Psikologet shpjegojnë ndikimin e inaugurimit të Biden në gjendjen shpirtërore

08:56 | 23 Janar 2021
Trina Galanxhi

Pas inaugurimit të Joe Biden si Presidenti i SHBA-ve, njerëzit kanë rrëfyer gjendjen e tyre emocionale, duke theksuar se kanë fjetur më mirë, se ndjehen të lehtësuar dhe se ‘po mund të marrin frymë lirshëm’.

Shumë përdorues të mediave sociale kanë theksuar se ‘kanë shpresë për një të ardhme më të mirë’, ndërsa një pjesë kanë theksuar se ‘gjërat nuk do të stabilizohen sikurse me magji’, transmeton portali arbresh.info

Përderisa një pjesë e amerikanëve po mirren me humbjen e kandidatit të tyre, ata që votuan për Biden thonë se ndjehen më të lehtësuar.

Stresi që kaploi amerikanët gjatë ‘sulmit kaotik’ në Kapitol, rriti ndjenjat e ankthit deri në hidhërim dhe zemërim, shqetësim dhe tronditje.

Dr.Nina Vasan, asistente e psikiatrisë në Universitetin e Stanford ka theksuar se inaugurimi i Joe Biden ka bërë që shumë pacientë të saj të ndjejnë lehtësim.

“Shumë njerëz kanë përjetuar nivelet më të larta të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së jetës së tyre gjatë këtyre muajve të fundit, dhe kjo ka çuar në rritje të ankthit, stresit dhe pagjumësisë. Presidenti Biden shihet nga shumë si një udhëheqës qetësues, i sigurt dhe i besueshëm”, tha ajo.

Në anën tjetër, psikologia Karol Dansa, tha se ‘Biden gjatë betimit ka dhënë një ndjenjë për një fillim të ri dhe një shpresë të përtrirë. Kur jeni nën një stres të madh, gjumi dhe shëndeti juaj mund të ndikohen. Kur ri-instalohet shpresa, trupi mund të relaksohet dhe të ndihet mirë përsëri”, transmeton portali arbresh.info

Përpos klimës politike të rëndë në SHBA, amerikanët kanë përjetuar një stres të madh edhe për shkak të pandemisë, ku rreth 400 mijë njerëz kanë humbur jetën./arbresh.info/

Të ngjashme