I dhurojmë, na i dhurojnë – unazat janë një simbol shumë i përhapur që prej lashtësisë e deri më sot. Ato lidhen me dashurinë, pushtetin, premtimet, por edhe me dëshira të përjetshme.
Historia e unazave dhe domethënia e vendosjes së tyre në gishtërinj është një temë intriguese për këdo, që dëshiron të përcjellë mesazhin e duhur nëpërmjet tyre.
Unaza është një rreth i pathyeshëm, i cili në shumë kultura ka kuptimin e përjetësisë. Unazat përdoren për të simbolizuar një lidhje apo ndodhi që nuk do të marrë fund kurrë. Në kuadrin e martesës shkëmbimi i unazave ka kuptimin e bashkimit dhe të vazhdimësisë së jetës martesore. Unaza është një simbol i materializuar që shërben për të kujtuar angazhimin e përjetshëm. Në disa grupe paranormale unazat simbolizojnë fuqinë e magjisë dhe personi që e mban posedon disa fuqi të caktuara prej saj.
Sipas tyre, fuqia magjike e unazës vjen si pasojë e materialit të unazës dhe ndërthurjes së botëve reale me atë shpirtërore. Në kuptimin fetar, unaza simbolizon përjetësinë dhe perfeksionin e Zotit. Ashtu sikurse unaza, as Zoti nuk ka fillim dhe mbarim. Për shumë shekuj materiali me të cilën unaza ishte bërë ose prezenca në të e një guri të çmuar, tregonte shumë për shkallën dhe pozicionin shoqëror të mbartësit. Unazat në atë kohë përfaqësonin gjithashtu edhe privilegjet mbretërore. Kur mbreti i dhuronte një unazë dikujt, atëherë kjo nënkuptonte se ai e merrte atë nën mbrojtje.
Një dokument i vulosur me emblemën e unazës së mbretit kishte kuptimin e sovranitetit të fronit mbretëror. Në një unazë dallohet qarku i plotësuar i jetës. Ashtu sikurse ditët dhe vitet tona përsëriten vazhdimisht në ciklin e pafund të jetës dhe vdekjes ashtu edhe unaza ka kuptimin e një cikli fuqie dhe plotësimi. Disa e shohin unazën si shembullin tipik të rimishërimit. Të tjerë ndihen të qetë kur përdorin një unazë, pasi për ta ajo ka kuptimin e tërësisë dhe është një hajmali kundër të këqijave. Unazat shihen si një burim uniteti nga shumë njerëz. Shkëmbimi i unazave në fillimet e tij mund të ketë qenë simbol i shkëmbimit të një karakteristike të përbashkët të bashkësive primitive. Njerëzit mbajnë unaza për të deklaruar solidarizimin e tyre me vendime që kanë marrë persona të afërt me ta.
Nga ana tjetër mendohet se më përpara njerëzit mbanin unaza edhe për të kujtuar ngjarje të rëndësishme si për shembull fitimi i një kampionati sportiv. Pra, duke mbajtur unaza të njëjta pjesëtarët e skuadrës bashkoheshin përpara një qëllimi të caktuar. Kur ne vendosim një unazë në dorën e majtë krijojmë një marrëdhënie mes trupit dhe jetës sonë dhe e forcojmë më shumë këtë lidhje nëpërmjet specifikimit të një gishti të caktuar. Kur ne vendosim një unazë në dorën e djathtë përqendrohemi në anën tonë krijuese dhe aspektin e të dhuruarit, të ndarit e gjërave me të tjerët, por edhe këto më të specifikuara në veçanti të gishtit të vendosur. Me anë të dorës së majtë ne marrim energji, ndërsa me të djathtën japim. Këto bashkohen në balancën e të qenët të dyja një domosdoshmëri për ne. Të dyja duart mund të mendohen si një ekuilibër ndërmjet botës dhe fuqisë së brendshme, e cila na duhet për të ecur përpara duke krijuar strukturën e botës së jashtme. Është interesant fakti që për unazat kultura të ndryshme kanë perceptime të ndryshme, disa mendojnë se unaza e martesës duhet të vihet në dorën e majtë, ndërsa një pjesë tjetër e botës mendon se duhet të vihet në dorën e djathtë. Secili gisht përfaqëson në vetvete cilësi të veçanta të cilat gjithmonë janë pozitive edhe pse ndonjëherë teprohet me karakteristikat e tyre. Jupiteri apo gishti tregues ka lidhje me besimin te vetja, me ambicien, me aftësitë drejtuese dhe ndonjëherë ka edhe kuptim fetar ose spiritualist. Duke e vënë unazën në gishtin Jupiter në përqendrohemi më shumë tek aspektet e jashtme të jetës, në lidhjet me personat e tjerë dhe me ndarjen e fuqisë. Personat Jupiter janë të prirur që të marrin role ekzekutive dhe që gjithnjë të bien në sy. Në gishtin tregues unazat vendosen edhe për të marrë motivim nga të mirat materiale dhe financiare.
Saturni apo gishti i mesit quhet timoni i ekuilibrit të personalitetit midis të drejtës dhe të gabuarës, midis të vërtetës dhe gënjeshtrës. Në këtë gisht gjenden cilësitë tona humane dhe universale të së drejtës, ligjit dhe marrëdhënieve të tjera. Cilësia më kryesore e Saturnit është tendenca që kanë personat për të kritikuar veten dhe për të mbajtur sekrete.
Apollo ose gishti i unazës ka cilësitë më të mira dhe më pozitive, kjo është arsyeja përse ai preferohet shumë dhe është një simbol me rëndësi. Apollo përfaqëson mbi të gjitha krijimtarinë në të gjitha fushat e jetës dhe jo vetëm në art. Gishti i unazës përfaqëson kultivimin e dashurisë dhe bukurisë në të gjitha format e saj, por veçanërisht në natyrë. Apollo është energjia pozitive që gjendet brenda secilit prej nesh dhe që ndikon në gjendjen tonë shpirtërore gjatë gjithë kohës.
Mërkuri ose gishti i vogël shpreh energjinë për të komunikuar. Mendojeni Mërkurin si antenën e trupit tuaj, e cila jep dhe merr sinjal. Gishti i vogël përmban aftësitë tuaja komunikuese jo vetëm në aspektin verbal, por në të gjitha aspektet. Mërkuri përfaqëson intuitën tonë, mënyrën sesi ne i perceptojmë të gjitha informacionet e të dhënat dhe gjendjen shpirtërore me të cilën ne do t’i përcjellim ato. Unaza në gishtin e vogël manifeston inteligjencë të pastër dhe për këtë fakt mbahet nga shumë persona që konsiderohen të pushtetshëm. Gishti i madh është i vetmi gisht, i cili nuk mbart një emër nga perënditë e lashta greke. Ai përfaqëson vullnetin personal dhe universal. Vullneti është një cilësi që e kemi nga vetë ndërtimi ynë njerëzor, por në këtë rast bëhet fjalë për vullnetin e caktuar që na duhet në rrethana të veçanta. Ajo që duhet të keni parasysh është që të kujdeseni ta vini unazën në gishtin që mendoni se ju përfaqëson më së miri.
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin