Maskat me qumësht e deri tek kaçurrelat me birrë, ja si zbukuroheshin gratë shqiptare para viteve ‘90

08:35 | 15 Nëntor 2018
Arbresh.info

Para viteve ’90 të ishe e bukur ishte vërtet fat, sepse nuk ekzistonin asnjë nga “instrumentet” që vajzat dhe gratë përdorin sot për t’u kuruar, duke nisur që nga tualeti e deri tek transformimet rrënjësore të operacioneve plastike.

Kozmetika, që njohu një hov zhvillimi në vendet Perëndimore gjatë mesit të viteve ’60 me revolucionin feminist për të drejtat e grave, në Shqipërinë komuniste ishte një luks që përkthehej vetëm në ndonjë shampo apo buzëkuq të blerë ose të sajuar. Në ato vite kur vajzat i hiqnin vetullat vetëm kur martoheshin, të flitej për tualetin dukej si tabu, megjithëse qejfliet e “modës” nuk mungonin edhe në atë kohë.

Rimeli, lapsi i syve, kremi pudër, kremi dhe vaji i plazhit, hidratantët…ishin të gjithë produkte që as nuk njiheshin dhe as nuk prodhoheshin në Shqipëri. Fatlumë ishin disa që ju kishin sjellë familjarë që u kishin bërë ndonjë rrugë jashtë vendit një laps apo rimel, i cili kur mbaronte zëvendësohej pastaj me bojë këpucësh për të vijuar ‘funksionin’.

Ndërsa floktoret frekuentoheshin vetëm në raste fejesash dhe dasmash ku zakonisht teknika më e përdorur e krehjes ishte “t’i jepej flokëve një formë” me bikudinat e famshme që t’i bënin flokët me ricën e ngjashme të kaçurrelit. Në mungesë të produkteve vinin në ndihmë, “shpikjet e kozmetikës” siç mund të quajmë ndryshe truket që përdoreshin nga vajzat dhe gratë për t’u kuruar në kushtet e shtëpisë. Vajzat dhe gratë në Durrës por jo vetëm e kishin zakon të përdornin këto produkte natyrore:

 

E verdha e vezës + ajka e qumështit = krem hidratues/ Përzierja e këtyre dy produkteve formon një masë kremoze e cila shërbente si hidratues i mirë por edhe larës. Zakonisht vajzat dhe gratë e përdornin për të mbajtur lëkurën më të butë dhe të pastër.

 

Kur s’ke penel ke lapsin jeshil…/ Lapsi jeshil ishte përdorej zakonisht nga ushtria. Kush kishte familjarë të tij në rradhët e ushtrisë mund të merrte një laps të tillë, i cili përdorej për të lyer kapakët e syve pastaj me disa pika të vogla mjalti përhapej ngjyra duke e fiksuar mbi kapak për një kohë të gjatë për shkak të efektit ngrirës të mjaltit.

 

Të depilohesh me sheqer/ Është një metodë që nënat ua kanë trashëguar edhe vajzave në ditët e sotme. Receta ishte efikase. Dy gota sheqer me një gotë limoni përziheshin në një tenxhere të vogël e cila ishte vënë të nxehej mbi sobë. Shkrirja e tyre krijon një masë xhelatinoze ngjitëse që përdorej për të hequr qimet.

 

Në vend të rimelit dhe lapsit të vetullave…/ Hiri i drurit të djegur ishte një teknikë e njohur për të gjitha vajzat dhe gratë. Me shumë kujdes për të mos u ndotur, kjo lëndë shërbente për të lyer vetullat dhe qerpikët. Derisa nisi të dilte lyerja e tyre me këna, produkti bimor që nisi të përdorej në vitet ’70 për të lyer flokët.

 

Birra për t’i dhënë formë flokëve/ Majaja e birrës ishte një produkt që i ndryshonte formën flokëve, duke i dhënë onde apo dhe kaçurrela. Një gotë birre për flokët mbahej gjithmonë në frigorifer, me qëllim që të thartohej gradualisht për të dhënë efektin e dëshiruar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme