Kërkoni të kuptoni nëse një lidhje do të zgjasë? Atëherë shihni buzëqeshjen e partnerit tuaj. Studimet më të fundit ju vijnë në ndihmë.
Femrat preferojnë meshkujt që buzëqeshin për lidhje afatgjata, ndërsa meshkuj seriozë për lidhje afatshkurtra Pamja e ngrysur e aktorit ikonë, James Dean, mund t’i ketë lënë gratë e asaj kohe pa frymë, por shkenca zbulon një mënyrë të re për të qëndruar në një lidhje afatgjatë dhe ky sekret është buzëqeshja.
Kërkuesit zbuluan se gratë që donin një marrëdhënie afatgjatë, ishin më të interesuara për burra që buzëqeshnin në mënyrë tërheqëse. Femrat gjithashtu i cilësuan si më të besueshëm meshkujt që buzëqeshnin, krahasuar me ata që kishin një shprehje neutrale në fytyrë.
Megjithatë, gratë që kërkonin një marrëdhënie afatshkurtër, nuk e shihnin buzëqeshjen si diçka shumë tërheqëse te një mashkull, thonë psikologët nga Universiteti i Oslos dhe Universiteti Senshu në Japoni. Burrat që duken si më të besueshëm, janë një opsion më tërheqës për një partneritet afatgjatë, pasi në të përfshihet edhe të bërit prind, thonë kërkuesit.
Por ky tipar i karakterit është më pak i rëndësishëm për një lidhje që mund të zgjasë disa muaj. “Buzëqeshja është arma e duhur e një mashkulli për të tërhequr femra që duan lidhje afatgjatë, por kjo nuk është e vërtetë për lidhjet afatshkurtra”, thanë hulumtuesit në revistën “Psikologjia evolucionare”.
“Këto rezultate janë në përputhje me idenë se karakteristikat shoqërore dhe bashkëpunuese, duhet të jenë veçanërisht të rëndësishme për partnerë afatgjatë, por jo edhe aq të rëndësishme për ata që duan të kalojnë një kohë të shkurtër bashkë. Bashkëpunimi është i nevojshëm për të qenë një prind i mirë, por kjo kërkohet vetëm në rastin e parë, jo në të dytin”, sqaruan kërkuesit.
Gratë janë më të interesuara në faktorë shoqërorë, si besimi që ngjall një mashkull, kur marrin parasysh një lidhje të gjatë, ku mund të përfshihet edhe të qenët prind. Kjo kërkesë e femrave minimizon rrezikun e humbjes së angazhimit nga partneri gjatë shtatzënisë dhe më pas. Buzëqeshja përbën një avantazh për këdo që projektohet si një partner i mundshëm në një të ardhme të papërcaktuar. Kjo ide u shkon për shtat edhe strategjive tona evolucionare në përzgjedhjen e partnerëve për të qenë prind. Në pjesën e parë të studimit, 218 grave iu treguan disa foto të burrave që buzëqeshnin dhe disa foto me shprehje fytyre neutrale.
Atyre iu kërkua të vlerësonin shkallën e tërheqjes te burrat për një lidhje afatshkurtër ose për një marrëdhënie afatgjatë, si për shembull një martesë e mundshme. Në pjesën e dytë të studimit, një tjetër grup prej 71 grash, panë një seri fotografish të burrave që buzëqeshnin ose që kishin një sjellje neutrale të fytyrës. Atyre iu kërkua të vlerësonin se sa të besueshëm u dukeshin këta burra dhe sa mashkullorë ishin në sytë e tyre. Ndërsa fytyrat neutrale u perceptuan si “më mashkullore”, fytyrat e buzëqeshura ishin te “të preferuarat” për nga besimi.
Kërkime të mëparshme të publikuara këtë muaj zbuluan se është e vërtetë se humori mashkullor mund të jetë i parezistueshëm për një grua. Studimi i Universitetit të Kanzasit zbuloi se sa më tepër përpiqet një burrë të jetë shakaxhi dhe nëse ia del ta bëjë një grua të qeshë, aq më tepër gjasa ka që ajo të jetë e interesuar për ta takuar sërish. E kundërta nuk është e vërtetë, pasi gratë që kanë humor, nuk perceptohen si shumë tërheqëse nga meshkujt. Ngrysja nuk ju çon askund Njerëzit që kanë një personalitet të ngrysur dhe shumë seriozë në vendin e punës, sipas studimeve kanë më tepër gjasa të bëjnë më shumë armiq në zyrë. Kjo, sipas një studimi të ri, i cili sugjeron se nëse i shtypni emocionet në zyrë, atëherë mund të bëheni më pak të pëlqyeshëm për të tjerët në vendin e punës, edhe nëse kjo ju bën që të ndiheni më produktivë. Studimi pason një tjetër që zbuloi se personalitetet e rreme të punës mund të dëmtojnë shëndetin fizik të një personi dhe të shkaktojnë një ngarkesë emocionale.
Një personalitet pune është ai kur dikush përpiqet të mos shfaqë emocione në zyrë. Këta persona janë zakonisht shumë direktë dhe të organizuar në jetën e përditshme. Studimi nga Universiteti i Oregonit zbuloi se ata që shtypin emocionet gjykoheshin si më pak të pëlqyeshëm dhe jo të preferuar për marrëdhënie të ngushta. Njerëzit që përpiqen të shtiren në reagimet e tyre të përditshme, shihen si njerëz të largët nga shoqëria dhe indiferentë ndaj ndjenjave të të tjerëve./gshq/
Tottneham dhe Liverpool mbyllin xhiron e 17-të, këto janë 11...
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...
Drita e mbyll si kampione stinorin vjeshtor, Ballkani e ndje...
Kurti: Kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit
“Boll more më”, Xheneta me ashpërsi i kthehet Rovenës, ja re...
Begaj viziton Mirditën, inkurajon binjakëzimin dhe bashkëpun...