Google ADS

Sheri dhe Tony Blair, nga dy kolegë zyre në dy të dashuruar

17:31 | 20 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Përpara se të ishin dy të dashur, e më vonë një prej çifteve më të njohur në Britaninë e madhe ata ishin dy kolegë.

Sheri Blair e ka treguar historinë e dashurisë me Toni Blair, ish kryeministrin britanik në librin e saj me kujtime. Ata ishin të dy praktikantët e Derit, dhe ishte pothuajse e pashmangshme që mos të kalonin shumë kohë së bashku. Toni ishte rivali i saj në punë. Ajo kujton se i duhej të binte pronarin e studios se ajo ishte më e mirë se Toni. ”Më duhej ta bindja se, nga ne të dy, unë isha zgjedhja më e mirë. Unë dhe Toni morëm pjesë në disa çështje, ndaj na binte rasti të vërdalliseshim së bashku. Ai do të më tregonte ndodhi rreth kohës që kishte kaluar në Francë me Brus Roen. Pas provimeve përfundimtare të avokaturës, ata kishin shkuar në Paris dhe kishin punuar për pak kohë në një studio ligjore. Më pas, me paratë që kishin fituar, ata kishin bredhur në Dodonjë dhe Langëdok.

Më tregonte edhe për jetën e tij sentimentale. Në atë kohë, ai nuk kishte një lidhje stabël, por kisha dëgjuar për vajzat, që kishin apartamente të Fulham dhe kërkonin të dilnin me të. Më kujtohet një vajzë që nuk pushonte së telefonuari, por ai nuk ishte aq i interesuar. Një ditë, ai pranoi të shkonte me të në një festë dhe kur arriti atje, doli që ishte i ftuari i vetëm… Ndonjëherë më dukej sikur isha konsulentja e tij”, tregon Sheri. Ajo do ta këshillonte me shumë seriozitet. Një vajzë me të cilën ishte shoqëruar në Francë, e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar të takoheshin në Londër. Por çfarë mendonte Sheri?

2-7

Ai e dinte se ajo kishte një të dashur në Londër. Por gjithçka në raportin me kolegun e saj të zyrës do të ndryshonte një mbrëmjeje krishtlindjesh. ”Kaluam një festë të vërtetë Krishtlindjesh, ku bëmë shumë lojëra. Në një prej tyre duhej të fusnim një top nën mjekër dhe ta kalonim tek njëri-tjetri. Meqenëse Toni nuk njihte asnjë nga të ftuarit e tjerë, u ul pranë meje. Teksa po bënim kalimin e topit, mendova papritmas: prit një minutë … nuk e kuptova se nga më erdhi. Ndoshta aroma e lëkurës së tij, një dridhje e lehtë, por sigurisht që përjetova diçka. Deri në atë moment nuk më kishte shkuar kurrë në mendje se ai mund të ishte më shumë sesa një rival.

Me thënë të vërtetën, fillova të kuptoj se ishte shumë i pashëm, i gjatë, elegant e  shpatullgjerë. Kishte një trup të fuqishëm. Flokët i kishte më të gjata nga hera e fundit që ishim takuar dhe i kishte hedhur pas krahëve në formë të çrregullt. Tufa të derdhura flokësh i binin mbi kollare sipas një mënyre të veçantë që më nxiste të përdridhja gishtin rreth tyre. Për sa i përket syve, që nuk ia kisha vënë re më parë, i kishte në një ngjyrë blu të kthjellët e depërtuese. Ishin depërtues sepse dukej sikur shikonin thellë meje, deri në atë masë sa mund të ndjeja një përskuqje që lindte nga disa pjesë të brendshme të trupit dhe më përpinte fytyrën”, tregon Sheri. Një tjetër drekë tashmë nga pronari i zyrës do ti afronte më shumë me njëri tjetrin dy të rinjtë. “ Tavolina ishte rezervuar për në orën 12.30 në “Luigji” në Soho, një nga vendet më të pëlqyera të Derit. Ishte një prej atyre restoranteve italianë, në të cilin mbi mure kishte fotografi të njerëzve të famshëm.

3-8

Dreka nuk kishte të mbaruar, teksa Deri shprehte opinione të ndryshme mbi situatën politike në botë. Më kujtohet se ora katër iku pa kuptuar. Deri porositi një shishe tjetër ,më pas edhe një tjetër. Sidoqoftë, nga ora dhjetë gjendeshim akoma aty. Kishim pirë shumë. Pjatat i kishin hequr dhe unë gjendesha mes këtyre dy burrave, njëri prej të cilëve, Deri, ishte tërësisht i dehur, ndërsa tjetri, Toni, ishte tërësisht i dashuruar. E dija se, nëse do të thosha se ishte koha për të ikur, Deri do të ngrihej dhe do të më shoqëronte me taksi për në shtëpi. Ai banonte në krye të rrugës Ebi, shumë pranë Aberkorn Pleis, ku banoja unë. Ndonëse isha e këputur, vendosa të rri pa bërë zë derisa Deri të largohej i vetëm për në shtëpi. Erdhi momenti që ai u largua. Më pas, unë dhe Toni morëm autobusin në pothuajse të njëjtin drejtim: ai banonte në Primrouz Hill me tre shokë të tij nga Oksfordi. Ishte autobus dykatësh dhe ne u ngjitëm në të dytin. Nuk kishte njeri sipër dhe kur dolëm, ishim më të afërt me njëri-tjetrin sesa më parë. Madje, në mëngjes, ishim akoma edhe më të afërt”, tregon Sheri.

Të nesërmen, Toni do të zbriste poshte në zyrë për takimin e zakonshëm të mëngjesit. Ai pretendon se Sheri nuk ia ndau sytë gjatë gjithë kohës. Ai do ta prezantonte atë si të dashurën e tij gjatë vitit të ri që kaluan në shtëpinë e babait të tij në një fshat pranë Durhamit. Prej atyre ditëve dimri Sheri dhe Toni Blair do të jetojnë gjithmonë pranë njëri tjetrit, duke patur jetën si në një nga ato përrallat e vjetra angleze. Pavarësisht sfidave politike ku janë vendosur shpesh, ata kanë ditur të jenë gjithnjë bashkë, ndoshta se përpara se të ishin dy të dashur, ata ishin dy miq të mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme