëve, si edhe ndërthurjen e gurëve nga të gjitha territoret shqiptare.

“Vanity Fair” evidenton dhe kuzhinën e veçantë duke theksuar se Tirana ofron restorante bashkëkohore, të arreduar me pjesë të dizajnit, dhoma avangarde të vëmendshme ndaj inovacionit dhe cilësisë së produktit.  Revista e njohur italiane evidenton edhe “Pazarin e Ri”, që falë rikonstruksionit të bërë nga Bashkia e Tiranës, e ka transformuar nga një zonë të braktisur të kryeqytetit, në një nga më të vlerësuarat nga turistët, por edhe vetë banorët”. Në përfundim, artikulli flet dhe për linjat direkte Itali-Shqipëri, duke ftuar të gjithë të vijnë të kalojnë fundjavën në Tiranë.

Shkrimi i plotë:

Tirana: E re, e lirë dhe plot ritëm

Një fundjavë në Tiranë? Befasuese, mes projekteve të reja, qendrave të artit, restoranteve me shije, lokaleve, lagjeve në zhvillim dhe gjithë energjinë e një qyteti me dëshirën për të ndryshuar

Tirana nuk ndalon për asnjë çast. Kjo është ndjesia që ju përshkon teksa jeni duke ecur nëpër rrugët kaotike të kryeqytetit shqiptar. Kantiere pune, vinça, skela, arkitektë dhe punëtorë që punojnë, të gjithë duke u marrë me rikualifikimin e një qyteti që kërkon të tregojë se ecën me të njëjtin ritëm si kryeqytetet më në modë të Europës. Për të rrokur atmosferën e Tiranës, ku studiot më të rëndësishme të arkitekturës në Evropë po investojnë ide dhe projekte, duhet të mbërrijmë në Sheshin “Skënderbej”, kushtuar heroit kombëtar shqiptar, i cili në vitet 1400 mbrojti fuqishëm Shqipërinë dhe Perëndimin nga përparimi i Perandorisë Osmane.

Sheshi i ri, i përuruar në qershor 2017, ishte objekt i një plani rizhvillimi të studios belge 51N4E, e cila përfshinte kthimin e zonës përreth në zonë këmbësorësh, mbjelljen e mijëra pemëve dhe vendosjen e gurëve nga i gjithë vendi, si edhe nga territoret shqiptare jashtë kufijve kombëtarë (si Kosova).

Por, projekti që po pritet me padurim tani, është një tjetër: pothuajse tetëdhjetë vjet pas planit të parë rregullues të kryeqytetit (i vitit 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë, nga arkitekti Gherardo Bosio, që krijoi qendrën aktuale të Tiranës), fati arkitektonik i qytetit i besohet përsëri një italiani. Në fakt, plani i fundit për rikonstruksionin e peizazhit urban është Tirana 2030 -TR030 nga studio “Stefano Boeri Architetti”, i promovuar nga qeveria qendrore dhe përpunuar në bashkëpunim me administratën lokale. Qëllimi i projektit është të krijojë hapësira publike, një sistem të pandërprerë pylli orbital rreth kryeqytetit (përfshirë parqet natyrore të mbrojtura dhe oazet që ruajnë biodiversitetin ekzistues), të krijojë korridore të reja ekologjike përgjatë lumenjve, të ripërtërijë qendrat më të vogla dhe të shfrytëzojë vertikalitetin, për të pasur hapësira të lira toke. Një projekt ambicioz, por i arritshëm, sepse këtu, më shumë se kudo tjetër, ndihet dëshira për ripërtëritje.

Arti brenda bunkerit

Qendra e Tiranës zhvillohet rreth Sheshit Skënderbej. Një shesh i dendur me kopshte, kisha, xhami dhe muze, si Muzeu Historik Kombëtar, i cili rrëfen historinë e Shqipërisë nga paleoliti, deri në komunizëm. “Bunk’Art2”, kushtuar viktimave të regjimit komunist dhe ndërtuar në dhomat e një bunkeri të vjetër (vlerësohet se në të gjithë Shqipërinë ka më shumë se 700,000 bunkerë, të ndërtuar nga diktatori Enver Hoxha, i frikësuar nga një sulm i mundshëm nga jashtë, që nuk erdhi kurrë), ose “Shtëpia e Gjetheve”, në dhomat e të cilës janë ekspozuar arkivat e Sigurimit, policia sekrete shqiptare e tmerrshme që vepronte gjatë viteve të diktaturës. Sidoqoftë, ia vlen të largohesh nga qendra, për të arritur “Bunk’Artin” (origjinalin), bunkerin anti-atomik të Hoxhës, që ndodhet në këmbët e malit të Dajtit, në të dalë të Tiranës. Brenda hapësirës së ekspozitës ilustrohet në detaje historia moderne e vendit, nga pushtimi italian deri në vitet e komunizmit, me një vështrim të veçantë në jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të regjimit.

Kuzhina e re shqiptare

Restorante bashkëkohore të mobiluara me pjesë dizajni, lokale moderne, të vëmendshëm ndaj inovacionit dhe cilësisë së produktit. Ky është rasti i Mullixhiut, ku kuzhinieri Bledar Kola, një nga pionierët e “Slow Food” shqiptar, me përvoja ndërkombëtare prestigjioze (mes e tyre edhe Noma e Kopenhagës), rikrijon me mjeshtëri pjata tipike të traditës popullore, duke përdorur vetëm përbërësit që vijnë nga “Mrizi i Zanave”, një restorant-fermë që ndodhet pak më shumë se një orë larg me makinë nga kryeqyteti. Të gjitha në një vend të mrekullueshëm, përballë liqenit artificial të Tiranës.

Në zemër të qytetit, dy hapa larg nga Ambasada Italiane, “Padam” është një pikë referimi për klientët ndërkombëtarë. Këtu, në dhomat e një vile elegante italiane të viteve ‘30, shefi i kuzhinës Fundim Gjepali, bosi i restorantit “Antico Arco” në Romë, realizon pjata të reja, të pakrahasueshme, dhe ofron një varietet të gjerë të verërave të përzgjedhura me kujdes. Emëruesi minimal i përbashkët, kërkimi i origjinalitetit, dëshira për të eksperimentuar dhe qëllimi për ta transformuar Tiranën në një laborator të madh të kuzhinës.

SHIJET TRADICIONALE

Në mars të vitit të kaluar u përurua Pazari i Ri, falë një projekti ristrukturimi që transformoi një zonë të braktisur dhe të lënë në harresë të kryeqytetit, në një nga pikat turistike më të njohura për turistët dhe për vetë tiranasit. Kështu edhe Tirana, është pajisur me një treg të stilit europian, që të kujton Boquerinë më të famshme të Barcelonës. Fasada të pikturuara me motive gjeometrike tipike të kulturës ballkanike, një kulm modern prej qelqi dhe çeliku, zona të gjera këmbësorësh, kafene të hapura gjatë gjithë ditës, tezga në të cilat ofrohen produkte të freskëta: Pazari i Ri është vendi ideal për t’u çlodhur dhe për të bërë blerje interesante (djathra absolutisht vendas, të tilla si gjizë, një ricotta e kripur e përdorur për të gatuar byrek, një pjatë tipike e përhapur në të gjithë zonën e Ballkanit e bërë me pastë filo, erëza dhe disa asortimente të tjera). Pas një pazari të shëndetshëm, vlen të ndalesh për një drekë të shpejtë te “Oda”, restorantin e vetëm të Tiranës ku mund të shijosh kuzhinën autentike tradicionale.

TIRANA NUK FLE KURRË

Për ata që janë në kërkim të argëtimit, ish Blloku është vendi i duhur: ish-lagjja e ndaluar, e cila ishte në dispozicion vetëm për nomenklaturën komuniste, është sot zona më ‘cool’ në Tiranë, në të cilën vijnë të rinjtë shqiptarë në çdo kohë të ditës (dhe të natës). Vende të shumta, si Bar Radio, Nouvelle Vague, Akademia e Kokteileve Kolonial, ku mund të ndaloni të shijoni një kafe, kafe me aromë të fortë ose një koktej të bërë me fruta të freskëta.

Sidoqoftë, e gjithë lagja meriton një vizitë, në sajë të aktivitetit të gjallë kulturor që e dallon atë: në të vërtetë, ka shumë qendra të artit bashkëkohor dhe artit të rrugës. Për të shijuar rakinë, grappa aromatike tipike e Ballkanit, është e domosdoshme të arrihet “Komiteti”, një kafene-muze me furnizime të epokës komuniste, që ofron mbi njëzet variacione të likerit të ngrirë lokal. Kafja është e fshehur prapa Piramidës së Tiranës, e ndërtuar si mauzole në nder të Hoxhës nga vajza dhe dhëndri i saj, pak pas vdekjes së tij. Thuhet se ka një projekt-ide për ta kthyer atë në një qendër kulturore, por për momentin ky skelet i betonit të armuar është atje, i palëvizshëm, në mes të qytetit. Ndërsa, gjithçka tjetër në Tiranë lëviz e nuk ndalet për asnjë çast./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme