Turizmi dentar është i njohur dhe Shqipëria është një nga ato vende që vizitohet shpesh për shkak të çmimeve të ulëta. Por, së fundmi, po përvijohet edhe një turizëm i ri, i njohur si turizmi kirurgjikal.
Madje ata që po e vizitojnë janë nga qytetet kryesore të Europës, por edhe nga Britania. Deri dje, ky treg ndahej mes Rumanisë dhe Bullgarisë, por sot vendi ynë po thith kontingjent gjithmonë e më të madh të atyre që duan të bëjnë një operacion plastik.
Kostoja është disa herë më e ulët sesa ajo që “turisti – pacient” do të paguante në vendin e tij. Lida Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Klinikës DermoLife, në një intervistë për “Monitor”, jep edhe disa nga tendencat që po shfaqen në vend lidhur me ndërhyrjet plastike.
Vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të. Kjo kërkohet kryesisht nga të rinjtë, të cilët sot zgjedhin të marrin një kredi të vogël për të kryer ndërhyrjen. Pagesa me këste është mënyra e preferuar e tyre për këtë shërbim. Të huajt, nga ana tjetër, parapëlqejnë të paguajnë përmes bankës dhe po rriten gjithmonë e më shumë në numër. Italia mban vendin e parë për nga vizitorët që në paketën turistike përfshijnë edhe një ndërhyrje plastike.
Ka gjithmonë e më shumë një interes për të qenë të kuruar dhe për të përcjellë një imazh sa më të përsosur. Në shumë raste, për këtë kërkohet ndihma e operacioneve plastike. Cila është kërkesa më e shpeshtë e shqiptarëve kur vjen puna tek ndërhyrjet?
Është e vërtetë që ka një tendencë në rritje të këtyre ndërhyrjeve dhe kërkesat sigurisht që varen nga mosha apo edhe situata e personit që e kërkon këtë ndërhyrje. Nga moshat e reja, në vend të parë për ndërhyrjet është ajo në pjesën e hundës, për faktin se ne shqiptarët njihemi për një hundë tipike shqiptare dhe ballkanase me kurriz.
Meqë jam në këtë fushë i vërej me kujdes dhe në shumë konsulta që më vijnë gjatë ditës, shumica e femrave apo meshkujve ka nevojë për të bërë një ndërhyrje të vogël estetike. Por kur flasim për një ndërhyrje në hundë nuk u referohemi ndërhyrjeve që kemi parë deri tani, një hundë e ngritur lart apo e ekzagjeruar.
Kërkohen ndryshime të vogla, pa e ndryshuar të tërën dhe pamjen tredimensionale të fytyrës. Unë jam gjithmonë “pro” ndërhyrjeve në hundë, për faktin se hunda rritet me kalimin e viteve dhe është në mes të fytyrës sonë. Një fytyrë që i ka të gjitha tiparet simetrike dhe në proporcion, kur ka një hundë që nuk shkon dhe është vendosur keq aty, ka nevojë që të korrigjohet, por gjithmonë duhet korrigjuar nga një profesionist, pasi në të kundërt ajo do të sjellë efekte anësore për frymëmarrjen dhe në atë hundë, do të kemi për të marrë frymë për gjithë jetën tonë.
Pra, duhet të zgjedhim gjithmonë një profesionist dhe të shohim CV-në e doktorit.
Mbas hundës në kërkesat për ndërhyrje, vjen gjoksi dhe barku. Ka një arsye pse vijnë pikërisht këto të dyja dhe nuk vjen një ndërhyrje tjetër. Këtë kërkesë e ka kontingjenti i femrave që kanë lindur dhe kanë mbajtur një fëmijë me gji. Gjoksi është fryrë, shfryrë, ka pësuar strija nga procesi i mëmësisë, barku gjithashtu dhe kanë nevojë që ta rikonstruktojnë.
Duke krahasuar numrin e grave që janë bërë nëna me numrin e vajzave të reja që kanë nevojë të rimodelojnë fundshpinën, ky numër është më i madh. Rasti i ndërhyrjes në gjoks, duke futur dhe pjesën e vajzave të reja, të cilat kanë një gjoks minor, të vogël fare dhe me të drejtë duan ta rrisin pak numrin, është më i madh. Pra, në vendin e parë është hunda, në vendin e dytë është gjoksi, në vendin e tretë plastika e barkut dhe në vendin e katërt është fundshpina. Ne si klinikë, kemi më shumë raste në fundshpinë, sepse kemi raste të shumta suksesi për rimodelimin, por sërish mbetet në vendin e katërt.
Mund të na jepni një mesatare mujore të ndërhyrjeve që bëhen në klinikën tuaj dhe si ndahen në përqindje për nga lloji i ndërhyrjes së kryer?
Nga muaji në muaj varion, por nëse do ta mesatarizonim është diku tek 40 ndërhyrje në muaj. Nga këto, të paktën 50% e kërkesave janë për ndërhyrje në hundë dhe pjesa tjetër ndahen mes kërkesave të tjera që i përmendëm pak më parë.
Si janë çmimet që aplikoni sot për këto ndërhyrje? A janë të përballueshme? Po në raport me tregun europian?
Çmimet që aplikohen sigurisht që i përshtaten realitetit shqiptar. Kur i kemi vendosur, kemi pasur parasysh pikërisht gjendjen ekonomike të shqiptarëve. Janë të përballueshme. Nuk mund të themi që janë të përballueshme për çdo person, sepse kirurgjia plastike futet te shërbimet e luksit. Një person që troket në dyert e klinikës pa diskutim që duhet t’i ketë mbaruar problemet e veta. Shërbimet janë të përballueshme nga shtresa e mesme.
Për të qenë më të saktë, edhe në perceptimin që ju përcillni për çmimet e përballueshme në realitetin shqiptar, a mund të kemi disa prej çmimeve që aplikohen? Hunda, për shembull, sa kushton?
Ne kemi një çmim prej 1500 eurosh për hundë një ndërhyrje që kryhet nga mjekë shumë profesionistë. Sa i përket gjoksit, një ndërhyrje mund të variojë nga 2000 tek 2500 euro, por varet nga vështirësia. Nëse aty ka nevojë që të bëhet lifting (ngritje) shkon edhe 3000 dhe 3500 euro. Këto janë rastet kur pacienti ka një gjoks voluminoz, ka ushqyer fëmijët me gji, ka pësuar ndryshimet e saj në peshë dhe ka humbur komplet formën e vet. Në të tilla raste bëhet lifting, vendosen proteza të cilat edhe ato kanë koston e vet që mund të shkojë në 3500-3800 euro, por këto janë raste specifike. Mesatarja kryesisht luhatet mes 2500-3000 euro.
Po ndërhyrjet në fundshpinë, që duket se janë shtuar së fundmi, çfarë kostoje kanë?
Ka një rritje të interesit edhe për këtë pjesë. Unë dua të theksoj se gjatë procesit të shtatzënisë, ne na ndryshon pak harku i pjesës së shtyllës kurrizore, rikthehet në vend, por asnjëherë në formën e vet perfekte, siç ka qenë më përpara. Në këto kushte, dhjami fillon dhe akumulohet në zona që ne nuk do donim që të akumulohej dhe sado që të bëjmë palestër ose ecje, përsëri ka nevojë që të vendoset dora e kirurgut që të bëjë një skulpturim të trupit, të hiqet dhjami aty ku nuk duhet dhe të vendoset aty ku do të donin femrat.
Rimodelimi i fundshpinës ka çmim 2000-2200 euro por kjo varet. Ndonjëherë ofrojmë edhe opsione të tjera, sepse normalisht për ato që kemi kliente që kanë bërë një ndërhyrje më parë, padyshim që jepet një çmim më i mirë. Këto janë politika të brendshme të klinikës.
Si paguajnë sot shqiptarët për këto ndërhyrje, paguajnë “cash”, paguajnë me bankë, paguajnë me këste sepse kjo e fundit është një opsion mjaft i përhapur?
Në fakt janë të gjitha këto si alternativa, kryesisht “cash”, por edhe me bankë me këste. Ne kemi kontrata me bankat dhe shoh që shumë vajza të reja janë të punësuara, preferojnë që të marrin një kredi, kuptohet kryesisht është pjesa e hundës që është një kredi e vogël 1500 euro dhe nuk ua rëndon atyre gjendjen ekonomike. Vajzat e reja kryesisht preferojnë të marrin kredi, kurse pjesa tjetër më e rritur paguajnë “cash”.
Po të huajt që vizitojnë klinikën tuaj, si paguajnë?
Të huajt janë disi më ndryshe se ne, pasi kanë një tjetër mentalitet. I japin më shumë rëndësi parasë sesa ne, paguajnë me kartë dhe nuk e mendojnë kredinë për një ndërhyrje. Deri tani kontingjenti që vjen te ne, edhe pse janë të punësuar dhe mund të marrin kredi me kushte shumë më të mira se ne shqiptarët, shpenzojnë kursimet e tyre.
Të huajt që po vijnë drejt Shqipërisë për pjesën e ndërhyrjeve, nga janë, të cilës moshë, çfarë profili, nga e kanë marrë nxitjen për të ardhur këtu përveç çmimit që është shumë i mirë?
Të parët që na sjellin më shumë njerëz janë disa agjenci të krijuara dhe kanë filluar atë që njihet si turizmi kirurgjikal. Ato i sjellin në Shqipëri për të bërë një udhëtim, për të parë disa nga pikat kryesore turistike në vend dhe në fund mendojnë që të bëjnë edhe një ndërhyrje. Planifikojnë të gjithë ditët që të bëjnë guidën dhe në fund ndërhyrjen kirurgjikale. Kjo është pjesa e parë. Një pjesë vijnë nga informacionet që marrin nga interneti.
Një grup tjetër janë pacientë të vetë doktorëve dhe që e dinë që ata e ofrojnë këtë shërbim edhe në Shqipëri. I njohin punët e tyre dhe u leverdis çmimi. Marrin informacion dhe vijnë tek ne. Më shumë janë italianë, kemi pasur edhe nga Zvicra por që vijnë të referuar nga shqiptarët dhe jo nga agjencitë. Ne po punojmë për më shumë.
Së fundmi kemi pasur raste edhe nga Londra përmes agjencive, më parë ato kishin zgjedhur Rumaninë dhe Bullgarinë, tani kanë nisur të vijnë në Shqipëri. Vendi ynë po zgjidhet gjithnjë e më shumë.
Sa pacientë vijnë dhe ju kërkojnë që t’i korrigjoni gabime ose deformime që mund të jenë kryer nga një ndërhyrje në një klinikë apo sallon që nuk janë të specializuar? Buzët kanë filluar bëhen rëndom nëpër sallone…
Fatkeqësisht, kjo është diçka që ndodh por më shumë se risku i tregut informal, apo salloneve, problem mbeten materialet që përdorin. Këto materiale mund të jenë të pakontrolluara, në shumicën e tyre përdoret silikon, që është një krim i vërtetë.
Do t’ju thosha njerëzve të bëjnë shumë kujdes, të marrin informacion, të shkojnë vetëm tek doktori për të bërë një ndërhyrje pasi askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë, për faktin se nuk njeh anatominë e trupit, nuk njeh materialet dhe është i papërgjegjshëm në dëmin që të shkakton. Pastaj kur vijnë tek ne është shumë vështirë korrigjimi, për faktin se korrigjimi në një ind njerëzor dhe indin tonë të lëkurës nuk është i njëjtë si në dru që, nëse dëmton, mund ta përmirësosh. Indi i lëkurës është shumë i vështirë për t’u rikthyer në perfeksion.
Korrigjime ne bëjmë, por ato janë gjithmonë sekondare terciale dhe njeriu është i ndërgjegjshëm se çfarë pret nga ky korrigjim. Kemi shumë të tilla fatkeqësisht. Dje kisha rastin e një vajze që kishte bërë buzët me silikon dhe i kishte bërë së fundmi sepse unë kam parasysh që kjo histori është mbyllur këtu e para 7-8 vjetësh. Ajo i kishte bërë para një viti. Buzë të tmerrshme, mollëza të tmerrshme. Erdhi dhe u konsultua me ne, pasi do të bëjë një ndërhyrje në vjeshtë, pasi nuk mund të bëhet tani, për të hequr atë masë silikoni. Por ajo e di që do t’i bëhet një çarje në pjesën e brendshme dhe të sipërme të buzës, e cila do të jetë një shenjë që do t’i mbetet, por ajo ka zgjedhur më mirë të heqë atë masë, të mos duket pamja e buzës ashtu dhe të bëjë një kompromis me veten. Korrigjimi nuk të realizon kthimin 100 për qind perfeksionin apo gjendjen e mëparshme.
Sa raste ju vijnë kështu?
Janë shtuar gjithmonë e më shumë. Më vjen keq që ende nuk ka një ndërgjegjësim për informim të plotë dhe përzgjedhje të doktorëve ku bëhet ndërhyrja, por më vjen mirë që vajzat kanë filluar të mendojnë ndryshe për pamjen e tyre.
Në fillimet e mia, shihja vajza me ekzagjerime në buzë dhe mollëza dhe që konfirmonin që ju pëlqente ajo lloj pamje. Në atë kohë, ajo që këshilloja ishte të mos përdornin silikonin, por mënyra sesi ishte promovuar kjo pjesë, që ti e bën një herë ndërhyrjen dhe nuk shpenzon më, kishte dhënë efektin e vet dhe i kishte bindur. Ndërkohë që në kahun tjetër, ishte acidi ialuronik që duhet të përsëritet herë pas here por që nuk ka efekte. Gjithsesi, sot tendenca që po shohim duket më pozitive dhe ata që kërkojnë ndërhyrje marrin më shumë informacion nga klinikat, nga të njohurit, nga interneti. Kjo i bën më të kujdesshëm dhe më përzgjedhës.
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?