Google ADS

Si të ndryshoni rrënjësisht jetën tuaj profesionale

22:20 | 15 Shtator 2019
Arbresh.info

Ndoshta për shkak të energjive të mëdha që kemi marrë nga pushimet, ndoshta për shkak të problemeve të shumta me të cilat përballemi sapo rikthehemi në punë, fakti është se tundimi për të ndryshuar punë është shumë i madh për secilin prej nesh, sidomos çdo fillim shtatori.

Por cilat janë motivacionet e duhura që mund të na shtyjnë drejt marrjes së një vendimi të tillë? Cilat janë rregullat dhe këshillat që duhet të ndjekim në rast se duam të ndryshojmë punë?

Më poshtë do të lexoni disa këshilla, dhënë nga eksperti dhe punëdhënësi Roberto D’Incau, themelues dhe CEO i shoqërisë së konsulencës Lang & Partners, për t’ia dalë në mënyrën më të suksesshme të mundshme në rastin që vendosni të ndryshoni punë:

Lodhje dhe pakënaqësi?

Këshilla ime e parë, shpjegon Dr. D’Incau, është që të ndiqni një linjë të saktë ndërmjet pakënaqësive të vazhdueshme dhe lodhjes së momentit. Përpara marrjes së çdo vendimi, cilido qoftë ai, ju duhet të bëni një bilanc të saktë, ndërmjet jetës suaj personale dhe asaj profesionale. Shpeshherë pakënaqësitë që në shprehin ndaj punës, janë vetëm maja e ajsbergut, një sinjal ky që në fakt shpreh një gjendjeje akoma edhe më të keqe dhe që përfshin edhe pjesë të tjetra të jetës sonë, qoftë edhe atë personale, pra që nuk ka të bëjë vetëm me jetën profesionale.

Nëse do t’i pyesnim personat që shprehen se “Dua të ndryshoj me patjetër punën time”, a janë të kënaqur edhe me jetën e tyre personale, ata do të jepnin një përgjigje negative, që do të thotë se ata duan të ndryshojnë edhe jetën e tyre personale. Absolutisht që një gjë e tillë nuk është ngushëlluese, por gjërat duhet t’i thërrasim me emrin e tyre dhe bërja e diagnozës së duhur është hapi i parë drejt “shërimit total”.

Jini largpamës

Hapi i dytë është që të arsyetoni jo në mënyrë të nxituar por duke menduar për të ardhmen tuaj, dhe referojuni vendimeve tuaja duke qenë sa më shumë largpamës, transmeton Ekonomia Online.

Mundohuni të kuptoni se çfarë nuk shkon vërtet, pse jeni pak të motivuar, kush janë faktorët që ndikojnë tek ju negativisht në ambientet e punës apo nëse ndiheni të mbingarkuar, etj. Bëni kujdes, sepse të ndryshosh punë nuk mund të jetë zgjedhja e duhur. Mundohuni të ndryshoni faktorët që ju bëjnë të ndiheni keq dhe do ta shikoni se gjithçka do të përmirësohet.

Si duhet të planifikohet ndryshimi

Nëse mendoni se e keni të pamundur të vazhdoni në atë punë në të cilën ndodheni dhe doni të ndryshoni me patjetër, atëherë hapi i tretë që duhet të bëni është që të planifikoni strategjinë e duhur për ta ndërmarrë një hap të tillë, qoftë edhe me ndihmën dhe konsulencën e një supervizori. Prandaj nëse doni të ndryshoni punë, nuk duhet të nxitoheni, por të jeni të sigurt dhe të pajisur “armët e duhura”.

Merrni vendimin e duhur

Edhe nëse bëhet fjalë për një pakënaqësi të momentit apo për një pakënaqësi kronike, e cila ka kohë që vazhdon, këshilla ime, shprehet Dr. D’Incau është që të mos e shtyni për më vonë një vendim që mund ta merrni sot. Puna e ëndrrave ndoshta nuk ekziston, por nëse mendoni që edhe viti tjetër që do të vijë do të jetë një “vit horror”, atëherë ka ardhur vërtet momenti për të ikur sa më parë nga puna ku jeni dhe të kërkoni për një punë të re. Nëse situata është si kjo që përshkruam më sipër, mos e diskutoni aspak vendimin për të ndryshuar punë, por mundohuni ta ndryshoni atë sa më parë të jetë e mundur. Do ta shikoni që ndryshimi i ambientit dhe marrja e energjive të reja do t’ju bëjnë të ndiheni shumë më mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme