06:59 | 31 Mars 2017
Arbresh.info
Kelly Bonyata, Becky Flora si edhe Paula Yount (eksperte në fushën e laktacionit dhe kujdesit prenatal), shprehen për “Kellymom” se ndarja e fëmijës nga gjiri duhet të bëhet duke u bazuar në disa teknika. Ato theksojnë se është shumë e rëndësishme që proçesi të zhvillohet si më poshtë:
- Mos e ofro-mos e refuzo. Nëse fëmija nuk e kërkon mos e ofro, por mos e refuzo nëse e kërkon. Me rritjen fëmija duhet të qetësohet me diçka tjetër dhe jo në çdo rast me gjirin, shkruan pernenat.al.
- Ndërprisni vaktet dalëngadalë. Idealja është të ndërprisni një vakt në harkun kohor 3-7 ditë. Evitoni shkëputjen e menjëhershme. Në këtë mënyrë edhe gjiri juaj nuk do të shfaqë probleme. Disa nëna ndërpresin një vakt çdo javë. Fillimisht eleminoni vaktet më pak të rëndësishme. Ato të paragjumit dhe mëngjesit zakonisht ndërpriten në fund. Në momentin që vendosni kë vakt do të ndërprisni filloni ta shkurtoni kohën e pirjes edhe para se t’ja hiqni fare.
- E mbani fëmijën të zënë me diçka tjetër. Filloni të mos ja jepni gjirin menjëherë pasi e kërkon. Mundohuni ta mbani të zënë për disa minuta me diçka tjetër argëtuese.
- Ndryshoni rutinën e përditshme. Nëse fëmija kërkon të pijë menjëherë sapo jeni kthyer në shtëpi, ditët që do të ndërprisni gjirin duhet të qëndroni për një kohë më të gjatë jashtë shtëpisë. Edhe në shtëpi qëndroni në këmbë dhe duke u marrë me diçka në mënyrë që fëmija të mos vijë pas gjirit tuaj, gjë që ndodh shpesh nëse jeni ulur. Vishni bluza të mbyllura që fëmija nuk i ul dot për të kapur gjirin.
- I thoni se do t’ja jepni më vonë. Nëse ai e kërkon dhe ju i shpreheni kështu, ka mundësi që ai të fillojë të merret me diçka tjetër dhe ta harrojë fare. Sigurisht që është detyra juaj ta mbani atë të zënë ndërkohë.
- Shkurtoni kohën e pirjes. Ai mund të pijë por jo sa më parë.
- Ndërprerja gjatë natës. Mos e ndërprisni në të njëjtën kohë një vakt të ditës dhe natës. Duhet të fokusoheni fillimisht në ato të ditës dhe në fund të natës, pasi ndërprerja e atyre të ditës është stabilizuar dhe fëmija nuk i kërkon më.