Pse meshkujt nuk u rezistojnë dot femrave më të moshuara?

01:42 | 2 Maj 2017
Trina Galanxhi

Shkruan: Jamess Innes-Smith

Gruaja e parë me të cilën rashë në dashuri ishte 20 vjet më e madhe se unë.

Quhej Judith dhe punonte si kujdestare në shkollën time me konvikt.

Unë isha 15 vjeç- po aq sa kandidati presidencial francez, Emmanuel Macron, kur u takua me gruan e tij të ardhshme, Brigitte Trogneuex.

Ajo ishte mësuesja e tij e dramës, e martuar dhe 25 vjet më e madhe se ai.

E kuptoj tërheqjen e tij.

Fakti që kujdestarja ime ishte sa dyfishi i moshës time, e bënte atë më intoksikuese.

Jam rritur me dy motra më të mëdha vërdallë, kështu që nuk ishte diçka e re që të isha pranë femrave të mëdha.

Si në shumë shkolla me konvikt, djemtë shkëputen forcërisht nga mamatë e tyre në moshë të re, prandaj edhe unë i vendosja femrat në piedestalin më të lartë.

Me pamjen e saj dhe lëkurën si alabastër, me flokët e bukur si Agnetha e grupit Abba, me buzëqeshjen e saj, ajo mund të shtrinte përtokë çdo djalosh.

Por nuk më hipnotizonte vetëm pamja e saj.

Ajo ishte krijesa më e sofistikuar që kisha takuar ndonjëherë.

Vetëbesimi i saj ishte krejt në kontrast me pasiguritë e mia.

Nuk është çudi që e kaloja kohën në dritare, duke ëndërruar si do ishte jeta me të.

E imagjinoja teksa shëtisnim bashkë nëpër fusha, kurse djemtë e tjerë na shihnin me xhelozi e mosbesim.

Ja pra ku ishte një grua në moshën e mamasë sime, që më kishte thyer zemrën.

Të gjithë djemtë ishin të dashuruar pas saj, por unë e Judith kishim një lidhje të veçantë, ose të paktën kështu mendoja unë, nisur nga shikimet e saj flirtuese.

Ishte krejt e pafajshme sigurisht, por kjo nuk më ndaloi mua që t’i postoja letra dashurie poshtë derës së saj.

Tërheqja ime për femrat e mëdha vazhdoi edhe pasi mbarova shkollën.

Në fakt marrëdhënia e parë afatagjatë e imja ishte me një grua 12 vjet më e madhe se unë.

Unë isha 26 vjeç dhe ajo ishte një producente e suksesshme televizive 38-vjeçare.

Mbaj mend se ndjeja ankth në atë kohë. Ajo ishte më e mbledhur se unë, pavarësisht faktit se kishte dalë nga një martesë e gjatë dhe e dhimbshme.

Forca e saj e karakterit më dukej thellësisht seksi, edhe pse druhesha se si do më trajtonte ajo mua, një aktor i papunë.

Ndërkohë që vazhdon të dominojë shablloni ‘burrë i madh/grua më e vogël’, pozicionet po ndryshojnë.

Studimet sugjerojnë se marrëdhëniet mes grave më të mëdha me djem më të rinj janë në rritje që nga vitet ’80.

Fshirja e dallimeve mes gjinive nënkupton edhe më shumë barazi kur bie fjala tek zgjedhja e partnerit.

Ajo që ishte dikur tabu, nuk është më.

Fenomeni vjen edhe për shkak se gratë e burrat jetojnë më gjatë, çka nënkupton më shumë eksperiencë në marrëdhënie të ndryshme.

Tani nuk do e kisha problem që të dilja me një partnere më të moshuar, përveç faktit që jam në një lidhje me një vajzë më të re se unë… jo se kjo ndryshon gjë.

Duhet të jemi falenderues që jetojmë në një shoqëri të çliruar nga këto struktura që na mbanin të burgosur në të shkuarën.

Kushedi, ndoshta në të ardhmen do të harrojmë që të plakemi së bashku.

Mund të nisim duke fshirë ditëlindjet nga kalenderi dhe të bëjmë të papranueshme që të pyesin tjetrin për moshën, pavarësisht nga rrethanat.

Në fund të fundit, siç më kujton një nga miqtë e mi, “koha ekziston vetën në kyçet e duarve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme