Google ADS

Kujdes nga dietat e gabuara

08:35 | 18 Prill 2019
Arbresh.info

Ushqimi po çon para kohe në varr plot 11 milionë persona çdo vit. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në revistën mjekësore me më shumë ndikim “The Lancet”. Studimi ka zbuluar se dieta jonë e përditshme vret më shumë se duhanpirja, duke u bërë shkak për 1 në 5 vdekje në mbarë botën.

Kripa, qoftë në bukë, salcën e sojës apo mishin e përpunuar, rezulton që ka shkurtuar më shumë jetë. Shkencëtarët thonë se ky studim nuk ka të bëjë me obezitetin, por me cilësinë e ulët të dietave ushqimore, që dëmtojnë zemrën dhe shkaktojnë tumor.

Pas kripës, përgjegjës për 3 milionë vdekje vjen konsumi i pakët i drithërave integrale, konsumi i ulët i frutave dhe në fund fakti që njerëzit nuk hanë sa duhet perime, arra, fibra dhe nuk marrin Omega 3 nga ushqimet e detit. Nga 11 milionë vdekjet e lidhura me ushqimin, 10 milionë ishin pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kjo shpjegon përse kripa është problemi kryesor. Vendet mesdhetare, sidomos Franca e Spanja, si dhe Izraeli, kanë numrin më të vogël të vdekjeve të tilla në botë, ndërsa në kahun tjetër të spektrit qëndrojnë shtetet e Azisë Juglindore, Jugore e Qendrore.

Dieta të rrezikshme janë ato që përmbajnë:

Shumë kripë – 3 milionë vdekje
Pak drithëra – 3 milionë vdekje
Pak fruta – 2 milionë vdekje
Kripa mund të ketë një ndikim direkt në zemër dhe enët e gjakut. Ndërsa drithërat, frutat dhe perimet kanë një efekt të anasjellë – ata janë mbrojtës ndaj zemrës dhe qarkullimin e gjakut./living.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme