Përfitimet e të menduarit pozitiv dhe si ta praktikojmë atë në jetën tonë?

23:18 | 27 Shtator 2024
R J

Mendimi pozitiv është akti i riprogramimit të nënvetëdijes tonë duke përsëritur pohime pozitive çdo ditë

Jeni person që e shihni gotën gjysmë të mbushur apo gjysmë të zbrazët?

Mendimi pozitiv fillon me dialogun e brendshëm. Ai dialog që krijojmë ne të gjithë në mendjen tonë.

Zhvillimi i një këndvështrimi pozitiv na mundëson të menaxhojmë më mirë situatat stresuese që i përjetojmë vazhdimisht në baza ditore dhe në këtë mënyrë të reduktojmë efektet negative të stresit në shëndetin dhe mirëqenien tonë.

Të menduarit pozitiv nuk ka të bëjë me mbylljen e syve dhe as me një metodë abstrakte që premton mrekulli. Jo! Të menduarit pozitiv është një mënyrë e vërtetë jetese e cila është thelbësore në zhvillimin tonë personal. Është një teknikë e cila konsiston në marrjen e përgjegjësisë për veten përmes ndërgjegjësimit dhe adoptimit të një gjendje shpirtërore, në mënyrë që të mbushë jetën e përditshme me pozitivitet.

Mendimi pozitiv është akti i riprogramimit të nënvetëdijes tonë duke përsëritur pohime pozitive çdo ditë.

Studime të shumta kanë zbuluar se ne kemi rreth 70,000 mendime brenda ditës dhe mazhoranca e tyre janë negative, degraduese, kufizuese,…

E kuptoni që me këto të dhëna, refleksi i shumë njerëzve është të mos mendoj pozitivisht.

Shqiptimi, madje edhe leximi i fjalëve pozitive rrit nivelin tuaj të energjisë, konfidencën dhe mirëqenien. E kuptuat që afrimimet pozitive ndihmojnë ndërtimin e mendimit pozitiv. Mendimi pozitiv nuk është i pa-arritshëm, nuk është i rezervuar vetëm për disa njerëz; secili mund të kultivojë mendimin pozitiv. Mjafton të kuptojë mekanizmin, të praktikojë afrimimet, të besojë, të ndjejë në zemër që është e mundshme. Duhet kohë, por arrihet. Secili në ritmin e vet, dikush më shpejtë dikush më ngadalë, por ndryshimi do konstatohet, shijohet pa asnjë dyshim. Gjithashtu duhet përmendur që nuk ekziston njëri në botë i cili posedon në mënyrë konstante vetëm mendime pozitive, dallimi qëndron tek këta persona që sapo e vërejnë që një mendim negativ po sillet në mendje, ata përdorin teknikat që kanë mësuar për t’i zëvendësuar me mendime pozitive, ato teknika konsistojnë në pohime pozitime, vizualizime, shprehje falënderuese, etj!

Si të adoptoni të menduarit pozitiv çdo ditë?

Krijoni një model mendimesh pozitive duke zhvilluar një këndvështrim optimist për të ardhmen. Për ta bërë këtë, është e domosdoshme që fillimisht të identifikohen mendimet negative në mënyrë që t’i modifikojmë ato duke zëvendësuar fjalët kundërproduktive me fjalë pozitive. Ky dialog i brendshëm është një mënyrë e mirë për të krijuar një qasje të re ndaj ngjarjeve. Është gjithashtu e rëndësishme të dini se si të vlerësoni përvojën e kaluar edhe nëse rezultati i marrë nuk është ai që pritej.

Mësoni të jeni krenarë për sukseset tuaja. Njohja e suksesit (sado i vogël që mendoni që është) dhe festimi i arritjeve tuaja ndihmon në rritjen e vetëbesimit. Që kjo qasje të funksionojë, është e rëndësishme të besoni në aftësitë tuaja. Pikëpamjet e të tjerëve dhe mendimet e tyre nuk duhet të zënë një vend të rëndësishëm në sytë, mendjen dhe shpirtin tuaj. E vlefshme është ajo se çka ju mendoni, besoni për veten tuaj; realiteti i të tjerëve, nuk ka të bëjë me realitetin tuaj.

Jini të vetëdijshëm për mendimet tuaja negative. Modeli i të menduarit pozitiv nuk ndalet vetëm në largimin e mendimeve negative duke fshehur ekzistencën e tyre. Është gjithashtu e shumë e rëndësishme, që të kemi kujdesin më të madh në përzgjedhjen e personave me kënd shoqërohemi. Sado që mundohemi të qëndrojmë pozitiv, dashamirës dhe altruist, prezenca e personave toksik (apo negativ) nuk është e dobishme për askënd, andaj është kjo një përgjegjësi e madhe që keni për veten dhe jetën duke seleksionuar personat më të cilët dëshironi të keni kontakt.

Ka disa ushtrime të cilat ndihmojnë në menaxhimin e mendimeve dhe, njëra në mesin e tyre, dhe njëkohësisht më e fuqishmja, është fokusimi në frymëmarrje. Kur ndjeni se mendimet negative ju konsumojnë, fillimisht mund të filloni të merrni frymë normalisht duke u përqendruar në procesin e frymëmarrjes (in-out ). Kjo metodë, e cila synon t’ju ndihmojë të mos mendoni më për asgjë dhe të jeni në fokus tek frymëmarrja, ka efektin e drejtpërdrejtë duke na bërë më të vetëdijshëm për mendimet dhe veprimet tona.

Në momentin që përballeni me një përvojë të pakëndshme, apo me një sfidë, nuk duhet ta shihni atë si diçka të keqe apo fatale. Përkundrazi, duhet ta shihni atë si një mundësi për të kuptuar se si mund t’i kishit bërë gjërat ndryshe. Ju, gjithashtu mund të kërkoni frymëzim përmes përvojave të njerëzve të tjerë që kanë përjetuar situata të ngjashme për të gjetur një zgjidhje për problemin tonë. Edhe një herë, kujtimi i përvojave të kaluara mund të na ndihmojë të gjejmë një anë pozitive për çdo situatë, duke e konsideruar atë si një mësim, një leksion dhe një dhuratë nga universi.

Praktikoni teknikën e programimit neurolinguistik. Ky grup metodash synon të ndihmojë një individ të ndryshojë perceptimin e tij. PNL-ja na lejon të modifikojmë skemën tonë mendore si dhe sjelljen tonë.

Duke i adoptuar këto praktika në baza ditore, modeli juaj i të menduarit do të ndryshojë në mënyrë drastike. Kontrolli i mënyrës se si reagoni ndaj situatave të reja ju shtynë të ruani kontrollin mbi mendimet e juaja. Megjithatë, është e domosdoshme të jeni të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të keni kontroll mbi të gjitha ngjarjet.

Adoptimi i të menduarit pozitiv përfshin gjithashtu klasifikimin apo pastrimin e kontakteve tuaja. Bëni këtë zgjedhje me butësi. Mos i ndërprisni lidhjet me të shoqëri, familjarë tuaj “toksikë” në mënyrë brutale, por ngadalë dhe me butësi, bëni një hap prapa, pranoni t’i shihni pak më rrallë dhe jepni një shembull të mirë për ta sa herë që i takoni. Nuk është e domosdoshme të merrni pjesë në secilin aheng familjar në qoftë se në prezencën e njërit ose tjetrit nuk ndjeheni mirë, respektojeni veten dhe emocionet tuaja, refuzojeni ftesën me elegancë dhe diplomaci./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme