Qeveria e Kosovës ka bërë një platformë për finalizimin e dialogut me Serbinë. Dokumenti dyfaqësh mban titullin “Platformë shtetërore për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve”, por Jakup Krasniqi, nuk ka pritje të mëdha nga kjo platformë.
Kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, Jakup Krasniqi, i cili ishte i ftuar në Interaktiv të KTV-së, e sheh të vështirë që kjo platformë të marrë kuptim, pasi fillimisht opozita dhe pozita nuk bien dakord me njëra tjetrën.
“U bënë 5 vjet nga marrëveshja e 19 prillit 2013. Fazën finale e kërkova në internet dhe e gjeta platformën origjinale. Sikur të ishte në fillim i bisedimeve teknike, si është paraparë nga rezoluta e asamblesë së përgjithshme, në rregull, por e dimë që jo më pak se 5 vite është biseduar për këtë në Bruksel, dhe nuk e di sa është reale që pas 5 viteve me bisedime teknike, të hartohet një platformë për bisedime teknike. Është goxha e vështirë ta kuptojë ,se s’i këto bisedime që do të udhëhiqen nga një komision qeveritar e përgjegjësia i është dhënë Thaçit, të jenë teknike”, tha Krasniqi, e thotë se ato janë bisedime politike.
Krasniqi thotë, se duke u bazuar në atë që ka parë deri tani, janë bisedime teknike sepse s’ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Ky dokument thirret në një konsensus të subjekteve politike të pozitës dhe opozitës, por s’ka komunikim të mirëfilltë mes tyre. Opozita ka vërejtje të shumta, dhe ka bërë ftesë për një dialog mes tyre por është goxha vështirë të ketë diçka të përbashkët. Me gjuhën mes opozitës e pozitës, s’do të ketë konsensus, aq më pak kur opozita se pranon Thaçin ta drejtojë”, tha ai.
Kransiqi thotë se i ka 2 probleme, fillimisht tentimin për të kapërcyer bisedimet politike në teknike është vështirë sepse siç thotë ai, për 5 vjet 2 kryeministra e 2 qeveri kanë marrë obligime politike atje.
“Më duket ngjashëm si me veprimet e 21 dhjetorit, mënyra se si deshën ta zhbëjnë Gjykatën Speciale. Ky dokument vështirë do jetë i pranueshëm për Brukselin. Megjithatë, duhet të presim debatin që do zhvillohet në Kuvend”, tha Krasniqi, e shtoi se para se të zhvillohet debat në Kuvend, duhet të bëhet në mes partive politike.
Sipas tij, halli i LDK-së dhe i VV-së, tani është të kërkojnë kohën e duhur për të shkuar në zgjedhje, e jo që po kërkojnë të bisedojnë vetëm për platformën.
“Këto bisedime janë politike, s’mund të jenë teknike. Unë mendoj se është tentim për të mashtruar opinionin sesa një komunikim i vërtetë mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe paraqitjet e liderëve serbë janë kundërshtuese me të tanëve. Pala e Kosovës duhet ta ketë të qartë çka të bisedojë dhe çfarë marrëveshjesh do të arrihen”, tha ai.
Serbia nuk e ka qëllim vetëm formimin e Asociacionit
Për sa i përket formimit të Asociacionit me shumicë serbe, Krasniqi thotë se Serbia nuk e ka interesin vetëm të formojë gjithsesi këtë Asociacion, por të ketë përfitime tjera.
“Serbët e Kosovës janë viktima të Beogradit. Krimi dhe korrupsioni në Kosovë, bëhet në një pjesë të madhe në Veri, atje s’ka sundim të ligjit e rendit. Jam i bindur që serbët e asaj pjese janë të interesuar të lirohen nga bandat e kriminelët, nga ata që s’kanë qëllim mirëqenien e qytetarëve por kanë qëllim grabitje për interese personale”, tha ai.
Sipas tij, Asociacioni është i paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës.
“Asociacioni është bashkësi që ata i thonë Zajednicë, në shqip, bashkësi e Komunave Serbe, as ata nuk i thonë Asociacion. Ashtu siç e duan serbët, nuk është asociacion. Serbët kanë autonomi në disa segmente të shtetit, siguri ,arsim shëndetësi. Mendoj që serbët, BE-ja dhe Kosova, duhet mirë të shohin për formimin e Asociacionit. Serbët në Kosovë kanë të drejta dhe liri që nuk i kanë as në vendet e BE-së. Është normale që komunitetit shumicë t’i jepet liri dhe të drejta. Por Serbia është e interesuar që të zhvat sa më shumë Kosovën, jo vetëm të krijojë asociacionin”, tha Krasniqi.
Kosovarët derdhën të holla në Qeverinë e Bukoshit edhe pas përfundimit të luftës
Krasniqi ka folur edhe për bisedimet e fundit, se kush ka dhënë më shumë kontribut në Luftë, a ka ekzistuar FARK-u apo jo, dhe sipas Krasniqit, janë gjëra që i takojnë historisë, pasi historia e Kosovës dihet, dhe luftën e kanë bërë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në Luftën e Koshares, Krasniqi tha se ka pasur njerëz që e kanë formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në atë kohë kishte dëshmorë dhe punonin me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi ka folur edhe për përplasjen që ndodhi ditë më parë në seancën e Kuvendit, kur deputeti i PDK-së Xhavit Haliti dhe deputeti i LDK-së Anton Quni, kanë replikuar lidhur me një shumë prej 8 milionë markave që sipas Anton Qunit, Haliti i ka marrë nga kolonel Ahmet Krasniqi.
Krasniqi tha se këto diskutime assesi s’duhen bërë tash, pasi Kosova ka punë më të mëdha për të cilat duhet diskutuar.
“Janë diskutime joproduktive, ju bie mend 20 vjet pas luftës, ai është debat i historisë. Debati përmbajtësor është si ta ndërtojmë shtetin e së drejtës”, tha ai.
Krasniqi, megjithatë, kujtoi një moment kur në atë kohë në prill të vitit 1999, është bërë përpjekje të bëhej bashki me Qeverinë e Bukoshit, e atëherë kishin kuptuar se në Qeverinë e tij ishin derdhur pesë qind milion marka gjermane.
“Ka qenë grumbullin i atdhetarëve që janë derdhur në fondin e asaj Qeverie. Ne veç e dimë që ka qenë “Dardania Bank” në Shqipëri, në vend se të flitej për masakrat në Drenicë, shumë vendas kanë derdhur shuma të mëdha parash në fondin e asaj qeveria, pra të Bukoshit. Por ndihma s’ka pasur. Njerëzit s’po flasin për qindra miliona tash, por për pak miliona. Por, duhet ta dimë se lufta nuk është bërë pa mjete financiare”, tha Krasniqi, por shtoi se për këto të holla që ende s’dihet nga kanë shkuar, duhet të ketë hetime të organeve profesionale për të parë se kur kanë shkuar ato, dhe se nëse dikush do që të hulumtojë për to, mundet.
Krasniqi thotë se e ka një informacion, se edhe qytetarët e Kosovës, në Qeverinë e Bukoshit, kanë derdhur edhe disa vjet pas luftës të holla në fondin e tij, por nuk dihet se ku kanë shkuar./koha.net/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...