Nëse po mendoni ta prodhoni dezinfektuesin në shtëpi, duhet t’i dini patjetër këto rreziqe

18:22 | 16 Mars 2020
Arbresh.info

Ndërsa ankthi ndaj koronavirusit vazhdon të ndikojë në jetën e secilt prej nesh çdo ditë, dyqanet dhe farmacitë po përballen me kërkesat e vazhdueshme për dezinfektues. Për shkak të mungesës së tij, njerëzit po mundohen ta prodhojnë vetë.

Nëse doni të bëni edhe ju të njëjtën gjë, mendojeni dy herë, pasi ekspertët janë kundër idesë. Receta të ndryshme po qarkullojnë në internet për të prodhuar një dezinfektues. Nëse do të kërkoni në Google, do t’ju dalin një sërë artikujsh në lidhje me këtë, si dhe tutoriale të shkurtra në YouTube që tregojnë hap pas hapi procedurën.

Organizata Botërore e Shëndetit madje ka një udhëzues zyrtar për ta prodhur dezinfektuesin. Por, në këtë rast, është menduar për popullsitë që nuk kanë ujë të pastër apo produkte mjekësore. Nëse produkti bëhet si duhet, mund të jetë i dobishëm, por nëse jo, mund të ketë pasoja në shëndetin tuaj.

Që dezinfektuesi i duarve të jetë efektiv, duhet të ketë të paktën 60% përmbajtje alkooli, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.

“Dezinfektuesit e duarve të blera nga dyqani kanë zbutës për të ulur ashpërsinë e alkoolit në lëkurë. Nëse nuk e keni atë në recetën tuaj të bërë në shtëpi, mund të rrezikoni të dëmtoni duart,”- tha për “ The Guardian”, një profesor në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

Nëse ky produkt konsumohet nga fëmijët, mund të shkaktojë helmim nga alkooli. Parandalimi më i mirë kundër koronavirusit është akoma larja e duarve. Sigurohuni që dezinfektuesi të përhapet në të gjithë sipërfaqen e duarve tuaja dhe fërkojini ato derisa produkti të thahet. Megjithatë, nëse keni duar të yndyrshme, dezinfektuesi mund të mos jetë aq i efektshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme